/̵͇̿̿/'̿̿¯̿̿¯̿̿ 39

-Jam kureshtare të di se si arrite ta mbaje të fshehtë nga ne se si Bemniani nuk ishte armiku ynë, - ishte ende e inatosur, por i duhet të mendonte për të tjera gjëra. Ndërkohë që ecnin të humbur mes një vendi të panjohur si ai, mundoheshin të jepnin shpjegim për gjithçka kishte ndodhur.

-Epo, e para, nuk ishte aq e vështirë, dhe e dyta, asgjë nuk ishte planifikuar në këtë mënyrë. Gjithmonë kur ti flisje me Henlein, unë zhdukesha për të takuar Bemnianin dhe për të vazhduar me planin dhe rrjedhën e tij. Nëse e shihni jemi në mes të askundit, - Uardeni, përveçse i frikësuar se pas së gjithash nuk do të gjente gjë në atë vend, ishte i emocionuar për të qenë njeriu i parë që e shikon atë gur pas kaq shumë shekujsh.

-A ka ndonjë gjë tjetër që nuk e dimë? - duhet t'iu jepnin fund sekreteve, apo të tjera informata që nuk mund të quheshin të tilla.

-Fillimisht më lejo të të them se më dukesh shumë e ftohtë këto ditë. Ka ndodhur ndonjë gjë? - nuk kishte asgjë për të shmangur, por ndonjëherë bëhej vërtet kureshtar.

-Jo, - ishte ende para tyre dhe ecte ku të mundej, vetëm për ta kaluar gjithë këtë njëherë e mirë.

-Atëherë në lidhje me pyetjen... Nuk kam asgjë për të shtuar. Ajo çka ka rëndësi është të gjejmë atë shpellë dhe të shpëtojmë njëherë e mirë. Marrim diamantin dhe ia mbathim, - ishin shumë afër mrekullisë, ose shumë afër dështimit.

Ata thjesht e injoruan faktin se ai kishte kaq shumë shpresë se do të arrinte diçka. Iu dukej sikur po e bënin të gjithën për argëtim, dhe se nuk kishin një qëllim të saktë për të cilin kishin shkuar në atë vend. Para se të mendonin më shumë se kaq, dëgjuan sërish hapa të vinin drejt tyre. Por këtë herë më të shpejtë dhe më të rëndë.

-Qetësi! Po vjen dikush, - u kthye për t'u siguruar.

-Ose diçka, - pas kësaj vazhdoi rrugën si të mos i interesonte fare se çfarë mund të dilte nga momenti në moment, -Unë po shkoj të gjej diamantin. Paçi fat!

-Bemnian, prit! - e kapi për krahu dhe priti derisa të shfaqej sërish dikush. Skena të tilla po fillonin të bëheshin të zakonshme për ta. Pas disa minutash qetësi, filluan të mos dëgjonin më asnjë lëvizje.

-Do ketë qenë ndonjë kafshë e egër. Më mirë vazhdojmë, - para se të largoheshin dëgjuan një zë të vinte nga drejtimi që dëgjoheshin lëvizjet pak më parë.

-A mund të më ndihmojë dikush me këtë? Është shumë e rëndë! - u ul i rraskapitur nëpër gjethet e gjelbëra që kishin rënë në tokë.

-Henlej! - brohoriti dhe vrapoi drejt tij e lumtur, për ti dhuruar një përqafim. -Më kishte marrë shumë malli. A je mirë?

-Edhe mua Vin. Edhe mua. Përveç faktit se m'u desh një fuqi e tërë për ta sjellë këtë deri këtu. A mund ta di pse është kaq e rëndë kjo kasafortë kur brenda ka diçka shumë më të lehtë? - iu drejtua Anakhontës, e cila nuk ishte e sigurt se si duhet të vepronte në ato momente.

-Që të mos arratisesh dot me të, por mesa shoh unë, ja ke dalë mbanë, - u afrua gjithashtu për një përqafim.

-Kush është ky tipi që e duan kaq shumë? - iu drejtua Uardenit.

-Nuk ka rëndësi se kush është, por se çfarë ka arritur të marrë, - i entuziasmuar shkoi pranë Henleit për ta përgëzuar për punën e kryer.

Ajo u përkul për të vendosur fjalëkalimin e kasafortës, për ta hequr qafe atë kuti të rëndë dhe për ta parë edhe njëherë Tavernierin, pas kaq shumë kohësh. Hapi derën e vogël me kujdes, dhe pa se si një diamant si ai mbartte po të njëjtin shkëlqim si më parë pas gjithçkaje që kishte kaluar.

-Është i mahnitshëm! - pëshpëriti.

-A është hera e parë që po e sheh kaq afër? - Uardeni ndihej krenar që kishte arritur të merrte një gur me një vlerë të tillë kohë më parë.

-Megjithatë, kam një lajm të keq, - nuk mund të rrinte pa i paralajmëruar.

-A mund të na lejosh dy sekonda më shumë për ta admiruar? - e dinte që nuk kishin kohë, por e kishte marrë malli për atë gjë të vogël.

