/̵͇̿̿/'̿̿¯̿̿¯̿̿ 17

Nuk kishin ndaluar së vrapuari për minuta të tëra, dhe nuk e dinin se kur do të largoheshin njëherë e mirë, pasi ishte e qartë se askush nuk po dorëzohej. As ata, as Elois. Shpresonin që ky makth të përfundonte sa më parë të ishte e mundur. Për sa kohë Elois ishte e vendosur që nuk do t'i lejonte të largoheshin, do ta kishin të vështirë.

-Vin, je mirë? - ishte i shqetësuar për të. Duhet të largoheshin sa më shpejt që ajo të shpëtonte nga ajo plagë.

-Mirë, mirë! - nga ana tjetër mundohej të fshihte dhimbjen që ndiente. Nuk do të donte që të dështonin për shkak të saj.

-Mos u shqetëso Vin! Gjithçka do të rregullohet. Mjafton t'ia mbathim nga ajo. A mund të largohet? - u ankua, ndërkohë që ndalonte herë-herë, sepse nuk mbushej me frymë mjaftueshëm.

-Jam e sigurt për këtë! - u shkëput dhe qëndroi për disa sekonda pa lëvizur. Sa më shumë kohë të kalonte, aq më e madhe bëhej dhimbja për të, por kishte duruar dhimbje më të mëdha.

Ishte mesditë. Ajo pjesë e ditës që shërben si çlodhje apo gosti. Por në ato momente thjesht një pjesë e ditës, pjesë e jetës së tyre që pritej prej kohësh.
Nuk i ndiente këmbët. Kishte vrapuar aq shumë, sa periudha kur fillon të lodhesh, kishte kaluar kohë më parë, dhe tashmë ishte mësuar me faktin që ishte në lëvizje gjatë gjithë kohës, duke luajtur me jetën e tij.

-Ajo nuk po duket! Luvern, të lutem të pushojmë për pak! - zemra i rrihte fort, dhe kishte frymëmarrje të shpejtë. Nuk e dinte se deri kur do të rezistonte në atë mënyrë, por po përpiqej të shmangte çdo pengesë të mundshme për ta, për t'u larguar nga Elois.

-Nuk mundemi Vin! Duhet të largohemi nga pamja e syve të saj plotësisht, - nuk do të ndalonte. Dhe ajo e dinte shumë mirë këtë.

-Të shkojmë tek Henlej! Ai duhet të jetë në shtëpi tani, - nuk mund të mendonte mbështetje tjetër, edhe pse e dinte se ai nuk do ta priste në mënyrën më të mirë gjendjen e saj të rënduar.

-Elois qëndron në të njëjtin hotel me ne! Nëse po thua për shtëpinë e Henleit, është 7 orë larg, dhe nuk do të lejoja kurrë që të qëndroje në këto rrethana për një kohë aq të gjatë, - e kishte të vështirë ta pranonte faktin se nga momenti në moment mund të ishin sërish në fillim, sërish në duart e Eloisit, -Kemi ardhur deri këtu Vin'nila! Nëse do të dorëzoheshim, ta kishim bërë që në fillim. U munduam kaq shumë të largoheshim nga ajo, ndaj nuk do të kthehemi sërish, - ishte gjatë gjithë kohës duke vrapuar e duke ecur kur nuk kishte energji të mjaftueshme.

-Të lutem Luvern, është e pamundur për mua të vazhdoj më tej. Më lër këtu dhe shko. Shpëto nga ajo, - u ul në gjunjë duke shtrënguar fort krahun e lënduar.

U afrua pranë saj duke e tërhequr që të ngrihej. E ndihmoi të ecte deri sa iu afruan një makine të parkuar, pronari i të cilës sapo kishte hyrë brenda.

-Ju lutem na ndihmoni! - thirri si të ishte në gjendje alarmante. Ai nuk e kuptoi, por kur pa Vin'nilën, hapi menjëherë derën e makinës duke dalë jashtë. Iu bëri të qartë se ishin të mirëpritur, por Uarden nuk do ta lejonte të bëhej pjesë e tyre.
Hapi derën e prapme të makinës, dhe ndihmoi Vin'nilën të futej brenda. E shtyu, dhe u ul në sediljen e shoferit. Ngriti supet në shenjë keqardhje për pronarin e makinës, dhe shtypi gazin për t'u larguar sa më shpejt prej atij vendi. Në pamundësi për të vepruar, ai hoqi dorë për të kërkuar makinën e tij mbrapsht.

I kishte humbur sërish. Ishte e disata herë që ata largoheshin, dhe asaj nuk i mbetej gjë tjetër, veçse të priste për rastësinë që t'i takonte sërish. Por ishte e lodhur duke pritur. Ishte e vendosur që do ta përfundonte këtë punë sa më parë të ishte e mundur, në të kundërt do t'i duhej të duronte dhe përjetonte më shumë.

-Nuk duhet të kenë shkuar larg! - u drejtua nga ndihmësit e saj, -Njëri prej tyre është i dëmtuar. Do të ndalojnë në një nga spitalet këtu afër, nëse do të duan të rezistojnë, - ngadalësoi hapin derisa ndaloi plotësisht. I hodhi një sy horizontit duke u munduar të shihte ndonjë shenjë të tyre. Nuk do të hiqte dorë lehtësisht këtë herë.

