/̵͇̿̿/'̿̿¯̿̿¯̿̿ 20

-Shumë faleminderit! - nuk ishte duke u ndier aq mirë, por ajo lumturi që e kishte përshkuar në ato çaste, filloi të rigjeneronte çdo qelizë të dëmtuar të saj. Të paktën kështu e ndiente ajo.

-Shkoni! Duhet të largoheni sa më shpejt! Do t'ju mbuloj unë! - nuk ishte e sigurt nëse kishte ndihmuar njerëzit e duhur, por e dinte se kishte vepruar mirë.

I kapi fort dorën dhe vrapoi drejt daljes. Ishte i hutuar, por nuk kishte kohë të ndihej i tillë. Një zë i brendshëm i thoshte se Elois ishte shumë pranë kapjes së tyre. Dhe nuk do t'ia falte vetes nëse kjo ndodhte.

Makina me të cilën kishin ardhur ishte zhdukur. Me shumë mundësi e kishin marrë forcat policore për t'i gjetur pronarin e vërtetë, gjë që pritej nga ana e tyre.

-Po tani? - vërtet ndihej më mirë, por kjo nuk do të thotë se ishte gati për një vrap tjetër disa orësh.

-Do të gjejmë diçka. Do të gjejmë, - ndërkohë që përsëriste këto fjalë vazhdimisht, shihte rreth e rrotull për ndonjë ndihmë. Spitali ndodhej në dalje të qytetit, ndaj ishte i rrethuar nga toka boshe, dhe rrugë po të njëjta. Ishte afër një parkingu, por shumë larg rrugës kryesore, që të çonte në horizont të hapur.

Ndodhej i vetëm. Ai. Ai dhe diamanti i tij fals. Vërtet mendoi. Mendoi se Uardeni ishte dorëzuar. Tashmë që edhe Elois ishte larg Uashingtonit, nuk dinte si të vepronte. Po, ishte drejtori i muzeut, por ishte po aq i panevojshëm në ato momente. Ishte i vetëm në Uashington. Dhe muzeu ndihej i vetmuar pa atë gur që i jepte ndriçim. Bunch e dinte se nuk do të arrinte kurrë ta merrte sërish atë gur. Thjesht shpresonte dhe besonte tek Elois. Dhe pikërisht kur këto shpresa po i shuheshin, mori nga ana e saj një telefonatë.

-Elemino çdo person të ri që ka ardhur për të mbrojtur muzeun. Nuk e di dhe nuk më intereson se si do ta bësh, por dua që kjo punë të marrë fund sa më shpejt, - ishin fjalët e saj para se ta mbyllte.

-Por, - u mundua të jepte shpjegime, por nuk mundi. Nuk po e kuptonte pse ajo po e bënte gjithë këtë. Ndoshta ishte e nervozuar dhe nuk e dinte se ç'fliste ose ndoshta tani që e kishin kuptuar se Diamanti i Shpresës nuk ndodhej në muze, ai vend nuk kishte më vlerë. Këto ishin mendimet e tij, -Jo! - bërtiti me të madhe edhe pse telefonata e tyre kishte përfunduar disa minuta më parë, -Muzeu ende ka vlerë. Nuk do t'i largoj kurrë truprojat nga hyrja e tij! - nuk e dinte se cili do të ishte reagimi i Eloisit nëse e merrte vesh që nuk kishte vepruar në mënyrën që ajo i tha të vepronte, por ndihej i lumtur që mori një vendim i vetëm, që ndoshta ishte i gabuar.

***

Orët kalonin dhe ata ende ndodheshin aty. Këtë rradhë të dy, pasi nuk kishte asnjë mundësi që të dilnin prej atysh, pavarësisht planeve që mund të thurnin bashkë. Të paktën kështu mendonte Elois. Gjithçka që arrinin të dëgjonin ishin disa hapa që vinin drejt qelisë së tyre. Ishin të sigurt se kush ishte.

Uarden nuk dukej të ndihej mirë. Ishte hera e parë që ndodhej në një vend të tillë dhe nuk ishte optimist apo duke planifikuar daljen e rradhës. Dukej sikur ishte dorëzuar që nga momenti kur pa derën e atij vendi. Pamjen e parë dhe përshtypjen e parë që i la. Dinte thjesht që e urrente me gjithë shpirt.

-Dhe ja ku takohemi sërish! - ishte sërish zëri i saj që e zgjoi nga mendimet, -Të thashë Uarden, nuk do të shpëtoje këtë herë. Nëse nuk do të ishe larguar nga makina, nuk do të ishe lodhur kaq shumë. Sërish përfundove në të njëjtin vend. Sa keq...

Fjalët e saj e acaronin jashtë mase. E kishte urryer që në fillim. Që në fillim nuk e duronte dot atë femër, që ishte bërë si llambë e fikur mbi kokat e tyre.

-Të premtoj që do të jem fytyra e fundit që do të shohësh! - u ngrit prej vendit ku ishte ulur duke u drejtuar nga ajo. Ndaloi kur pa se i ndante një mori shufrash prej hekuri.

-Vin'nila! - i thirri të kthehej sërish në vendin e saj, pasi ishte i sigurt që nuk do ta linte me aq. Ajo nuk mendonte gjatë. Ishte person që do të luftonte nëse i thoshte truri dhe do të ndalonte nëse i thoshte dikush, -Nuk ia vlen të flasësh me një person të tillë, - që nga momenti kur hyri, e dinte se përshtypja e tij për Eloisin kishte ndryshuar. Ndoshta ajo nuk e dinte, por ai nuk ishte në gjendje të mendonte për informatat që kishte marrë ajo para se t'i fuste në atë vend.