-Elois po vjen për ne. E di që e drejtova nga Meksika, por mendoj se më ka ndjekur, - kishte gabuar diku, por nuk ishte profesionist në këtë fushë.

-Dhe ja ku vjen momenti i zhgënjimit. Por mos u shqetëso! Do ta heqim qafe. Meqë morëm vesh një lajm të tillë, a mund të vazhdojmë? Shpella është vetëm disa metra më larg, - kishte frikë se nuk do të arrinte në kohë. Ishin pesë veta tashmë, dhe një gur. Pesë veta dhe një diamant duke kërkuar për binjakun e tij.

Jo shumë larg, ashtu siç Uarden tha, u shfaq një shpellë gjigande, që më shumë i ngjante një shkëmbi të tillë, i zhveshur dhe kryesisht prej guri.

-Ja ku po vijmë, - kapi dorën e tij dhe i drejtoi një fytyrë të ëmbël, që rrallë e shihje në karakterin e saj. Ndihej gjithmonë si Venera dhe jo si Anakhonta kur ishte pranë tij. Ai thjesht bëri të njëjtin veprim për t'i treguar se ishte aty me të.

Shpella kishte vetëm një rrugë. Ishte e drejtë dhe e qartë, pa asnjë lloj rreziku të dukshëm dhe kjo i bëri të dyshonin nëse kishin hyrë në vendin e duhur. Nëse ishte aq e thjeshtë, a nuk do ta kishin gjetur lakuriqët e natës deri në atë kohë një gur që ndriçonte aq shumë? As për këtë nuk ishin të sigurt, pasi nuk po shikonin asnjë shkëlqim të dukej në "dhomën" në të cilën po i drejtonte ajo rrugë.

Rruga ishte e shkurtër. Pas saj ndodhej një zgjerim total i vendit, duke krijuar një dhomë madhështore, e rrethuar nga muri shkëmbor i shpellës. Ishte krejtësisht boshe. Mund të shikoje një shkëmb të ngritur në mes të dhomës, një vend perfekt për të mbajtur një gur të tillë, por asgjë nuk po i befasonte si nëpër filma. Diamanti nuk ndodhej aty, dhe për më tepër ishte pothuajse e qartë se nuk ndodhej në asnjë cep të atij vendi, sepse në të kundërt, do të dukej ndopak.

-A është vetë jeta duke u tallur me ne, apo çfarë? - nuk mund të ishte më i zhgënjyer.

-Ju thashë që nuk do të kishte asgjë këtu, - nuk ishte aspak e befasuar. Pavarësisht kësaj, kishte një shpresë të vogël që u shua që në momentin që hyri në atë vend.

U përkul e inatosur për të marrë një gur në madhësinë e pëllëmbës së saj, dhe e flaku tutje. Ishte qetësi. Asgjë e pazakontë. Përveç zhurmës që lëshoi guri që ajo e përdori për të shfryrë nervat. Të gjithë panë drejt tij. Tingëlloi si të ishte i bërë prej qelqi, dhe kjo nuk mund të ishte e zakonshme për një copë të vogël shkëmbi.

-Mos po tallesh gjë? - vrapoi më i lumtur se kurrë. Përmasat, forma. Tingulli që nxorri. Vendi. Vetëm ngjyra e tij nuk përputhej. U afrua ngadalë dhe e ngriti nga toka. Po e vështronte, ende jo i sigurt nëse ishte ajo që po mendonte.

-Çfarë ka? - u afrua e konfuzuar. Nuk po i kuptonte sjelljet e tij. Më shumë po e frikësonte.

Për pak çaste nuk u përgjigj. U ul, mori një tjetër gur dhe filloi të hiqte shtresën e sipërme të tij. Ishte ai. Diamanti i humbur. I zhdukur që në shekullin e 16 dhe i njohur si jo ekzistent. Diamanti binjak i Tavernierit nuk ishte një përrallë. Ishte i vërtetë. Dhe pas kaq shumë kohësh, ishte në dorën e tij. Ia kishte dalë mbanë.

-Është diamanti! - brohoriti dhe vrapoi drejt të tjerëve për të festuar. Nuk mund ta besonte. Ndjesia që po i krijohej brenda trupit, kur gjithçka po shkonte keq, i kishte kthyer jetën në një tjetër dimension.

-A je i sigurt? - nuk mund të ishte e vërtetë.

-Si nuk e menduam më parë? Diamanti kishte nisur procesin e fosilizimit. Një shtresë e ka mbuluar shkëlqimin e tij duke bërë të mundur të duket si një gur krejt normal. Prandaj askush nuk ka arritur ta gjejë më parë. Koha është një gjeni! - nuk kishte qenë kurrë më i lumtur.

Të pestë nuk mund ta besonin se çfarë ishte duke ndodhur. Mund të dukej e pamundur. Njëkohësisht, mund ta ndienin lidhjen energjike që kishin diamantet me njëri-tjetrin. Para se të përfundonin festimin për arritjen e tyre, panë Eloisin të vraponte drejt tyre, bashkë me disa trupa të tjerë policorë.

