/̵͇̿̿/'̿̿¯̿̿¯̿̿ 31

-Mezi po pres ta takoj sërish pas kaq shumë vitesh, - edhe pse kishte frikë se plani i tyre nuk do të funksiononte, kënaqësia që ndiente kur merrte përsipër një adrenalinë të tillë, e bënte të mendonte se ishte duke luajtur me jetën e tij.

-Nuk kam për të të kuptuar kurrë Luvern, - buzëqeshi dhe i hodhi një vështrim qesharak, si të donte të ngushëllonte veten për këtë.

-Anakhonta nuk do të na zhgënjejë. Jam i sigurt për këtë! - kishin kaluar shumë vështirësi dhe kjo e bënte të dyshonte, por aftësitë e saj nuk e lejonin një gjë të tillë. Dukej të ishte e vendosur, dhe ata e dinin shumë mirë që ajo kishte fituar në zinxhir, ndaj do të fitonte sërish. Por këtë herë ishin së bashku. Kjo? Një avantazh i madh. -Duhet të qëndrojmë këtej rrotull. Nëse ka nevojë për ndihmë duhet të jemi të aftë të shkojmë sa më shpejt pranë saj. Nuk dua të rrezikoj, -bëri një hap para për të hyrë në hotel.

-Mos je çmendur gjë? Do të qëndrojmë në të njëjtin hotel? Luvern, a nuk supozohet që Bemniani të mos e dijë që ndodhesh këtu? - ndonjëherë nuk i pëlqente rreziku. Jo ai lloj që Uarden ndërmerrte.

-Mos përhap panik Vin'nila. Thjesht do të qëndrojmë këtu për të siguruar që gjithçka do të shkojë sipas planit dhe se Anakhonta është vërtet në anën tonë, - vazhdoi të ecte përpara, ndërkohë që ajo e ndiqte duke u munduar ta ndalojë.

-A nuk ishte pikërisht ti ai që pak minuta më parë the se kishe besim tek ajo dhe se duhet të kishim? - ishte kompletisht e konfuzuar. Ai kishte vendosur të ishte sa më satirik të mundej.

-E vërtetë. Por thashë edhe se kemi dyshime. Në një plan të mirë dyshimet duhet të shumëzohen me 0. Ose pjesëtohen. Zgjidhe ti. Sepse tek e fundit nuk e njohim sa duhet, apo jo? Edhe Henlej që mendonte se e njihte, rezultoi të dinte të kundërtën rreth saj. Sa e komplikuar është jeta, - tashmë ndodhej në korridorin e ngushtë të atij hoteli. Dukej sikur ishte një vend i mbyllur. Por në fund të atij korridori ndodhej një botë më vete. Një hapësirë aq e madhe, sa mund ta krahasoje me një qytezë. Do ta kishin të vështirë të gjenin atë për të cilën po kërkonin. -Askush nuk duhet ta dijë që jemi këtu. Dhe kur them askush, përfshihet edhe Anakhonta, -hodhi një vështrim drejt saj, -as Henlej. Mesa shoh ky vend është më i madh nga ç'e mendonim. Kjo po që do të na ndihmojë. Në gjithë këtë hapësirë, askush nuk do të na verë re. Kanë kaluar gjithë këto vite, e ndoshta Bemniani ka harruar që ekzitoj. Komike pas gjithë asaj që kemi kaluar së bashku, apo jo?

Ajo thjesht pohoi me kokë. Duhet të njihej më thellë me planin e tij, por vërtet dukej e vështirë. E ndoqi për të mësuar më shumë dhe ishte e sigurt që ajo vetë do të ishte një pjesë e mirë i atij plani, për sa kohë Bemniani nuk e njihte. Ndonjëherë kishte frikë se deri ku mund të shkonin përpjekjet e Uardenit.

Hoteli kishte formën e një U-je magjepsëse, i ndarë në 3 godina të mëdha. Në pamje të parë nuk mund ta imagjinoje se sa kate mund të kishte ai vend, apo sa njerëz qëndronin aty. Mes kësaj U-je qëndron një park i gjelbërt që ngjan me një oborr mbretëror. Në atë vend, gjithçka dukej e mundur.

-A e dije që këtë vend e drejton Bill Gates? - ishin ende në hyrje të tij, duke u munduar të zinin vend sa më shpejt.

-Luvern, je i sigurt që është momenti për shaka të tilla? - ishte e shpërqëndruar. Më shumë për faktin se nuk dinte se ku po shkelte.

-Nuk është aspak një shaka. Nuk e ka ndërtuar ai, por një kompani që ai ka blerë. A ka rëndësi kjo në planin tonë? Jo. Kështu që i kthehemi planit. Nuk është ky vend pika kryesore ku do të qëndrojmë. Thjesht do të kemi nën vëzhgim për disa kohë Bemnianin, - tashmë ishin brenda hotelit.

-Më falni! Keni rezervuar më parë? - iu drejtua njëra nga sekretaret që qëndronin në hyrje.

-Jemi pjesë e stafit të hotelit, - nxorri mjetin e identifikimit dhe ia drejtoi për një kohë të shkurtër.

-Në rregull! Mund të kaloni! - ai thjesht buzëqeshi dhe vazhdoi në brendësi.

-Si e bëre ketë? Të jem e sinqertë Luvern, mashtrimet e tua janë fantastike. Për pak mendova se ishim vërtet pjesë e stafit, - filloi të qeshte dhe duke e drejtuar vështrimin nga ai, i cili ishte duke bërë të njëjtën gjë.

