/̵͇̿̿/'̿̿¯̿̿¯̿̿ 8

Uashingtoni ishte një vend ndryshe nga dukej. Përveç madhështisë së tij, kishte njerëz të ndryshëm, mendonin që e njihnin njëri-tjetrin dhe se kishin informacione të mjaftueshme. Për Anakhontën vetëm dikush kishte një rëndësi aq të madhe për të, sa të mundohej të njihte çdo detaj rreth saj.


Gjithçka që ishte duke bërë në ato momente ishte pritja. Pritja për Uardenin që të shfaqej sërish. Por nuk po shpresonte shumë. Ndaj duhet të kalonte në një tjetër plan.


-Anakhonta, mos gaboj! Gëzohem që po të shoh. Më lejo të të them se vërtet nuk dukesh si rivale e Uardenit.


-E shoh që ju ka treguar për mua, - u afrua duke pritur të dëgjonte një arsye se pse kishte ardhur.


-Të them të drejtën nuk ishte Uarden ai që më drejtoi tek ti. Mos më nënvlerëso! Arrij të të gjej, pa marrë informacion nga të tjerët, - u mundua që ta bënte të kuptonte se kishte ardhur për të biseduar.


-Dëgjova se nuk je më në një pozicion të mirëfilltë në rajonin e Uashingtonit. Atëherë pse je këtu? Nuk mendoj se planifikove të më marrësh prej këtush, - nuk ishte e sigurt se pse kishte ardhur pikërisht aty dhe e vetme, në të kundërt do të ishte duke vepruar ndryshe.


-Besoj se kuptohet më së miri që nuk kam ardhur të të arrestoj, - ngriti duart si të donte të dorëzohej, -Duket qartë, apo jo? S'kam përforcime, as armë. Të paktën e di vlerën tënde. Nëse mendoje se kisha ardhur që të të merrja, vërtet nuk e vlerëson veten.


Thjesht po dëgjonte fjalët e saj dhe vazhdonte ta vështronte. Nuk e kishte parë kurrë drejtpërdrejt, por kishte dëgjuar mjaft për reputacionin e saj.


-Nuk të njoh, Anakhonta. As ti nuk dëshiron të të njohin për sa kohë që fsheh identitetin tënd. Po të mos ishte për Diamantin e Shpresës, nuk do të të kisha njohur kurrë dhe nuk do të kisha dëgjuar për ty. Nuk je profesioniste e Uashingtonit, apo jo? Përndryshe do të ishim ndeshur kohë më parë, - nuk priste ndonjë reagim specifik nga ajo. Thjesht kërkonte që t'i tregonte se nuk do të ishte aq e lehtë për asnjë anë.


-Ja vlen për Travenierin Blu, apo jo? - u afrua drejt tavolinës dhe mori gotën me ujë. Ktheu qafën, duke i lënë të qartë se s'kishte kohë për humbje kohe me ish-police, -Nuk po e kuptoj qëllimin tënd, vërtet. Nëse ke ardhur për të marrë informacion rreth Uardenit, nuk do të mësosh asgjë. Përveç faktit se nuk shpërndaj thashetheme për rivalët e mi, për sa kohë Uarden i qëndron besnik bisedës sonë, nuk kam pse të tregoj asgjë. Më lejo të të them se ke ardhur në vendin e gabuar. Besoj se nuk e ke takuar më atë njeri të ngathët që qëndron në krye të muzeut pa asnjë arsye, që prej asaj dite. Ai ka një peshk të madh në dorë.


-Kam ardhur të të them se nuk ke për ta arritur atë që kërkon, sikurse Uarden. Nuk jeni as të parët as të vetmit që keni kaluar në këtë muze për Diamantin e Shpresës. Të gjithë kanë përfunduar pa asnjë rezultat. Erdha të të paralajmëroj sa je në kohë.


Buzëqeshi në mënyrë ironike dhe u kthye sërish për të parë vështrimin e saj.


-Quaje si të duash e dashur, luftë për pushtet apo për mbijetesë? Doja të të thoja se besoj se i mban mend mirë personat që kanë qenë në kërkim të këtij diamanti. Nuk mbaj mend të ketë hequr dorë asnjëri prej tyre, derisa e kanë marrë ose derisa mallkimi ka vepruar mbi ta. Për mendimin tim legjenda rreth mallkimit është false. Nuk qëndron tek mallkimi që mund t'i këtë bërë hyjnia këtij guri të çmuar. Por tek fakti që një person e zotëron atë diamant. Për sa kohë që dikush të këtë një nga diamantët më me vlerë dhe më të kërkuar në botë, do të jetë pikësynimi i shumë të tjerëve, të cilët do ta sulmojnë për ta pasur atë diamant. Sa keq po më vjen! - mori pallton nga cepi i karriges dhe u bë të dilte prej shtëpisë së saj, - Me kaq besoj se e mbyllëm këtë bisedë zonjushë. Kam edhe unë çështjet e mia dhe jetën time si gjithë të tjerët, apo jo?


Këtë fakt Elois dukej të mos e pranonte. Kishte para saj dikë që do të këmbëngulte për ta marrë përsipër si çështje, dhe nuk ishte duke bërë asgjë. Kishte duruar mjaft. Që në momentin kur humbi punën e saj për shkak të Anakhontës, nuk mund të punonte e qetë për asnjë minutë të vetme.


-Besoj e di që e kam marrë vesh se ti ishe arsyeja pse unë humba punën time, apo jo? Nuk besoj se më prisje duarbosh, - u përkul për të arritur xhepin e pasëm të pantallonave të saj, duke nxjerrë një maskë.


-Me atë do të mbrohesh? Seriozisht përgatitje e quan ti këtë? Të lutem, për një moment më frikësove për vdekje! - filloi sërish të qeshte me faktin se vetë Elois mendonte se mund t'ia dilte mbanë e vetme.