-Dorëzohuni! - ishte e inatosur. Fakti se Henlej e kishte gënjyer, nuk i pëlqeu aspak.

-Marrëveshja nuk ishte e tillë, - u afrua pranë saj me qetësi.

-Ti e prishe atë marrëveshje Henlej. Përveçse më drejtove për në Meksikë, more Tavernierin nga unë. Nuk duhet ta kishe bërë këtë! - nuk e dinte se si do të vazhdonte. -Më jep diamantin nëse dëshiron që kjo marrëveshje të vazhdojë dhe të përfundojë këtu.

Ai pa i pasigurt drejt Uardenit dhe Bemnianit. Ky i dyti ishte gati të thoshte jo.

-Është zgjedhja jote Henlej. Do të jem dakord për çdo vendim që do të marrësh, -Uardeni e kuptonte se sa rëndësi kishte kjo për të. Ndonjëherë duhet të heqësh dorë nga disa gjëra që kanë më shumë vlerë.

-Jam dakord! - pohoi ai, -Por me kushtin për të cilin folëm.

-Ti më jep Tavernierin, dhe largohesh bashkë me Vin'nilën prej këtush, të sigurt, - kjo ishte ajo çka përmbante marrëveshja e tyre, por nuk mund të ishte aq e thjeshtë.

-Të pestë ne! Të japim Tavernierin dhe largohemi të pestë! - ishte i vendosur, por nuk e dinte nëse do të funksiononte.

-Henlej ti e di që kjo është e pamundur, - po mundohej të mendonte për zgjidhjen më të mirë.

-Tavernieri do të jetë në duart e tua dhe siç e shikon, në këtë vend nuk ka asgjë. Asgjë që mund të ngjajë më një diamant me vlerë aq të madhe, apo jo? Atëherë, për momentin nuk ke asnjë arsye për të marrë ndonjërin prej nesh. Na lejo të largohemi nga ky vend, që të mund t'i qëndroj besnik planit. Mund të thuash që u arratisën, u larguan, nuk më bën aspak përshtypje. Pas kësaj, mund të bësh ç'të duash, - do ta bindte në një mënyrë a në një tjetër.

-Më beso që nuk do të doja kurrë ta bëja këtë, por po më detyron, - u afrua më shumë me ta, njëkohësisht edhe trupat policorë. -Ti më dorëzon Tavernierin dhe unë ju lë të lirë të gjithëve. Ndoshta ty dhe Vin'nilën nuk do ta shqetësoj më rreth kësaj teme, por për të tjerët nuk të premtoj gjë, - hodhi një shikim të vrazhdë drejt tyre. Të gjithë ishin lodhur nga kjo situatë.

Nxorri diamantin shkëlqyes dhe e vendosi në dorën e saj. Ishte sërish i saji.

-Faleminderit! - tek e fundit, ndihej me fat që kishte arritur ta bindte. Në një mënyrë të çuditshme, i kishte shpëtuar të gjithë. Për momentin.

-Mund të vini me ne. Ti dhe Vin'nila dua të them. Mund t'ju shoqërojmë deri në Indi, - mbajti një fytyrë neutrale.

-Edhe Venera do të vijë me ju, - ngriti zërin për t'iua theksuar, -Erdhi koha t'i japim fund Vin. Ti ndjek rrugën tënde, dhe unë timen. Nuk dua të të fus më në telashe të tilla. Unë jam tjetër person. Nuk mund të rrish pranë meje përgjithmonë. Ti duhet të kesh plane për të ardhmen. Je ende në kohë për t'u kthyer, - edhe pse e urrente që po e thoshte këtë, i dukej e drejtë.

-Uarden... - i dukej e pamundur të shkëputej prej aventurave të tyre.

-Më beso Vin'nila, është më e mira për të gjithë, - i dhuroi një përqafim dhe i buzëqeshi lehtë. Nuk do të ishte hera e fundit që do të shiheshin.

-Do të dëgjojmë prej jush! Atëherë besoj se ka ardhur koha. Dhe paç fat! - Venera e dinte që rrugëtimi i tij nuk përfundonte aty. Sapo kishin bërë zbulimin më të madh të kohërave, edhe pse po e fshihnin për momentin. Pas kësaj iu bashkua Henleit dhe Vin'nilës, ndërkohë që Uarden dhe Bemniani kishin të tjera plane.

Kur ishin larguar mjaftueshëm nga njëri-tjetri, i dërgoi një mesazh të shkurtër Vin'nilës:

Ju presim në Uashington për të festuar fitoren tonë të fshehtë. Një pastrim i vogël do ta ndihmonte shumë. Është i yni!

Si përfundim, Tavernieri do të gjente paqe në shtëpinë e tij, ndërkohë që diamanti tjetër do të vazhdonte të qëndronte i zhdukur edhe për shekujt në vazhdim për të tjerët, por jo më si një fosil në ishujt e thellë të Indisë, por i sigurt në duart e Luvern Uarden.

FUND

Comment