-Edhe unë ashtu mendova filimisht Vin'nila. Më pas mendova, pse gjithmonë me mashtrime? Pse mos e provojmë njëherë fatin si njerëz të zakonshëm? - u kthye drejt saj duke ndaluar hapin.

-Çfarë po thua? Mos më thuaj që jemi regjistuar në hotel si punonjës! Çfarë ke bërë? A nuk më the se nuk do të qëndronim për një kohë të gjatë këtu? - për pak do të luante mendsh.

-Po. Sigurisht, - kur vuri re vështrimin e saj shqetësues vendosi t'i jepte fund. -Sigurisht që jo.

-Më ngrive gjakun! A bëhet shaka me diçka të tillë? Të lutem, të fokusohemi! - nuk po i pëlqente gjithë ai pozotivitet. Më shumë e frikësonte.

-Kaq të vështirë e ke të jetosh një jetë normale sërish? Dhe të mendosh që vëllai yt i dashur dëshironte t'i jepte fund kësaj jete! - nuk e dinte se kur do të mbërrinte në dhomën ku do të qëndronin, por siç dukej në atë vend humbisje sa hap e mbyll sytë.

-Isha e sigurt që ti nuk do të doje t'i ktheheshe asaj jete. Ja përse. E dija që do të bëje ndonjë veprim të pamenduar për sa kohë qëndroje si një punonjës i këtij hoteli, - sapo hynë në ashensor. Shtypi butonin që tregonte katin në të cilin do të qëndronin dhe priti të dëgjonte atë tingullin acarues që bën ai kur mbërrin në katin e dëshiruar.

Të njëjtin tingull dëgjoi edhe ajo. Një tingull që ndoshta po e çonte drejt një plani madhështor, ose drejt një dështimi të tillë. Ideja që do të punonte për një person si Uardeni, por jo për të, e bënte të kthehej pas dhe t'iu thoshte se nuk ishte gati për gjithë këtë dhe se nuk mund të qëndronte pranë Bemnianit për sa kohë ai kërkonte një ushtri dhe ajo një hakmarrje, nëse mund të quhej si e tillë. Përveç kësaj, ishte kaq kureshtare të mësonte të kaluarën joshëse që lidhte ata të dy me Eloisin.

Sigurinë që ndiente kur shkeli në dhomën ku i ishte adresuar sapo hyri në hotel, u mundua ta tregonte më së miri, para asaj turme të zhurmshme me në krye një tip të çuditshëm që vinte rreth e rrotull. Përfshirë këtë të fundit, të gjithë kthyen kokën drejt saj dhe pritën që hapat e saj të shumëfishoheshin më tej.

-Kënaqësi që po ju shoh! - u afrua drejt saj si ta njihte prej kohësh, me duart në xhep dhe kokën lart.

-Çfarë mund të them? Kënaqësia është e imja! Nuk besoj se jam me vonesë, apo jo? - synimi i saj fillestar vazhdonte të ishte besimi që duhet të fitonte.

-Të them të drejtën, të prisja më shpejt. Vërtet më zhgënjeve në këtë pjesë. Por t'i lëmë mënjanë mërzitë dhe t'i bashkohemi asaj që mua më pëlqen ta quaj të ardhme, - kaloi sërish në mesin e dhomës për të vjedhur vëmendjen e të gjithë të pranishmëve.

I dukej kaq e çuditshme se si tingëllonte njësoj me Uardenin, qëndrimi, besimi në vetvete, buzëqeshja, ishin pikërisht të njëjtat. A ishte kaq e vërtetë kur ai tha se Bemniani ishte një kopje e mirë e tij? Po shpresonte që ngjashmëria mes tyre të përfundonte aty, pasi nuk do të donte të shihte më tepër. Të paktën jo atë ditë.

-E di që të gjithë po mendoni se pse një njeri si unë, po e theksoj, unë, duhet të priste kaq gjatë për një femër si ajo, kur kisha një ushtri të tërë para meje. Epo, kjo është e veçanta e kësaj loje, apo jo? Unë vendos, ju veproni. Më besoni se pritja ia ka vlejtur. Atë që di kjo vajzë, nuk e di asnjëri prej jush dhe më besoni që nuk dua t'iu nënvlerësoj aspak. Përndryshe, përse do të ishit këtu? Ajo ka diçka që duhet të më përkasë mua, apo jo e dashur? - sytë e tij kërkues u përplasën fillimisht me dritaren gjigande pranë tij dhe më pas me fytyrën e saj.

-Që është? - gjithçka që po mendonte në ato momente ishte gjithçka që po shpresonte që Bemniani të mos dinte rreth saj, lidhjes së saj me Tavenierin apo Henlein, vëllain e Vin'nilës, bashkëpunëtores së Uardenit.

-Që është..? Qëllimi ynë! Qëllimi ynë i ri! Arsyeja pse të gjithë jemi këtu! Sa kureshtarë mund të jeni për ta zbuluar. E shoh këtë në fytyrën tuaj. Në fakt, pse do të kishit ardhur nëse nuk do të ishit kureshtarë? Ose të zgjuar, - gjëja që po e acaronte më shumë ishte se ai ishte po aq acarues sa dikush tjetër që për momentin po mundohej ta harronte me shpresën që edhe Bemniani e kishte harruar ekzistencën e tij.

-Po ju dëgjojmë! - u bashkua me turmën për të mos pritur më gjatë.

-A ju kanë dëgjuar veshët ndonjëherë për një tip të quajtur Luvern Uarden?

Comment