/̵͇̿̿/'̿̿¯̿̿¯̿̿ 7

Të dy e dinin mirë që Bunch nuk do të ndalonte së kërkuari Eloisin. Dukej qartë se kishte krijuar një besim të verbër tek ajo. Tek e fundit, kush nuk do ta bënte? Ajo ishte e zgjuar, e shpejtë, dhe mbi të gjitha e drejtë. Por ky ishte një problem i pakët në raport me madhësinë e asaj që ata kishin planifikuar të bënin. Me këtë do të mundoheshin të mbanin larg të vërtetën e diamantit fals. Ndaj më e mira që mund të bënin për momentin, ishte që të fitonin besimin e Bunch, dhe Uarden e kishte arritur këtë disa herë. Por këtë herë jo në mënyrë të drejtpërdrejtë.


Mjaftonte thjesht që ai të mendonte se ata ishin të dobët, se nuk mund të shkonin më tej dhe nuk mund të çanin një rrugë të rrethuar nga një drejtor muzeu, që gjysmën e jetës së tij e ka kaluar dhe do të vazhdojë ta kalojë duke qenë një objekt tallës dhe shfrytëzues nga gjithë Uashingtoni, dhe një inspektore policie, që nuk ishte më e tillë.


-Do të largohemi që sot? - ishte pyetja e parë që i drejtoi pasi pa të përgatiste ato çka i nevojiteshin për udhëtimin.


-Jo Vin. Jo derisa të përfundojmë këtë pjesë të planit. Ti e di. Është e vështirë të jesh fantazmë për njerëzit kur je një nga ne. Për momentin, ose janë duke na gjurmuar, ose janë më afër sa ne mendojmë. Nuk do të na lënë të qetë. Një pjesë e Uashingtonit ishte e lehtë falë Anakhontës, por pjesa tjetër e këtij qyteti do të jetë më e vështirë pikërisht prej saj. Ta kam thënë ndonjëherë se pse nuk kam dashur kurrë që dikush të bëjë punën time për mua? - u kthye nga ajo duke pritur për një përgjigje.


-Që të mos marrin meritat e tua?


-Që të mos më duhet të jem në dorën e tyre në të ardhmen. Fakti që ne jemi jashtë falë Anakhontës, më shqetëson jashtë mase. Ndjej se gjithmonë kam lënë diçka pa përfunduar, diçka mangët, që nuk mund ta gjej. Nuk duhet të jemi në duart e saj Vin. Ajo nuk duhet ta dijë se çfarë hapi po hedhim ne. Të dy menduam se na ndihmoi në fillim, apo jo? Epo kjo ishte pjesë e planit të saj mesa duket. Gjithsesi, ajo ende ka diamantin, gjë që nuk do të na lejojë të qëndrojmë larg saj, - kishte kaluar kohë që ditën e tentativës për të marrë Diamantin e Shpresës nga muzeu, dhe ata ende nuk kishin hedhur asnjë hap drejt tij.


-Po sikur mundësia për të bashkëpunuar me të të ishte një mundësi e mirë për ne? - ishte konfuze. Ne ato rrethana do të zgjidhte rrugën më të shkurtër, pavarësisht rreziqeve.


-Qëllimi i saj dihej! Dukej qartë që ajo nuk kërkonte ndihmën tonë në mënyrën që e kërkoi. Ajo thjesht kërkon diçka të vogël prej nesh. Strategjinë. Ajo mund të ketë zgjuarsi dhe dinakëri pa kufi Vin, por ç'e do, se s'është ajo dhelpra. Jemi ne. Dhe për sa kohë ne dimë diçka më shumë se ajo, do të jetë gjithmonë nën ndjekjen tonë. Gjithsesi, kemi diskutuar shumë për rivalët tanë apo armiqtë, si mund t'i quajmë, duke lënë mënjanë faktin se kemi diçka të madhe që na pret diku. Ndaj duhet të përmbyllim diçka të fundit, - mbylli valixhen e dorës, ndërkohë që vishte pallton e gjatë të zymtë dhe dorashkat e lëkurës.


-Të bëhet si themi ne! Në fund të fundit, kësaj rruge nuk i dalim dot pa një rezultat. Ah, Luvern! Të thashë që në fillim që nuk do të jetë aq e thjeshtë sa menduam.


-Do të ishte, - ktheu kokën për të parë vështrimin e saj, - sepse nuk e dija që ekzistonte njëfarë Anakhonte që rezultoi të ishte problem më vete. Ti mos u shqetëso. Nëse ajo ka arritur gjysmën e asaj që dëshironte, ne nuk kemi nisur ende. Dhe më beso se së shpejti shumë më shumë do të jetë në duart tona. Ta them këtë me besim të plotë.


-Po në lidhje me fluturimin e nesërm?


-Nuk ke pse të frikësohesh Vin'nila. Ne jemi njerëz të thjeshtë. Do të jetë e lehtë. Do të jemi atje sa hap e mbyll sytë. Nuk më pëlqen të fshihem, sepse jam i kërkuar. Nuk e fsheh famën, - filloi të qeshte duke parë shqetësimin e saj në fytyrë, që sa vjen e bëhej më i madh, -Vin, dëgjo. Këto kohë nuk ke qenë shumë vetvetja. Më mungon optimizmi yt. Pjesën e udhëtimit ma lër mua në dorë. Detyra jote e fundit këtu është të përmbyllësh kërkesën e zotit Bunch për një siguri më të lartë të muzeut. E di shumë mirë çfarë të bësh, - doli për të kryer punën e sapopërmendur.