-Po, pse jo? Çfarë tjetër mund të më mbronte?


Ishte i shqetësuar. Vetëm disa orë i ndanin nga udhëtimi dhe Vin'nila ende nuk ishte në gjendjen më të mirë të mundshme. Kishte dhimbje të padurueshme koke dhe një ankth të madh që nuk e lejonte të mendonte qartë.


-Duhet të isha duke prerë biletat për në Indi në vend që të kujdesesha për ty, - buzëqeshi duke i drejtuar një qetësues, -Kjo do të të bëjë më mirë.


-A je i sigurt që është vendi i duhur? - ndërroi temë, -Dua të them, si mund të jemi të bindur se ai është tempulli për të cilin po kërkojmë? India është e mbushur me tempuj. Është e pamundur të jemi saktë.


-Vin, vërtet mendon se nuk e mendova këtë para se të vendosja të shkoja atje? Sipas studimit tim, miqve të mi dhe sigurisht Google Maps, Tempulli Pulpally i Seethadevi Lava Kusa është tempulli i vetëm në gjithë Indinë që i përket hyjnisë hindu Sita. Nuk jam shumë i apasionuar pas gjetjeve të tempujve në Indi apo besimeve dhe hyjnive të saj, por mendoj se kam marrë informacionin e duhur për atë vend. Do të jetë e rrezikshme, por do t'ia vlejë, - pas kësaj, po priste për reagimin e saj, sado pak i vogël të ishte.


-Kjo më qetësoi disi. Por sërish nuk do të jem e qetë derisa gjithçka të shkojë në vendin e vet, - pasiguria brenda saj sa vjen e shtohej akoma më shumë, ndaj do t'i pëlqente të vepronin sa më shpejt për ta penguar atë të vazhdonte të rritej.


-Dhe me "gjithçka të shkojë në vendin e vet" doje të thoje që ai diamant do të jetë në vendin e vet, tek ne. Mezi po pres të shoh reagimin e të vetmes Elois Deret, kur ai diamant të jetë zyrtarisht në duart e mia, - mbylli sytë duke e lënë veten të imagjinojë rreth momentit, por sigurisht fjalët e Vin'nilës do ta ndërprisnin.


-Seriozisht Uarden? Gjithë ky ankth që po kalojmë dhe ti ende mendon për reagimin që do të ketë Elois? Për këtë po e bëjmë të gjithën? Për reagimin e saj? - nuk e dinte pse, por thjesht fakti që emri i saj përmendej në pothuajse çdo bisedë mes tyre, e acaronte jashtë mase.


-Jo, sigurisht që jo! Thjesht dua të shoh zhgënjimin në sytë e saj. Dua të shoh fitoren në duart e mia. Dua të shoh se si nuk mund të bëjë asgjë pasi ne ia kemi dalë mbanë.


-Në rregull Luvern, vazhdo të ëndërrosh. Ndërkohë unë po bëhem gati për udhëtimin e nesërm, - u ngrit nga kolltuku dhe shkoi drejt dhomës së saj.


-Pse nuk më lejon asnjëherë të shijoj momentin? - shfryu duke zbritur nga karrigia ku po qëndronte krenar me të ardhmen që i priste një ditë.


Hapi sytë. U ndie e lodhur dhe kishte një dhimbje koke të padurueshme. Gjithçka që e rrethonte ishte një hapësirë e madhe boshe, ku tek-tuk mund të të zinte syri ndonjë armë të vjetër të dalë jashtë funksionit. Filloi të qeshte me të madhe duke ngritur zërin, që mesazhi i saj të shkonte kudo që personi që e kishte futur atje ndodhej.


-Vërtet Elois Deret? Mendon se kjo do të më pengojë apo ngadalësojë mua? Seriozisht? Një vend i shkretë si ky ku vetëm jehona kryen punën e vet do të më ndalojë të dal? - vërtet jehona po madhështonte zërin e saj të lartë në ato momente.


Për disa minuta nuk mori asnjë përgjigje. Asnjë shenjë që dikush ishte duke e vështruar, derisa dera e vogël në tavanin e bodrumit u hap dhe disa shkallë të paqëndrueshme qëndronin poshtë saj. Elois ishte atje. Por jo vetëm.


-Sigurisht që Elois Deret nuk do të lejonte që ky shanc t'i humbiste Zotit Më jep - ta marr, - reagoi sapo pa prezencën e Bunchit.


-Zoti Bunch kërkonte të bisedonte diçka me ju. Unë po largohen për momentin. Do të shihemi së shpejti Anakhonta! Dhe do të shihemi vërtet shumë herë, - ngjiti sërish shkallët për të dalë nga bodrumi.


-Tani që jemi vetëm ne të dy, doja të të informoja rreth diçkaje që mendoj se do të interesonte, - bëri një hap më afër saj.


-Ju jeni personi i fundit me të cilin do të ndaja një bisedë, kështu që më vjen vërtet keq t'ju prish planet i nderuar Bunch, por e vetmja gjë që mund të më interesojë në këto momente, di që nuk jeni ju dhe asgjë tjetër që ka lidhje me ju, - arriti të lirojë dorën e majtë nga karrigia e lidhur, me të cilën arriti të kapë kollaren e Zotit Bunch, -Më lejoni t'ju tregoj diçka i nderuar drejtor; vetëm 10 minuta mund të qëndrosh pranë një anakonde pa u dëmtuar, dhe besoj se kanë kaluar mjaft minuta që në momentin që më nderuat me ardhjen tuaj këtu.


-Unë kam Diamantin e Shpresës! - shpejtoi ta ndalonte me fjalët e tij.

Comment