Kishin pothuajse 30 minuta që ecnin me makinë, pa e ditur se në ç'drejtim po shkonin. Ajo kishe të drejtë. Vin'nila nuk do të qëndronte gjatë e vetëdijshme nëse vazhdonte të humbiste gjak.

-Do të ndalojmë këtu afër. Ke nevojë për përkujdesje, - tha pa lëvizur asnjë qelizë për të kthyer kokën të shihte gjendjen e saj. Nuk ishte i aftë mjaftueshëm për ta bërë. Nuk guxonte, sepse e dinte se nuk do të mund ta duronte dot në atë mënyrë. Gjithmonë i ishte dhimbsur jeta e saj. E njihte mirë. E dinte se pse kishte vuajtur aq shumë, sepse kishte kaluar po të njëjtën jetë. Ndaj e dinte se ishte i detyruar ta mbronte me çdo kusht.

-Jam mirë Luvern, mos u shqetëso! Mjafton të largohemi, - nuk i pëlqente të prishte plane, ndaj do të preferonte të heshtte.

-Do të doja shumë që kjo të ishte e vërtetë, - kishte hequr dorë nga motivimet.

-Luvern, nuk ke pse e bën këtë. Do të rrezikojmë. Ajo do të na gjejë nëse ndalojmë, - insistonte t'i qëndronte besnike planit, edhe pse e dinte se nuk mundej.

-A nuk ishe ti ajo që po kërkoje të ndiheshe më mirë? - ktheu vështrimin nga ajo i acaruar, dhe ajo u ndie fajtore për nervat e tij.

-Nuk dua ta dreqos!

-Atëherë më dëgjo! - kishte kohë që mundohej t'i shpjegonte se nuk do të vazhdonte pa atë, por ajo dukej të mos e kuptonte plotësisht këtë. Ndaj i mbetej vetëm të vepronte, në vend që të jepte shpjegime.

Ndaloi makinën para një spitali të futur në një rrugë të ngushtë. E ndihmoi sërish të dilte, për të shkuar drejt mjekëve, të cilët ishin në dijeni të gjendjes së saj sapo zbriti nga makina. E drejtuan në një dhomë ku qëndronte një mjeke e vetme, pasi Uarden iu kërkoi të mos e bënin të madhe ardhjen e Vin'nilës aty, pasi nuk dëshironte të merrej vesh nga askush. Në fillim, stafi i spitalit dyshoi se Uarden ishte shkaku se pse Vin'nila ndodhej në atë gjendje, por pasi panë shqetësimin e tij dhe mënyrën se si Vin'nila i kërkonte të qëndronte me të, hoqën dorë nga mendimet e rreme.

-Më lejo të të ndihmoj, - zgjati duart për të kapur krahët e saj. E uli në një nga krevatet aty pranë, për ta ndihmuar me plagën, -Je me fat që plumbi ka dalë nga krahu, - tha pasi hoqi dorën e Vin'nilës nga plaga, -Por të ka shkaktuar shumë gjakderdhje, pasi pjesa e krahut e cila është e dëmtuar, ka qenë shumë afër gërvishtjes, por arma ka arritur të kapë një pjesë më të madhe, duke bërë që plumbi të depërtojë në mishin tuaj, - do të përfundonte shpejt me mjekimin e saj, por nuk ishte e sigurt nëse duhet ta lejonte të largohej. Dukej qartë se ishte e pafuqishme dhe nëse vazhdonte të vepronte, do të kishte humbje të ndjenjave të shpeshta.

-Gjithçka do të shkojë mirë, - i shtrëngoi dorën në formë mbështetjeje, -Është koha që të pushosh pak.

-Ju mund të dilni zotëri, - tha ajo duke drejtuar shikimin nga dera, dhe atij nuk i mbetej gjë tjetër veçse ta dëgjonte nëse i interesonte shëndeti i Vin'nilës.

-Luvern, mos u largo! - kishte frikë se e linte vetëm. Nuk dëshironte ta kalonte jetën e saj e ndrydhur nga Anakhonta, Elois, apo kushdo tjetër që mund ta ndiqte. E dinte se mbështetja e vetme në ato momente ishte vetëm Uardeni.

-Do të jem këtu, - mbylli derën duke dalë jashtë.

Kishte kohë pa ndërmarrë një rrezik të tillë. E dinte. E dinte që në fillim se nuk do të ishte njësoj si në Uashington, në vendin e tij, ku njihte çdo cep të atij vendi dhe mund të fshihej apo të shpëtonte nga çasti në çast. Por aty ishte ndryshe. Pak njerëz e njihnin dhe po aq pak e kuptonin. Do ta kishte akoma më të vështirë pas skandalit në tempull, pasi shumica që vizionin atë tempull rregullisht, do të ndodheshin sërish atje, përfshirë edhe priftin që do të ishte po i njëjti. Të gjithë i panë. Pothuasje të gjithë që kaluan rrugën në ato momente i panë. Nuk e dinte se sa prej tyre do të arrinin të memorizonin imazhin e atyre të dyve, por nuk do t'i harronin plotësisht. Të paktën një pjesë e mirë e njerëzve, nuk do ta harronin atë moment. Shanset për të shkuar sërish atje i dukeshin të vogla, por i duhej të vazhdonte, pavarësisht se e ndjente se ekzitonte diçka më misterioze se ai tempull. Ndoshta jo çdo përgjigje për pyetjet e tyre dhe shumë të tjerëve ndodheshin në atë vend.

Ndoshta ai tempull ishte thjesht një iluzion për të mbuluar të vërtetën...

Comment