/̵͇̿̿/'̿̿¯̿̿¯̿̿ 13

-Jemi në rregull. Veç faktit se duhet të mësojmë sa më shpejt se për çfarë shërbejnë dy katet e tjera. Kati i parë dukej krejtësisht normal, mesa mundëm të shihnim. Tempulli hapet në orën 5:00 në mëngjes dhe mbyllet në orën 12:30, pra tani. Por hapet sërish në orën 17:30 deri në 19:30. Ndaj kemi mundësi të shkojmë dy herë në ditë. Përveç kësaj, mesa kuptova, çdo të mërkurë tempulli është i hapur gjatë gjithë kohës, sepse është dita e Republikës, diçka e tillë, - kishte parë shumë. Por jo mjaftueshëm.

-Nesër është e mërkurë, - përmendi Vin'nila.

-Pikërisht! Nesër është mundësia jonë për të zbuluar rreth kateve të tjera, - ishte i lumtur që të paktën kishin marrë vesh orarin e tempullit, gjë që do t'i ndihmonte shumë në vazhdim, -Tempulli me shumë mundësi do të jetë më i mbushur se sot, ndaj do ta kemi më të lehtë të humbasim mes turmës dhe të ngjitemi në shkallët që të çojnë në katin e dytë.

-Mrekulli! Atëherë, duhet të gjejmë një vend afër tempullit. Nuk mund të udhëtojmë çdo ditë për 7 orë, - tha Henlej duke pritur për përgjigjen e tyre.

-Dhe për më tepër, jo të veshur kështu! - përmendi Vin'nila, e cila kishte kohë që priste t'i hiqte qafe.

-Ke në mendje ndonjë vend?

-Është një hotel këtu afër. Besoj se do të jetë mirë për disa ditë. Aty do të qëndrojë edhe dikush që e njoh, me të cilën dëshiroj t'ju prezantoj.

Nuk e dinte nëse duhet t'i besonte Eloisit në ato momente, por e dinte se nuk kishte zgjidhje tjetër. Me shumë siguri nuk do t'i pëlqente vazhdimi, ndaj duhet të bënte kujdes me çdo informacion që tregonte.

-Pra, më thuaj Anakhonta. Ku ndodhen ata momentalisht? - kërkonte shumë. Por e dinte se do të merrte përgjigje për çdo pyetje.

-Më vjen shumë keq e dashur, por siç mund ta shohësh, fatkeqësisht, jam këtu me ty, dhe është e pamundur që të marr ndonjë informacion lidhur me ta në këto momente. Di vetëm që do të shkonin në një tempull. Kaq mjafton? - i pëlqente ta acaronte.

-Në një tempull. Po thua që duhet të kontrollojmë në çdo tempull të mundshëm në gjithë Indinë? - Elois nuk dëshironte ta bënte në këtë mënyrë, por nuk i linte zgjidhje tjetër.

-Këtë punë keni ju policët, apo jo? - tek e fundit, kishte të drejtë.

-Në rregull atëherë! E bëjmë kështu; ti më tregon se në cilin tempull kërkonin të shkonin ata, ndryshe e gjitha përfundon këtu. Ti shkon aty ku e meriton, dhe unë bëj detyrën time. Si të duket?

-Ide e mirë. Por nuk do ta arrish dot. Sepse nëse ti bën rolin e polices dhe unë atë të hajdutes, nuk ke për të më kapur kurrë. Mbi të gjitha, je ti ajo që kërkoi ndihmë nga unë. E çuditshme, apo jo? Unë po dal. Nuk kam kohë të merrem me ty tani, - u ngrit nga karrigia ku ishte ulur dhe u bë të dilte. Po ecte në korridor, kur pa Uardenin dhe Vin'nilën të vinin drejt saj.

-Çfarë do Uardeni këtu? Ah, edhe kjo më duhej! - hyri sërish në dhomën e saj.

-Ndonjë problem? - ishte e nervozuar që e pa të kthehej.

-Harrova çelësat dhe të të them se nuk duhet të rrish këtu. Unë paguaj për këtë dhomë. Nëse dëshiron të qëndrosh duhet të marrësh dhe ti një përqindje të pagesës. Kështu që duhet të dalësh për pak, sepse do të mbyll derën. Nuk kam ndërmend të qëndroj e mbyllur në këtë dhomë, dhe ti e di shumë mirë. Për më shumë detaje do të flasim sërish. Do më duhet kohë të përshtatem me këtë partneritetin tonë. Gjithsesi, do t'ia dalim. Kam besim tek ti! - buzëqeshi dhe priti derisa Elois të dilte. Sapo kishte filluar argëtimin.

-Jeni të sigurt se do të qëndroni këtu? - nuk po i pëlqente aspak serioziteti i tyre.

-Po! Jam shumë e lodhur Henlej. Nuk jam në humor për lojërat e tua, - ishte shtrirë dhe nga momenti në moment mund ta zinte gjumi.

-Nuk më besohet! Ju vini tek unë pas kaq shumë kohësh, dhe nuk m'i hidhni njëherë sytë. Do të më ngelet hatri, vërtet! - duhet t'i bindte të mos qëndronin gjatë gjithë kohës në një stres të tillë. Duhet të ishin më aktivë në jetën e tyre, jashtë pjesës së planit.

-Më thuaj Henlej, çfarë mund të bëjmë për ty? - u ngrit dhe po e vështronte.

-Nuk e kisha menduar, sinqerisht! Po ndihem konfuz tani.

