/̵͇̿̿/'̿̿¯̿̿¯̿̿ 22

Kishte kohë që priste mëngjesin. Makthet dhe ëndrrat paralajmëruese nuk e kishin lënë të qetë edhe në gjumë. Vendosi të ngrihej sapo zbardhi, për ta përfunduar atë punë njëherë e mirë. Kishte dyshime. Hodhi në kurriz çantën dhe nxitoi të dilte. Ishte e pasigurt për atë që kishte vendosur të bënte. Po ndihmonte rivalët e saj, të cilët e kishin refuzuar disa herë, por e dinte mirë se gjithçka po bënte, ishte për hir të Henleit.

Nuk kishte fjetur gjatë gjithë natës duke menduar rreth asaj që kishte thënë. Ishte vërtet budallallëk. Nëse shtëpia do të ishte djegur, do të ishte marrë vesh nga çdo institucion, përfshirë policinë e atij vendi. Tani do t'i duhej të kurdiste diçka të re për një ditë të re, pasi nata e shkuar nuk i erdhi në dobi të çastit. Nuk e dinte se si kishte pritur me orë të tëra, por ishte i sigurt që nuk do të priste asnjë minutë më shumë. U ngrit nga krevati, duke shkaktuar një dridhje të pllakave me shputë.

-Qenke zgjuar herët, - dëgjoi zërin e saj dhe ktheu kokën për ta parë. Dukej të ishte e rraskapitur. Kishte kohë që nuk bënte një gjumë të tillë.

-Nuk mund të prisja. Ti më njeh shumë mirë Vin'nila. Nuk do të prisja Diellin t'i zinte vendin Hënës për të nisur nga mendimet. Sot është një ditë e madhe. Kështu shpresoj. Duhet të kontaktojmë me Anakhontën sa më parë. Shpresoj që edhe ajo të jetë në anën tonë pas së gjithash. Për sa kohë ajo nuk e dinte që Henlej ishte vëllai yt, besoj se gjithçka mes tyre ka qenë e vërtetë. Ndaj do të bënte gjithçka për ta rifituar atë, a nuk mendon edhe ti kështu? - gjithçka që thoshte, i drejtohej fytyrës së saj të përhumbur që shihte vazhdimisht të njëjtën pjesë të murit.

-Po! Le të shpresojmë! - dukej sheshit që nuk ishte me këmbë në tokë në ato momente. Reagimet e saj ishin të shkurtra dhe të prera, si të jepte mendim për diçka të pavlerë.

-Atëherë, të bëhet si themi ne, - këtë e përmendte shpesh. I pëlqente ta besonte më shumë se ta thoshte.

Dëgjuan sërish hapa të ngadaltë të vinin drejt qelisë së tyre. Ishin mësuar me atë tingull tashmë, ndaj nuk ishte asgjë e re për ta.

-Luvern Uarden dhe Vin'nila, keni vizitorë, - nxitoi t'iu jepte lajmin. Nuk kishte kohë për më shumë, ndaj hapi qelinë dhe bashkë me një punonjës tjetër të policisë mori Uardenin dhe Vin'nilën për t'i çuar në dhomën e takimit.

-Thua të jetë Henlej? - po shpresonte të ishte ai, por nga ana tjetër ndihej sikur nuk do ta shihte më kurrë. I dukej sikur ishte larguar tutje pa kthim pas.

-Të shpresojmë, - e dinte shumë mirë se ishte e pamundur ta shihte pikërisht atë të ulur në atë tavolinë, ndaj nuk po motivohej në masë të tepërt. Thjesht kërkonte të ishte diçka që do t'ia vlente.

Pasi kaluan disa nga korridoret e atij vendi, para syve të tyre u shfaq një dhomë e madhe me disa tavolina dhe karrige rreth tyre, në të cilat ishte e qartë që uleshin ata që kishin lënë një takim me një nga të burgosurit. Vendi ishte i rrethuar nga sigurime, duke mos përmendur kamerat që ndodheshin në çdo qoshe të mundshme, duke bërë të mundur të mos fshihet asnjë insekt i vogël që sillej herë-herë vërdallë.

Dhe pikërisht në njërën nga ato tavolina, panë atë. Nuk ishte e para që prisnin, por padyshim ishin në kërkim të një kontakti me të prej kohësh. U ulën pranë saj, duke i lënë hapësirë të niste bisedën.

-Pra, ja ku jemi, - tha si me gjysmë zëri. Ai lloj takimi ishte bërë disa herë.

-Këtu! - po priste të shpjegonte arsyen pse kishte ardhur.

-Nuk isha e sigurt nëse duhet ta provoja sërish, por ja ku jam. Prapë para jush, duke iu kërkuar për bashkëpunim. Këtë herë në ndihmë të planit tuaj, - duhet të dilte drejt e në temë.

-Kërkon ndonjë gjë nga ne? - si të mos kishte menduar asgjë për bashkëpunimin midis tyre, lejoi që të ishte sërish ajo, që të tregonte rreth situatës.

-Është e dukshme, - nisi të shpjegojë. Pa rreth e rrotull dhe pa dashur të duket vuri re Eloisin që po i vështronte. Ajo e kishte marrë vesh për vizitën e saj. Pas kësaj, e pa të afrohej drejt tyre, gjë që nuk i pëlqeu aspak.

-Shoh të keni vizitorë, - ndërhyu ajo, -por më vjen keq t'ju lajmëroj se Uardeni duhet të vijë me mua. Kemi diçka për të biseduar rreth familjes së tij në rrezik, apo jo Uarden? - ktheu vështrimin nga ai për të pritur një përgjigje. Të njëjtin reagim patën edhe Vin'nila me Anakhontën, të cilat nuk po e kuptonin saktësisht ardhjen e Eloisit.

