/̵͇̿̿/'̿̿¯̿̿¯̿̿ 12

Turma para dhe brenda tempullit ishte e madhe. Tempulli kishte pamjen e një godine tre-katëshe, me një korridor të gjatë para tij. Çdo kat kishte nga një çati të kuqërremtë të lartë, në formën e shtëpive të lashta kineze, duke e bërë të dukej akoma më i lartë dhe më pak i gjerë.

Hynë pa u vënë re, dhe humbën në turmën e vendasve. Vendi brenda ishte i ngushtë, ndaj do iu duhej kohë t'iu vinte rradha për të kaluar.

-Është e pamundur Luvern! Sot është e pamundur të zbulojmë lidhur me tempullin. Jemi në fund të turmës, dhe siç mund ta shohim të gjithë, nuk është e vogël, -Vin'nila i kishte humbur shpresat që në momentin kur u nisën për në tempull me një mjet më të ngadaltë se këmbët e njeriut.

-Do të presim. Nuk kemi zgjidhje tjetër. Duhet me patjetër të presim për të parë diçka. Do të jetë hera e parë që do të hyjmë në këtë tempull, kështu që sadopak kohë të qëndrojmë këtu, do të na shërbejë për t'i hedhur një sy nga jashtë. Misteret e tij nuk do të jenë të thjeshta të zbulohen. Të jesh e sigurt për këtë. Do të na duhet kohë. Duhet të vijmë rregullisht këtu, - nuk i pëlqente ky fakt, por e dinin që në fund do t'ia vlente sakrifica.

Ishte në aeroport duke pritur për transferimin e diamantit që të mbërrinte në kasafortën e saj. Ishte në ankth, sepse e dinte se nuk do të shkonte siç duhej. Dhe kishte të drejtë.

Kasaforta qëndronte në duart e atyre që supozohej ta sillnin atë në Indi, por para tyre qëndronte dikush që nuk do të donte ta shihte sërish.

-Përshëndetje Anakhonta! Besoj se nuk më prisje! - qëndronte para saj pa pikën e dyshimit. Ndihej krenare që loja ishte sërish në anën e saj.

-Nuk ju prisja, por as nuk u çudita kur ju pashë. Të them të drejtën, tashmë që ke humbur punën, ke qenë shumë e aktivizuar. Më bëhet qejfi, vërtet, por më vjen keq që nuk mund ta shpenzosh siç duhet mundin tënd, pasi në fund të ditës nuk ke asnjë të drejtë të ndërhysh kur nuk ke një emër, - e dinte se do të ishte e thjeshtë për Elois ta ndiqte, pasi informacionin që ajo mori rreth Uardenit, erdhi po nga i njëjti person nga i cili e kishte marrë vetë. Dhe nuk ishte aspak e befasishme që të merrte nën kontroll personat që ajo kishte përcaktuar për të përfunduar atë punë. Ishte e rrethuar nga njerëz të paaftë.

-Më vjen keq të të kundërshtoj, por tashmë jam në detyrë këtu në Indi. Mendova të zhvendosem këtu për një periudhë të kohës që do të jem larg Uashingtonit. Ide e bukur, apo jo? - Elois ishte vërtet e shpejtë. Ishte e fundit që mori lajmin e largimit të Uardenit, por e vetmja që veproi më shpejt.

-Nuk ke ardhur pa qëllim, apo jo? - mundohej gjithmonë të nxirrte informata nga të tjerët, për interesat vetjake.

-Sigurisht, e dashur! E kush vjen pa qëllim në një vend si ky? Ashtu si ti dhe Uardeni, - dëshironte të dilte drejt e në temë.

-Besoj se e kape objektivin tënd para se të vije këtu. Përgëzimet e mia! - gjithçka që thoshte ishte ironike, pavarësisht se mendonte në atë mënyrë.

-Më lejo të të shpjegoj ofertën time. Është e dukshme që kasaforta në të cilën ndodhet Diamanti i Shpresës është këtu në Indi me ne, me mua. Ndaj një nga qëllimet e tua dështoi. Por nuk je e vetmja. Kam vënë re se je e aftë Anakhonta, përveç kësaj të fundit që nuk ishte veprim me mend të sillje Travenierin në shtëpinë e tij, në Indi. Gjithsesi, po thoja se diamanti nuk ishte  ajo që unë dëshiroja. Ai do të shkojë drejt e në muze, aty ku ishte para se ti ta merrje. Por nëse ti qëndron me mua, ai qëndron me ne, - ishte e sigurt që do të pranonte. Tek e fundit kishte kohë që kërkonte për një bashkëpunëtor.

-Ti dhe unë? - filloi të qeshte me të madhe, -Nuk e di pse, por thjesht ideja më bën për të qeshur. Dhe si ma garanton ti këtë? - ishte kureshtare të dëgjonte më shumë.

-Dëshiroj të ndaloj planet e mëdha, - vazhdoi të shpjegonte, -Me një fjalë, Uardenin dhe planet e tij.

-S'kisha dyshime për këtë. Dhe çfarë kërkon nga unë? - e dinte se të humbiste Travenierin sërish nuk ishte diçka pozitive, por duhet të priste për përgjigjen e saj.

-Më duket se nuk e bëra të qartë Anakhonta. Nëse qëndron me mua do të jesh shumë larg rrezikut. Nuk do të kesh pengesa apo forca që të ndjekin. Por në shkëmbim duhet të më japësh çdo informacion të mundur rreth Uardenit dhe miqve të tij, për ta ndaluar atë. Ti më çon tek ai, dhe unë tek diamanti. Isha e qartë? - po mundohej ta bënte sa më të lehtë situatën dhe sa më të kuptueshme, në mënyrë që ajo të ishte dakord.

