/̵͇̿̿/'̿̿¯̿̿¯̿̿ 24

Drita e diellit nuk e lejonte të mendonte qartë. Një rreze e tij depërtonte nëpër dritaren e vogël të qelisë, gjë që lejonte grimcat e pluhurit të dukeshin qartë. Mendimet i kishte të trazuara dhe nuk do të gjente qetësi derisa të fliste sërish me të.

-Nuk duhet të kishte ardhur Elois në atë moment. Kishim shumë më shumë për të mësuar, -Vin'nila nuk mund të ishte e qetë derisa t'iu vinte prapë mundësia për të folur me Anakhontën, e cila siç dukej i ndihmoi shumë. -Ishte vërtet i vlefshëm ai takim. Morëm vesh shumë të vërteta dhe për më tepër nga ajo. Filloi të më pëlqejë ideja jote Luvern. Plus që do të kemi vetëm Eloisin pengesë për të vazhduar.

-Kështu mendova edhe unë në fillim, - u ngrit dhe filloi të ecte rreth e rrotull, derisa qëndroi para hekurave të radhitur dhe të baraslarguar.

-Meqë ra fjala, kush është ai Bemnian Tapatio dhe nga e njeh? Dukej sikur e dije shumë mirë. Sikur e kishe takuar më parë, -u kujtua për ta pyetur për më shumë rreth atij personi.

-Bemnianin e kam njohur kohë më parë. Para se të punonim bashkë. Ishte po aq i aftë sa unë dhe herë-herë edhe më i mirë. Qëndronte në Uashington dikur. Por më vonë vendosi të kthehej në vendlindje për shkak se ishte një nga hajdutët më famëkeq të vendit dhe nuk mund të vazhdonte më tej. Elois e njeh mirë. Mbaj mend të ishte po aq e fiksuar pas arrestimit të tij. Por kurrë nuk e kuptova se pse hoqi dorë më vonë. Gjithmonë kam dashur ta pyes, por nuk e kam parë që kur u largua nga Uashingtoni. Mesa duket ai ka ardhur në Indi 7 muaj më parë. Ndoshta është ende këtu. Por jo pa qëllim. Siç e përmenda pak më parë, ai më ngjante shumë. Kishte taktika të njëjta dhe ndonjëhrë mendonim të njëjtin objektiv. Pra, nuk kemi qenë të parët që menduam se diamanti binjak i Travenierit ndodhej në tempull. Siç mund të parashikohet nga ajo që i ka ndodhur, ai nuk guxoi të kthehej në Uashington, aty ku ndodhej Travenieri aktual, ndaj ka synuar për më shumë, ku mund ta gjente në një vend tjetër, -ndërkohë që i tregonte, i kujtohej çdo gjë që dinte rreth tij, çdo detaj i mundshëm dhe çdo përpjekje që kishin bërë bashkë.

-Po më thua që ai është i rrezikshëm? Apo që do të na ndihmojë? - Vin'nila nuk po e kuptonte se ku dëshironte të dilte Uardeni me ato që po thoshte. Por po shpresonte më të mirën.

-Pavarësisht se dikur ishim bashkëpunëtorë të mirë, historia jonë nuk përfundoi e njëjta. Ashtu si të tjerët, ai kërkonte të ishte i vetëm në punën që bënte dhe të ishte i sigurt se nuk do të kishte konkurrentë. Ndaj vendosi t'i jepte fund bashkëpunimit tonë, duke më shpallur kështu rivalin e tij, pasi e dinte shumë mirë që as unë nuk do të hiqja dorë. Çka e bëri të hezitonte për t'u larguar nga Uashingtoni, ishte fakti se unë do të isha i lirë të merrja atë për të cilin ne kishim kohë që përgatiteshim. Dhe fatkeqësisht, nuk besoj se do ta kemi të thjeshtë me të. Ai s'do të bindet kurrë që të jetë me ne pas të gjithës. Ndaj siç të thashë, nuk do të kemi më një konkurrent më pak, - kur e mendonte shqetësohej, pasi e njihte shumë mirë Bemnianin, dhe ishte i sigurt që do të ishte një pengesë e madhe për ta.

-Po sikur diamanti të ketë qenë në tempull dhe ai ta ketë marrë? - mendimet që i vinin, nuk i pëlqente aspak. Nuk kishte zgjidhje tjetër veçse t'i thoshte.

-Duhet ta kishin bërë lajm të madh deri tani nëse do të ishte, - u kthye sërish në vendin ku qëndronte pak më parë për t'u qetësuar.

-Për sa kohë ata e mbanin të fshehtë faktin që diamanti ndodhej në tempull, nuk besoj se do ta deklaronin as zhdukjen e tij, - kishte të drejtë. Ata do të mbanin çdo informatë lidhur me diamantin të fshehtë. Por ndoshta ai diamant s'kishte qenë kurrë në tempull.

Sado të mendonte se gjithçka do të shkonte mirë, i kujtohej momenti kur arriti të shohë murin e dalë në tavanin e tempullit. Ishte aq afër për të zbuluar se çfarë ndodhej aty, dhe gjëja që e mundonte më shumë ishte fakti se nuk ishte i sigurt nëse vërtet kishte diçka me vlerë në atë vend. Nuk do të rreshtte së e menduari derisa ta zbulonte.

-Uarden, - iu afrua pranë dhe i vendosi dorën në sup -ndonjëherë mendoj se ishte zgjidhja e duhur që ne të përfundonim këtu.