-Na duhen njerëz. Njerëz të formuar. Njerëz të besës. Njerëz të duruar, gjithashtu. Tipari i parë që duhet të kesh për të shpenzuar një kohë të mirë të ditës me Bunchin, është durimi. Sa më shpejt të jetë e mundur, aq më mirë do të ishte. Uashingtoni do të jetë në duart tuaja kur ne të largohemi nesër. Do të takohemi afër muzeut për t'ju dhënë identifikimet e rreme, - mbylli telefonatën dhe u nis për në destinacionin e përmendur.


Nuk është e lehtë që çdo lëvizje, çdo plan perfekt, çdo hap përpara ose prapa për të kryer diçka të madhe, të mendohet dhe veprohet shpejt, edhe nëse duket e tillë në një situatë të caktuar. Është e vështirë të gjesh dikë të besuar ditët e sotme. Dikë që nuk do të ndërronte krah, edhe nëse do t'i ofrohej nga jeta një mundësi më e mirë dhe më e lehtë. E ulët është ajo përqindje, duke shkuar deri në 0. Por të mos harrojmë që ka edhe numra më të vegjël se aq.


Edhe pse nuk ishte në momentet më të parapëlqyera të mundshme, arrinte të kishte po të njëjtën qetësi. Gjithçka që i duhej ishte të priste, sepse pjesën tjetër, derisa të vinte rradha e saj, do ta kryente dikush, që kishte po të njëjtat aftësi me të sajat. Por pritja për të nuk ishte e lehtë. Shpresonte të përfundonte sa më parë të ishte e mundur, në të kundërt do t'i duhej të vepronte para se plani ta thoshte këtë.


U përpoq të frenonte, por nuk ishte momenti. Një tjetër makinë fatkeqe e shformuar nga kollona e parme e derës së hyrjes në oborrin e muzeut dhe një tjetër zhurmë alarmante, që do të zgjonte institucionet që mbronin muzeun nga gjumi.


-Më vjen keq, por me urdhër të policisë duhet t'ju heq qafe. Mos u shqetësoni për muzeun! Do të jetë në duar të sigurta, - nuk priti të dilte nga makina për të eleminuar disa shtesa të panevojshme.


-Nuk ishte e nevojshme ta bëje këtë Vin. Tek e fundit ata ishin thjesht duke bërë detyrën e tyre, - dëshironte të mos bënte shumë zhurmë, por dukej sheshit që Vin'nila e kishte vendosur rrëmujën në qendër para se ai ta përmendte.


-Në anën e gabuar! - theksoi, -Ata nuk do të mbijetonin gjithsesi. Njerëzit tanë do të bëjnë një mbrojtje më të sigurt të muzeut. Mjafton thjesht që të kenë mbaruar punë deri tani. Duhet të largohemi prej këtush. Kaq ishte puna jonë. Mirupafshim njerëz! - tha këtë të fundit me një ton më të lartë të zërit.


-Vin'nila, a je në rregull? Nuk po më dukesh shumë vetvetja, - dukej i shqetësuar për të. Ishte ndryshe nga herët e mëparshme.


-Thjesht duhet të largohemi! - u mundua të nxirrte makinën sërish nga ai lëmsh i krijuar, -Mos... Mos më thuaj që nuk do të vish! - imitoi një fytyrë të mërzitur dhe më pas filloi të qeshte me të madhe.


-Vin'nila, cili ishte plani yt? - e pyeti me një ton më serioz se ai i pari.


-Të kërkoja vëmendje, që policia të vinte këtu dhe të mos iu kushtonte shumë rëndësi identifikimit të miqve tanë që do të qëndrojnë në këtë muze për ta mbrojtur atë. Dhe të eleminoja të tjerët, që të mos kuptohej se ata ishin policë të rremë. Ka ndonjë gjë që nuk shkon Uarden? - foli ngadalë duke pritur një përgjigje nga ai.


-Dhe çfarë bëre para kësaj? Vin, e kupton që nuk kemi kohë për pengesa të tilla? Kemi mjaft. Pse ke pirë kaq shumë? - nuk po dinte si të vepronte. Kishte zgjedhur momentin e gabuar.


-Pak! - filloi të qeshte sërish, këtë herë me ton të ulët dhe me ndalesa.


-Duhet të largohemi! Do të na kapin! Vin'nila! Kemi një udhëtim për të bërë nesër dhe sot supozohej të bënim përgatitjet.


-Do largohemi? Po ne sapo erdhëm! As makina nuk dëshiron të shkojë sërish në shtëpi.


-Kthjellohu! - në pamundësi për të bërë diçka të momentit, i kapi dorën duke dalë nga makina, dhe filloi të vraponte, -Shpejt! Të arrijmë atë makinën atje! Nxito!


-Por pse atë makinë? A nuk ishte e zezë makina jonë? - ecte ngadalë duke mos i kontrolluar dot këmbët.


-Hyr brenda!


I dha marshit dhe u largua me sa shpejtësi të mundej, edhe pse ende nuk po i ndiqte askush.


-Je në rregull Vin? - ktheu kokën për një sekondë të shkurtër për të parë gjendjen e saj. Vërtet e shqetësonte fakti që ajo nuk ishte e kthjellët, dhe akoma më shumë arsyeja se pse e kishte bërë. Pasi pa që sytë e saj ishin mbyllur dhe trupi i saj kishte rënë në qetësi, ktheu kokën sërish para dhe shpejtoi për të arritur sa më shpejt në vendin ku do të qëndronin për t'u përgatitur për të nesërmen.


Gjithë kjo rrëmujë dhe ende nuk kishin arritur në pikën kulmore, në pikën që do të krijohej po e njëjta rrëmujë, por shumëfish më e madhe dhe më e zhurmshme.

Comment