Të tre filluan të qeshnin nga pavendosmëria e tij. Ishte gjatë gjithë kohës duke rekomanduar të bënin diçka tjetër, që nuk kishte lidhje me Diamantin e Shpresës, por nuk kishte asnjëherë ndonjë ide.

Sa shpejt kalonte koha. Dhe mundi shtohej. Sa më shumë të kalonte, aq më shumë kërkonin. Dhe sa më shumë kërkonin, aq më të vështirë e kishin. Dhe sa më të vështirë ta kishin, aq më shumë kohë duhej dhe anasjelltas. Kjo situatë i kishte bërë të ndjenin një lodhje që nuk e kishin ndjerë kurrë. Ishin të rraskapitur gjatë gjithë kohës dhe ndonjëherë nuk dëshironin të vazhdonin më tutje. Diamanti i Shpresës dhe gjithçka lidhur me të, ishte gjatë gjithë kohës një mister. Një mister që nuk do ta kuptonin kurrë se pse ishte kaq tërheqës, kaq i magjishëm, kaq i veçantë. I dinin shumë mirë pasojat e atij misteri dhe ende rendnin pas tij.

Ishte një mister i tillë, njësoj si alkooli. Të gjithë e dinë shumë mirë dëmin që vjen nga ai, por nuk rreshtin së e konsumuari. Është një objekt luksi, që në fillim nuk është i nevojshëm për jetën. Por kur koha kalon, të tërheq akoma më shumë. Dhe bëhesh i varur kundrejt tij. Ndaj ata nuk rreshtnin së kërkuari atë diamant. Ishte magji më vete. Ishte po aq tërheqës dhe joshës sa vetë historia e tij. Joshës dhe i rrezikshëm. Për sa kohë rendnin pas atij guri të magjepsur, do të kishin telashe dhe probleme pa fund.

-Ti na the se doje të na prezantoje me dikë, apo jo? - Vin'nila ishte kureshtare se me kë ishte ngatërruar këtë herë vëllai i saj.

-Oh, po! Harrova fare! - ishte i konfuzuar. Nuk e dinte nëse ishte koha e duhur për një prezantim të tillë, por meqenëse Vin'nila kërkoi ta shohë, nuk mund të kundërshtonte, -Tani?

-E pse jo? Dua të them, dukeshe kaq i entuziasmuar për të na njohur me të.

-Po, sigurisht! - nuk dinte një përgjigje për atë situatë. Thjesht e dinte se duhet të vepronte shpejt, -Atëherë unë po e telefonoj, ndërkohë që ju zbrisni tek kafeneja në katin e parë të hotelit.

-Në rregull! Ne po zbresim! Të presim! - tha me zë të lartë ndërkohë që vishte pallton e saj të gjatë të zezë, -Si thua ti Luvern, a do t'ia vlejë ky takim?

-Nuk jam njohur ende me shijet e vëllait tënd Vin, por besoj tek ai, - buzëqeshi dhe shkoi me të.

Mori telefonin dhe shtypi numrin e saj. Ishte duke pritur me padurim për këtë takim, pasi të dyja palët ishin njerëzit më të rëndësishëm për të.

-Hej, Venera! A je e lirë për momentin? Dua të them, a mund të të pres poshtë? - nuk ishte shumë i sigurt se çfarë po thoshte.

-Sapo do të dilja! Isha shumë e mërzitur në dhomë. Është vërtet e mërzitshme. Ti më lexon mendjen, e kam thënë unë! Të puth! Shihemi! - mbylli telefonin dhe zbriti shkallët për të shkuar në katin e parë.

E adhuronte kur kalonte kohë me të. E bënte të ndihej më mirë dhe të harronte gjithçka që e shqetësonte, apo ndonjë gjë të parëndësishme me të cilën ishte marrë ato ditë. Dinte thjesht që ishte me fat që kishte pranë atë gjatë gjithë kohës, për t'i dhënë shpresë, pasi kishte një jetë të tërë që nuk kishte dikë afër, që të kujdesej për të.

-Ja ku po takohemi sërish! - u përkul për ta përqafuar.

-Ndonjë rast i veçantë përse më kërkoje? - e dinte gjithmonë që ai nuk do të telefononte pa arsye.

-Po, shumë e rëndësishme! Ti e di Venera, të kam folur shumë për miqtë e mi. Në vençanti dy prej tyre. Janë shumë të rëndësishëm për mua. Ashtu si ti. Do doja që ta njihnit njëri-tjetrin, sepse siç e thashë, pa ju nuk do të isha i lumtur sot, - ndihej mirë që po i tregonte rreth kësaj dhe dëshironte të dëgjonte po të njëjtën gjë nga ajo.

-Sigurisht Henlej! Gjithçka të bën ty të lumtur, më lumturon edhe mua. Ju jam mirënjohëse çdokujt që të ka bërë të buzëqeshësh, - e përqafoi sërish, i kapi dorën dhe vazhdoi të zbriste shkallët e fundit për të shkuar drejt kafenesë poshtë hotelit.

-Ata duhet të jenë aty. Fola me ta pak më parë. Edhe ata ishin shumë të emocionuar për të të njohur. Ke për ta parë që nuk do të zhgënjehesh!

Vazhduan hapat deri sa arritën të shihnin tavolinën në të cilën ishin ulur Uardeni dhe Vin'nila, që po prisnin prej disa minutash.

-Pse po vonohen kaq shumë? - ktheu kokën për të parë rreth e rrotull.

Comment