-Po sigurisht! - u ngrit nga tavolina dhe vendosi të shkojë me të, ndërkohë që iu hodhi një vështrim me të cilin mundohej t'iu tregonte të vazhdonin bisedën ndërkohë që ai mbante të zënë Eloisin.

-Seriozisht e kishte ajo? - iu drejtua Vin'nilës pasi të dy u larguan.

-Nuk e di. Ndoshta ishte justifikim, - ngriti supet duke qenë e painformuar.

-Atëherë, - u mundua të fokusohej, -kthehemi tek arsyeja e ardhjes sime këtu. E di që nuk më prisnit sërish pas gjithë atyre refuzimeve.

-Të them të drejtën Luverni s'ka vënë gjumë në sy gjithë natën, sepse nuk mund të priste mëngjesin për të kontaktuar me ty. Pra, me pak fjalë, po, po të prisnim. Tani na e thuaj ti pse vendose t'i jepje fund pritjes së tij, - ishte kureshtare të dëgjonte së çfarë kishte për të thënë, por nuk e dinte se gjithçka që ajo do t'i tregonte në vazhdim, do të kishte më shumë rëndësi se vetë plani i tyre.

-Si fillim, Elois ka Travenierin! Kështu që vërtet kemi nevojë për njëri-tjetrin në këto momente, - filloi me temën.

-Çfarë? - thirri si të kishte marrë vesh që jeta e saj përfundonte aty. Ishte një reagim i pritshëm nga ana e saj. -Por si?

-Pak rëndësi ka kjo. Ajo çka vërtet duhet të të interesojë për momentin është se e kam kuptuar vizitën tuaj në tempullin nga i cili ka dalë Diamanti i Shpresës. Po kërkonit për diamantin binjak, apo jo? - ndihej më e lirë tani që kishte filluar diskutimin.

-Nga e di ti? - filloi të ndihej konfuze.

-E di që për momentin po mendon se gjithçka e kam marrë vesh nga Henlej, por jo e dashur. Vërtet e dija që ishte miku juaj, por thjesht miku, asgjë më shumë si ajo e lidhjes së gjakut apo afrimitetit. Vijmë nga e njëjta frymë Vin'nila. Kemi të njëjtin qëllim. Mendoni se s'më kishte vajtur në mendje kurrë të kërkoja për atë diamant? Thjesht imagjinoje vlerën që mund të këtë! - kur fliste për të, një dëshirë e madhe për të vazhduar sa vinte dhe i rritej më shumë. -Ndaj, pasi kuptova se ju i ishit futur asaj rruge para meje, gjë që e kuptova vonë pasi gjithçka kishte marrë fund, bëra disa kërkime nga kureshtja, të cilat dolën të ishin vërtet të vlefshme. Do të të interesojë të më dëgjosh dhe shpresoj që po të njëjtat fjalë të përcillen edhe tek Uarden.

Ajo pohoi me kokë duke i lënë të dukshme që duhet të vazhdonte të fliste. Kishte shumë për të dëgjuar.

Ai nuk e dinte se cila do të ishte lëvizja e rradhës. Ishte kaq kureshtar se çfarë po ndodhte ndërkohë që ai nuk ndodhej pranë tyre, dhe i dukej e pamundur të vazhdonte të duronte një padurim të tillë. Kishte gjithë natën që priste, dhe budallallëku që kishte nxjerrë nga goja pikërisht atë natë, do ta detyronte të priste edhe një kohë të mirë të ditës në vazhdim.

-Pra, më thuaj Uarden. Ku ndodhet familja jote e rrezikuar nga zjarri? Po fëmijët e tu? - i pëlqente të bënte lojëra fjalësh, edhe pse dëshironte të kuptonte sa më shpejt arsyen se pse kishte gënjyer për të përfituar një telefonatë.

-E ç'rëndësi ka tani? Nëse do të ishin të vërtetë do të ishin bërë shkrumb e hi prej kohësh bashkë me shtëpinë e ç'ka brenda. Kjo është policia e këtij vendi, - ishte i sigurt që Elois nuk dyshonte aspak që ai kishte mashtruar rojën, prandaj mendonte se ishte e kotë të shpjegohej me të.

-Nëse do të ishte e vërtetë do t'i kishim kushtuar rëndësi! Por për sa kohë ishe ti ai që kërkoje të telefonoje gruan tënde të dashur në rrezik, nuk e bëra të madhe pasi më njoftuan, pasi isha e sigurt që ishte një nga trillimet e tua të pavlefshme. A nuk të duket i shëmtuar fakti që ndodhin situata të tilla reale dhe ti i përdor ato për të mashtruar një rojë? A nuk duhet të ndihesh me fat që nuk ishte e vërtetë? - ndonjëherë nuk i besohej se deri ku mund të shkonte ai njeri.

-Mos më thoni që do të më rritet dënimi, vetëm sepse kam sajuar një situatë të tillë dhe ju u prekët sepse ndodh në realitet, - vërtet i dukej qesharake.

-Mos u shqetëso Uarden. Nuk ka nivel më të lartë se përjetësia. Nuk mund të rritet dënimi, pasi aktualisht është në shkallën maksimale, - i pëlqente kur e përmendte.

-Jo, e dashur, ka. Ekziston periudha pas jetës, - nënqeshi dhe u ngrit të largohej për t'i dhënë fund asaj marrëzie.

Comment