-Vërtet Uarden? - mundohej ta acaronte më tepër, por ishte e qartë se ai nuk do të vazhdonte. Kjo gjë e çuditi edhe atë. Nuk e kishte parë ndonjëherë në atë gjendje. Pasi vuri re këtë, vendosi të largohej për t'u marrë me procedurat, duke i lënë ata të dy me njëri-tjetrin.

Ktheu kokën nga ai e habitur. Nuk e kishte parë ndonjëherë atë reagim nga ana e tij, ndaj u afrua për të mësuar më shumë.

-Luvern, çfarë të ka ndodhur? - nuk po dinte si të formulonte një pyetje me vend, sepse thjesht fakti që ndodheshin në një qeli mund të bënte dikë të sillej në atë mënyrë, por jo Uarden.

-Nuk e di Vin'nila! Nuk e di! Të mungojnë prindërit? - nuk e kuptoi pse iu drejtua direkt me një pyetje të tillë që po bluante në mendje.

-Ndonjëherë... - vendosi të ishte e hapur me të, -Por nuk i mendoj shpesh. Fakti se jam rritur pa ata, nuk më ka bërë që t'iua ndiej mungesën, sepse kam pasur Henlein pranë, por ndonjëherë ndihesha bosh. Sikur një copëz mungonte. Ç'të solli ndërmend këtë pyetje? - e dinte se tashmë kishte për të dëgjuar shumë.

-Ti e di Vin'nila. Ky vend, kjo situatë, më kujton ata. Atë, më saktë. Mamaja ime u arratis për në Indi pasi vrau tim atë. Zgjodhi pikërisht Indinë pasi një nga objektivat e saj ishte të merrte Travenierin, që në atë kohë gjendej ende duke u sjellë vërdallë në Indi. Ta kam thënë ndonjëherë që arriti ta marrë? Arriti ta prekë? Më pas e kapën dhe e futën në burg. Në këtë burg. Këtu ku jemi momentalisht. Në vendlindjen time. Këtu pra, këtu kam lindur unë. Dhe kam qenë i mallkuar që në momentin që linda. Ai gur më mallkoi që në momentin që linda. Po arsyen pse ajo vrau babain tim ta kam thënë ndonjëherë? - ajo vetëm dëgjonte dhe shihte se si dhimbja kalonte duke luajtur në sytë e tij, -Im atë ishte punonjës i lartë. Më pas mori vesh për Travenierin dhe vendosi ta marrë atë, për ta bërë pjesë të jetës së tij. Kjo ide i pëlqeu vërtet shumë mamasë sime. Por kur ai hoqi dorë duke u bërë pengesë për atë, ajo vendosi ta heqë qafe. Më pas linda unë. Një foshnjë e mallkuar. Ai gur më ka mallkuar para se të hapja sytë, ndaj s'do të ketë ndikim tek unë. Dhe po, pikërisht në këtë vend ajo kreu vetëvrasje, pasi nuk mund të jetonte në një vend të tillë duke e ditur që unë isha në duart e një punonjëseje atje. Dhe shiko se ku përfundova. Aty ku kam nisur. Në këtë vend. Ndoshta këtu edhe do të përfundoj.

-Luvern! - thirri e nervozuar duke vënë menjëherë dorën në buzët e tij, -Mos e thuaj këtë! Ne do t'ia dalim. Më shiko! - kapi me njërën dorë mjekrën e tij për t'i ngritur kokën që ta shihte lehtësisht, -Nuk e di se kush je ti, por nuk je Luverni që unë njoh. Ndaj të lutem, largohu sa më shpejt prej trupit të tij! - ai vetëm buzëqeshi dhe i dhuroi një përqafim.

Nuk kishte dëgjuar nga Henlej. Hera e fundit që kishte pasur kontakt me të ishte para disa orësh në tempull, aty ku ai vendosi të lërë gjithçka prapa, përfshirë dhe atë, duke u larguar. E kishte mbështjellë një ankth i frikshëm. I kishte dërguar mesazhe disa herë dhe kishte provuar t'i telefononte, por asgjë. Gjithçka që merrte ishte heshtja. Dhe nuk i pëlqente kjo dhuratë.

Qielli ishte errësuar duke bërë të mundur përfundimin e një dite tjetër plot me të papritura, të cilat dolën të ishin tradhëtare kundrejt tyre. Një tjetër ditë dështimi, në të cilën supozohej të arrihej diçka e madhe. Një tjetër ditë e çuar dëm. Një ditë e mbushur me momente rraskapitëse, që rezultuan të ishin të pavlera. Një tjetër ditë e planifikuar, por që shkoi huq, pasi asgjë nuk ndoqi rrugën e tyre. Një ditë që i ndau këto rrugë, duke bërë të mundur që secili prej tyre të ndodhej në situata të pakëndshme. Një tjetër ditë e përfunduar. Një ditë ironike, ku përveç pranisë së dështimit ndodhej një hije që kumbonte vazhdimisht mbi kokat e tyre, për t'i kujtuar se kishin humbur. Kishin humbur atë ditë. Por nata sapo kishte filluar...

Comment