-Në rregull, Elois! Si të thuash ti. Tek e fundit nuk ndryshojmë shumë nga njëra-tjetra. Thjesht ti qëndron gjithmonë në anën e gabuar. Gjithsesi, shpresoj të bëhet ashtu siç the. Në të kundërt nuk do të jetë e thjeshtë për asnjërën nga ne, - e dinte se nuk mund të besonte një person si Elois, ndaj nuk do të ishte shumë vetvetja derisa të merrte diamantin dhe ajo Uardenin.

-Të jesh e sigurt Anakhonta! Nuk do të zhgënjehesh nga partneriteti ynë. Në fund do të mbetemi të dyja të kënaqura, - ishte e pamundur t'i besonte një krimineleje. Shpresonte thjesht që kjo të ndihmonte.

Kishte kaluar rreth 1 orë që kur kishin arritur, dhe më në fund turma e pafund u zhduk. Ndiheshin të lehtësuar që do të hynin tashmë, pasi do të ishte një plus i madh për ta vetëm ideja që shkelën në atë tempull.

-Erdhi koha Vin'nila! Le të shkojmë! Henlej, bën mirë të qëndrosh këtu. Nuk dua të futesh në telashe për shkakun tonë. Nëse diçka ndodh, do të jetë e gjitha në duart tona. Ti mjafton të na lajmërosh për çdo gjë. Disa nga njerëzit këtu të njohin, sado të pakët të jenë ata. Mos mendo se do ta kesh të lehtë më pas. Ndaj do të të lutesha të ndaloje këtu dhe të na prisje. Do të kthehemi shpejt! - Uardeni ishte i shqetësuar për të. Dëshironte që të vazhdonte jetën e tij pa asnjë pengesë, pasi ishte i sigurt që ai nuk e meritonte të jetonte në rrezik. Ndryshe nga Vin'nila që qëndron pranë Uardenit, Henlej nuk do të kishte ndonjë përkrahje në Indi që të mund të shpëtonte nga rreziqet.

-Në rregull! Do t'ju pres këtu! Bëni kujdes! Dhe mos harroni, mos flisni. Nuk duhet ta kuptojnë që nuk jeni vendas. Mos flisni me priftin apo kushdo qoftë brenda. Thjesht falsifikoni një lutje dhe ndiqni ato lëvizje që do të bëjmë të tjerët. Ndërkohë që ata luten, jeni të lirë të veproni. Shihni përreth dhe mësoni atë që kërkoni. Paçi fat! - e preku në sup dhe i buzëqeshi. Kaloi dhe përqafoi Vin'nilën, -Po ju pres! - i pëshpëriti dhe i lejoi të largoheshin.

Kaluan korridorin e ngushtë dhe të gjatë mes kollonave të gjata dhe strehës lart kokave të tyre, për të hyrë në tempull. Brenda ndodheshin një çift dhe një vajzë e vetme, veç priftit që herë-herë vinte e herë-herë shkonte në godinën ngjitur.

-Uarden! Uarden! - e ngacmoi me zë të ulët për ta lajmëruar, -Duhet të heqësh këpucët!

Shfryu i lodhur nga rregullat e shumta në atë vend. Hynë qetësisht brenda për të mos marrë vëmendje. Hapi sytë për të parë rreth e rrotull. Në tavan ishte një derë e vogël e ngushtë, dhe poshtë saj shkallë që lidhnin dyshemenë me tavanin. Ngjitur me idhullin, ishte një derë e vogël, me po të njëjtat përmasa, por e mbuluar me një pëlhurë të hollë. Po mundohej të shihte ndonjë shenjë të diamantit apo ndonjë shenjë që tregonte vendndodhjen e tij, por asgjë. Ishte i mbushur me lule e vazo, idhuj më të vegjël dhe kurora të thurura. Kishte dyshimet e veta që ato nuk qëndronin vetëm për të zbukuruar ambientin, ndaj duhet të shihte më me qartësi.

Vuri re prezencën e priftit në tempull. Mbylli sytë menjëherë për të mos u dukur. Kishte shumë më shumë për të parë.

-Përshëndetje Henlej! - vrapoi drejt tij pasi e pa duke pritur, -Ç'po bën këtu?

-Po pres për Luvernin dhe Vin'nilën të mbarojnë punë në tempull dhe më pas do të kthehemi. Po ti? A nuk më the që nuk do të vije? - ishte i lumtur që po e shihte sërish.

-E di, Henlej! Nuk erdha tek ju. Takova një miken time dhe kur po kthehesha vura re që po prisje këtu. Doja të të thoja se gjeta një shtëpi, në të cilën do të qëndroj këto ditë. Do të doja të isha më afër teje, por s'munda të gjej vend tjetër, - e dinte se ishte më mirë t'i thoshte.

-Mos u shqetëso! - u afrua dhe e përqafoi, -Do të jemi sërish bashkë. Miqtë e mi duhet të jenë këtej rrotull, ndaj do të jemi këtu. Do të kthehem në shtëpinë time pasi të mbarojmë punë.

-Jam e lumtur Henlej! - u shkëput nga përqafimi i tyre, -Më duhet të largohem tani. Po më presin, - e puthi sërish dhe doli sërish në rrugë. Shpesh kthente kokën të shihte vështrimin e tij, derisa u largua plotësisht. Ndihej me fat.

Comment