/̵͇̿̿/'̿̿¯̿̿¯̿̿ 33

Dëshira për ta përmbushur planin dhe për t'i dhënë fund një sfide si ajo, e shtynte të bënte më shumë për të zbuluar se ku ndodhej diamanti që tashmë Elois kishte. Ishte i lirë të vepronte si duhej për ta kthyer atë në vendin e vet, pranë Uardenit dhe Vin'nilës. Sa për Venerën, nuk ishte i sigurt nëse ata kishin bërë gjënë e duhur që i kishin besuar, por për sa kohë ata menduan se ajo vërtet nuk përbënte kërcënim për ta, duhet t'i shpjegonte se si ndihej. Ndonjëherë mendonte se ishte sjellë si i marrë që nga momenti që u largua pa një shpjegim dhe pa pritur një të tillë. Ndonjëherë mundohej të harronte se ekzistonte, por kjo sa vjen e bëhej më e vështirë për t'u besuar. Ndonjëherë donte ta takonte sërish sa më shpejt, për të rregulluar gjithçka midis tyre.Dhe këtë mund ta arrinte vetëm nëse shkonte në Meksikë. Por jo vetëm. Bashkë me Tavernierin.

Për të siguruar se Elois nuk po e ndiqte, ktheu kokën prapa. Sirenat e makinave ende dëgjoheshin nëpër qytet, por qëndronin larg tij. Hyri në një kabinë telefonike, për të bërë një thirrje të fundit rreth asaj që do të ndodhte në vazhdim. Provoi të telefononte Vin'nilën, por pasi nuk pati asnjë përgjigje, la një mesazh zanor:

"Doja t'ju informoja rreth faktit se Elois është në kërkimin tuaj dhe se po mundohet të nxjerrë informacion prej meje. Do të më duhet të bëj një marrëveshje me të, ku rrezikohet liria juaj, por do të përpiqem ta mbaj sa më larg jush. Do të më duhet të sajoj një vend të rremë në të cilin ju supozohet të ndodheni. Nëse rastësisht ju telefonoj përsëri, do t'ju duhet të bëni një bisedë të rremë."

Ishte në mëdyshje nëse po bënte gjënë e duhur, por nëse vërtet dëshironte të rrëmbente Tavernierin nga Elois, duhet të rrezikonte, dhe Uardeni e dinte shumë mirë këtë. Doli për të parë nëse mund ta shihte Eloisin ndokund, dhe nëse jo, do t'i duhet të ndiqte zhurmën acaruese të makinave të policisë.

Kishte disa minuta që vinte anembanë dhomës duke pritur për Uardenin të thoshte diçka apo të vepronte.

-Edhe sa kohë do të qëndrojmë duarkryq? Do t'ia lëmë në dorë gjithçka Anakhontës? - nuk mund të priste ndërkohë që mund të bënte diçka më të madhe.

-Edhe pak Vin'nila. Mjafton që kjo ambicja jote të mos ndryshojë më vonë, - shkoi drejt derës dhe e hapi lehtë. Nuk do të qëndronte i qetë derisa të merrte lajme të reja.

Vështroi telefonin. Kur pa se kishte një mesazh të ri nga Henlej u ndje e lehtësuar. Gjithmonë kishte menduar se ishte padrejtësi ajo që i bënë dhe se ishte i detyruar të pranonte, por gjithashtu e dinte shumë mirë se do t'i ndihmonte jashtë mase. Të paktën kështu shpresonte.

Ktheu kokën nga dera dhe vështroi Uardenin që u kthye.

U mundua të ecte qetësisht, që ai të mos e vinte re prezencën e saj. Kjo që po bënte po i shijonte jashtë mase, përveç pjesës ku i duhej të aktronte si të mos dinte asnjë informacion rreth bashkëpunëtorëve të saj.

Bemniani dhe disa të tjerë që nuk i kishte parë kurrë, hynë në një dhomë tjetër, shumë herë më e izoluar se ajo e para dhe më e vogël. Dukej qartë se diçka luhej pas historisë që ai tregoi. Gjithçka ishte e dyshimtë. Pse do t'i duhej atij të tregonte bashkëpunimin që kishte pasur me Uardenin para disa kriminelëve që nuk i njihte ende? I duhet të shihte dhe të dëgjonte më shumë. Nuk kishte kohë për të humbur.

-Do të na duhet të shkojmë në Indi, - dëgjoi zërin e tij të vazhdonte. -Nuk kemi kohë për të humbur. Nëse Uardeni ndodhet atje, atje ndodhet edhe diamanti. Nuk kam dyshime për këtë. Por si fillim, duhet të pyesim Anakhontën.

Kur përmendi emrin e saj, gjithçka i erdhi në mendje ishte të hynte menjëherë, pa pritur asnjë sekondë.

-Ndonjë pyetje? - iu drejtua, pasi u pendua që kishte hyrë aq papritur. Dukej sheshit se e kishte ndjekur deri në hapat e fundit.

-Të them të drejtën, nuk e prisja të shfaqeshe kaq shpejt, por më pëlqen. Punët e rëndësishme mbarojnë shpejt. Sa për pyetjen, - iu afrua edhe më shumë, -Ku është Uardeni?

Për disa sekonda nuk pati asnjë reagim, por kur pyetja qesharake i erdhi sërish në mendje, filloi të qeshte me të madhe.