-Çfarë do të thuash? - ktheu vështrimin kureshtar.

-Ne s'do ta kishim marrë vesh kurrë për Bemnianin nëse s'do të kishim bërë një marrëveshje me Venerën, apo jo? Dhe ne s'do të kishim bërë kurrë marrëveshje me Anakhontën nëse nuk do të kishte ndodhur e gjitha kjo. Mbase në atë vend ndodhet diçka me vlerë. Mbase jo. Por shanset që ne të zbulojmë më shumë janë të larta. Nuk arritëm të përfundonim një bisedë të nisur dhe pavarësisht kësaj, zbuluam shumë. Madje edhe që do të na duhet të luftojmë sërish për Travenierin dhe jo vetëm. Tani që ai ndodhet në duart e Elois, do të na duhet vërtet shumë punë për ta rifituar. Të mos harrojmë që është objektivi kryesor. Ne ende nuk e dimë nëse diamanti binjak apo syri tjetër ekziston. Dhe kjo vërtet më shqetëson ndonjëherë. Po sikur të jemi duke u munduar pa asnjë rezultat? - kishte thënë gjithçka që mendonte dhe të gjitha mendimet e saj binin në kundërshtim me ato që thoshte. Dukej sikur ende nuk kishin një plan për të rifilluar. Sikur nuk kishin një shtysë për të vazhduar sërish. Të arrinin të njëjtën gjë duke filluar nga hiçi.

I dhuroi një përqafim si të donte të zbuste çdo dyshim të sajin, edhe pse nuk mund t'i zhdukte plotësisht. Duhet të qetësohej. Duhet të vazhdonte të qëndronte pozitiv. Tashmë do të kishin një tjetër krah. Ndoshta një krah që do t'i ndihmonte vërtet shumë ketë herë. Ose një krah që do t'iu kthente Henlein pranë tyre.

Ndonjëherë, të mendosh është shumë më e vështirë se të veprosh. Sepse kur vepron nuk mund ta zhbësh, ndërsa kur mendon mundohesh gjithmonë të arrish më të mirën, edhe pse gjithmonë përfundon duke u zhytur në stres.

Dielli qëndronte në kupë të qiellit, e gjithsesi nuk ndriçonte i lirë. Qielli ishte i mbuluar nga re të mëdha të pupurta, duke zbehur imazhin e tij. Ishte pikërisht ai imazh që po mbulonte gjithë qytetin, përfshirë mendjen e saj.

Vazhdonte të ecte e vetme mes përpjekjes së erës për ta ngacmuar sado pak. Kthente kokën rreth e rrotull për të pikasur ndonjë detaj të rëndësishëm, por gjëja e vetme në të cilën po përqëndrohej për momentin ishte një kanaçe e hedhur përtokë, të cilën e godiste vazhdimisht me këmbë, si të ishte shkaku pse e gjitha kishte ndodhur dhe po vazhdonte të ndodhte.

Ishte e sigurt që ai nuk do të donte të fliste më kurrë me të, edhe pse ajo ishte tashmë në një paqe të vazhdueshme me Uardenin dhe Vin'nilën. Ende nuk e dinte me saktësi se cili ishte fakti që e lëndoi më shumë dhe që e bëri të largohej përgjithmonë nga ajo, por i jepte plotësisht të drejtë. Nga ana tjetër mendonte se ai nuk ishte i vetmi. Ajo nuk ishte në dijeni që Henlej dhe Vin'nila kishin lidhje gjaku, dhe për më tepër që ai përpiqej të ndihmonte atë dhe Uardenin për të fituar atë që kërkonin. Ishte e sigurt që ai nuk do t'i përgjigjej kurrë mesazheve dhe telefonatave të saj të paktën në kohën e duhur, ndaj do t'i duhej me patjetër ta takonte ballë për ballë edhe njëherë, sepse vërtet kishte shumë për t'i thënë.

Si të mos i mjaftonte kjo, ndjeu dikë të kalonte pranë saj dhe ta gjuante lehtë në shpatull. Ishte i veshur me një kostum të zymtë gri, dhe me një palë syze të po të njëjtës ngjyrë, të cilat nuk lejonin që të depërtonte pamja e syve të tij nga personat që e shihnin nga jashtë. Nuk bëri asnjë reagim ndaj asaj që ndodhi, madje nuk ngadalësoi hapin apo të kthente kokën për të parë.

Gjithçka iu duk kaq e pakuptimtë. Disa minuta më parë ndodhej e vetme në atë vend dhe rruga ishte krejtësisht e qetë. Ndoshta ishte shumë e shpërqëndruar për të vënë re prezencën e tij, ose ndoshta nuk iu duk e rëndësishme fillimisht. Uli kokën dhe pa një letër të vogël që më shumë i ngjante me një kartëvizite pune apo diçkaje të përafërt me atë.

-Hej, më falni! E juaja është kjo? - u përkul për të marrë letrën nga toka duke mos e hequr vështrimin për asnjë sekondë nga ajo dhe kur ngriti kokën nuk pa asnjë shenjë të atij njeriu. -Më falni? - u drejtua në mënyrë pyetëse duke parë rreth e rrotull për ndonjë shenjë të tij. Shtrembëroi vetullat si të donte të kuptonte se çfarë po ndodhte dhe vendosi t'i hidhte një sy asaj që shkruhej në letër.

"Av. Paseo de la Reforma 500, Juárez, Cuauhtémoc, 06600 Ciudad de México, CDMX, Mexico"

Comment