-Vërtet? Domethënë, unë vij me vonesë në mbledhjen tënde të vogël, na tregon historinë prekëse, unë të ndjek dhe BUM, vjen pyetja e pritur "Ku është Uardeni?". Në rregull atëherë, më lejo të të pyes dhe unë një pyetje. Pse të intereson? Mendova se bashkëpunimi juaj kishte marrë fund, apo po bën lojëra fjalësh? - nuk e dinte nëse ishte duke vepruar si vetvetja apo po shtirej në ato momente, sepse ndiente se po i bënte të dyja.

-Oh, të lutem! Mos më bëj të filloj sërish. Po flasim për Uardenin, - iu bashkua humorit të saj, edhe pse ende po priste për një përgjigje të mirëfilltë.

-Dhe çfarë përfitoj unë nga e gjitha kjo? Nëse ke dëgjuar ndopak për mua, besoj se do ta dije se mund ta marr fare lehtë Tavernierin. Nëse ke ndonjë ofertë tjetër, je i lirë të rrëfehesh, - ndoshta kjo duhet të kishte ndodhur më vonë, por ishte e paduruar. Dita e parë në Meksikë dhe priste për më shumë. Njëkohësisht, nuk e dinte se ku ndodheshin Uardeni dhe Vin'nila në të vërtetë. Që kur hyri në hotel, nuk kishte folur më me ta, por do të ishte marrëzi nëse i tregonte se ndodheshin në Meksikë.

-Kam dëgjuar. Sigurisht që kam dëgjuar. Por nëse do të kishe Tavernierin, pse je këtu? Elois Deret duhet të ketë bërë një punë të mirë.

Këtë ishte duke pritur që në fillim. Të përmendej Elois. Duhet të mësonte më shumë për të dhe për pjesën që Uardeni nuk iu tregoi kurrë.

-Ke qëndruar larg Uashingtonit për vite me rradhë, por nuk qenke shkëputur aspak prej tij. Elois mund ta ketë diamantin për momentin, por kjo nuk do të thotë se është në duart e tua, - në atë moment po shpresonte që Henlej të kishte bërë diçka rreth kësaj.

-Asnjëherë nuk i dihet jetës. Fillimisht mendova se Uardeni kishte hequr dorë nga ai gur, por siç duket dhe siç të gjithë e dimë, kjo ishte thjesht një përrallë. Sepse vetëm në përralla mund të shfaqej një person si Luvern Uarden, duke mos ndjekur pas hijen e Tavernierit, - ishte gati të linte dhomën dhe të vazhdonte punët e tij për të ecur përpara, por fjalët e saj nuk do ta lejonin ketë.

-Edhe ti je i tillë, apo jo? Kam dëgjuar se keni vërtet karakteristika të ngjashme. Fakti se je zhdukur për një periudhë të gjatë kohore dhe më pas shfaqesh sërish me të njëjtin objektiv, më jep përshtypjen se ti nuk ke hequr kurrë dorë. Thjesht ke pritur për momentin e duhur, - një pjesë e saj i thoshte të përfundonte këtë luftë fjalësh, por për sa kohë Bemniani e dinte se ajo ishte në anën e Uardenit, nuk do ta lejonte të qëndronte dhe për shumë kohë pranë tij.

-Më pëlqen ambicja jote, por nuk kam kohë mjaftueshëm për të folur për veten. Nëse ke informacion të mjaftueshëm për të më thënë, të pres sërish, - doli nga dhoma duke buzëqeshur.

Ishte koha. Vrapoi drejt saj me sigurinë më të madhe. Duhet të vepronte shpejt. Gjatë gjithë ditës kishte pritur për të që të afrohej sërish. Diçka duhet të ndodhte.

-Elois Deret! - i thirri në emër për t'i tërhequr vëmendjen.

-Gjithçka në rregull Henlej? - iu afrua për të marrë vesh qëllimin e tij.

-Dëshiroje të dije se ku ndodhet Uardeni, apo jo? Arrita ta zbuloj, por nuk do të jetë e lehtë ta ndjekësh, - sapo kishte hyrë në temë, duke anashkaluar çdo fjalë të tepërt.

-Jam kureshtare ta di pse, - priste për një shpjegim të plotë.

-Ndërkohë që ti je në ndjekje të tij, ai është në ndjekje të Bemnian Tapatio. Besoj se ke dëgjuar për të. Po bëhet një kohë e gjatë që kur është zhdukur, apo jo? - do të mësonte më shumë.

-Që do të thotë? - u zbeh në fytyrë.

-Do të të drejtoj për të gjetur Uardenin, por do të vij edhe unë me ju. Marrëveshja është e tillë; ti gjen Uardenin, por nuk do ta lëndosh Vin'nilën, - shpresonte që Uardeni të ishte gati për këtë.

-Më bëhet qejfi që e ke menduar mirë. Tek e fundit, si një vëlla i madh duhet të kujdesesh për motrën tënde të vetme. E çfarë mund të them tjetër? Nesër do të nisemi në kërkim të tij. Dhe bën mirë të përgatitesh nëse dëshiron të jesh pjesë e jona. Do të jetë një udhëtim i gjatë, - kishte dyshimet e saj, por nuk mendonte se një person si Henlej mund ta përballonte i vetëm një plan madhështor, por gabohej.

-Marrëveshja është marrëveshje. Do të largohemi nga India sapo të zbardhë e nesërmja. Shpresoj të kem qenë i qartë. Kundër Vin'nilës nuk do të këtë asnjë kërcënim.

Për këtë nuk mund të sigurohej. Ishte i sigurt që përtej fytyrës së polices, Elois kishte qëllime të tjera. Do ta ndiqte në çdo hap.

Comment