/̵͇̿̿/'̿̿¯̿̿¯̿̿1

Ato korridore ishin vërtet të mërzitshme. Kishte miliona njerëz dhe suvenire të shëmtuar, që edhe pse në masë të madhe, i kishin rënë në dorë disa herë. Nuk i pëlqente. Ishin më modernë seç duhej. Ai shkonte për antiken.

Pa u vënë re, kaloi me qetësi në mes njerëzve të zakonshëm, të pafajshëm, të cilët kishin ardhur vetëm të admironin ato sende pa vlerë me vlerë të madhe. Epo, të paktën kështu i dukeshin atij, përveç njërit prej tyre, të cilit ia kishte vënë syrin prej kohësh.

Rregulloi mikrofonin e vogël mbi tavolinë, mbërtheu më fort kollaren, vendosi dorën para duke bërë një kollitje false, dhe mori një qëndrim drejt për të nisur fjalimin e tij hapës.

-Ashtu si çdo herë që ky muze hapet që njerëzit e thjeshtë të admirojnë këto thesare madhështore, - hapi krahët si të donte të tregonte vendndodhjen e tyre, -unë, Lonnie Bunch, drejtori i Muzeut Kombëtar Smithsonian i Historisë Natyrore, dëshiroj t'ju dëshmoj një lajm po aq ngazëllyes, edhe mahnitës. Të gjithë e njohim diamantin e famshëm me ndriçim të thellë bluje, në një varëse që qëndron në zemër të koleksionit të bizhuterive të këtij vendi. Ah, sa i kërkuar është ai nga të gjithë ju! Por fatmirësisht për mua dhe fatkeqësisht për ju, ai diamant i mahnitshëm, misterioz, i fuqishëm, i hatashëm, do të kalojë në duart e mikut tim të shtrenjtë Luvern Uarden, njeriut më engjëllor që kjo botë ka parë ndonjëherë. Ai... Ai është i pakapshëm, ka një strategji që askush prej jush nuk do ta ketë kurrë, dhe mendoj se ai është pikërisht si ky diamant, - futi dorën në xhepin e pantallonave dhe nxorri prej atysh varësen me diamantin blu në mes, - ndaj mendoj se ai e meriton plotësisht atë, apo jo?

Turma që kishte hedhur vështrimin mbi diamantin, heshti. Nuk po dëgjohej asnjë zë i vetëm, derisa ai foli prapë.

-Nëse keni ndonjë kundështim ju apo jo, ai diamant është pikërisht në vendin e tij tashmë! Bukur, mendoj.

Të gjithë kthyen kokën nga dera e madhe e sallës, që u hap me të shpejtë, nga e cila dolën me dhjetëra policë dhe forca ushtarake, dhe mes tyre edhe drejtori i muzeut.

-Lonnie Bunch! Çfarë kënaqësie që po ju shoh! - foli sërish, këtë herë duke u larguar nga mikrofoni, -Çuditem se si erdhe kaq vonë. Humbe fjalimin tënd! - bëri një fytyrë të mërzitur, -Por mos u shqetëso! Mbarova punë para se të vije. Të gjithë e dinë lajmin që do të jepje ti tashmë. Luvern Uarden, shoku yt më i mirë, i cili do të marrë diamantin... E ka marrë diamantin, më fal!

-E dija që pas kësaj fshiheshe ti sërish! - thirri Bunch i nevrikosur.

-Ah, po më vjen shumë keq tani. E di? Nuk po më pritej që të vije dhe të ma sillje me duart e tua diamantin blu, kështu që e mora vetë, për t'ia dhënë shokut tënd të mirë, mua!

-Uarden! Arrestojeni atë! - thirri drejt turmës ushtarake, të cilët vrapuan drejt vendit ku qëndronte Uarden, e bashkë me të, edhe diamanti.

-Sa bujar po më dukeni, i nderuar Bunch! Por ta dini se pa këtë, - tregoi drejt tij varësen, - ti dhe muzeu yt, nuk keni kurrëfarë vlere. Ti ke qenë edhe më parë i pavlerë, por po më vjen keq për muzeun, shumë keq. Edhe për këta që po shohin gjithçka dhe nuk mund të bëjnë asgjë. Janë të konfuzuar se cili është Bunchi i vërtetë. Të them të drejtën Bunch, modeli yt i flokëve nuk të shkon fare me kollaren. Ndihesha i mërzitshëm, kështu, i veshur si ti. Dhe këto, - hoqi ngjitësen që kishte vënë mbi buzë, - janë vërtet të shëmtuara! Nëse do të reduktoje mustaqet dhe të shtoje rrënjët e flokut në kokën tënde, do të ishe më i pashëm dhe më tërheqës. Ta them këtë si mik. - kërceu nga karrigia ku ndodhej dhe kaloi në pjesën tjetër të muzeut.

-Ai gur përmban energji negative! Do të të vijë fundi së shpejti!

-Gjëja më negative në këto momente Bunch, po më duket ambicja jote për të më ndaluar. E kam menduar gjithmonë se do ta merrja këtë gur, siç kam marrë gjithë të tjerët, por nuk e dija që do të ma sillje në tabaka të argjendtë.

-Kapeni! - thërriste i tmerruar nga turpi që e kishte pushuar në ato momente nga turistët që kishin mbushur muzeun, -Gjithçka do të rregullohet! - tha dhe doli prej sallës së madhe. Djersët e kishin pushtuar dhe nuk e dinte pse, por ai hajdut i ishte dukur gjithmonë ndryshe nga të tjerët. Sikur gjithmonë kishte qenë mbi të, dhe së shpejti do të ishte mbi të gjithë.

Pavarësisht përpjekjes që bënë forcat e policisë për ta kapur, Luvern kaloi me sukses nga një qytet në tjetri, aty ku e priste Vin'nila, bashkëpunëtorja e tij në krim. Ajo ishte e zgjuar dhe strategjike, dhe i duhej një person si ajo për të arritur qëllimin e tij.

-Si ishte Uashingtoni? - bëri një qeshje ironike.

-Në formë, por i mërzitshëm. Njerëzit aty mendojnë se kanë rëndësi, por çfarë rëndësie mund të ketë ai vend pa atë? - ktheu vështrimin nga varësja që kishte lënë mbi tavolinë.

-E mahnitshme! Është kaq i mrekullueshëm! I magjishëm! - u afrua duke admiruar atë gur.

-E di, e di! Por t'i qëndrojmë besnik planit. Kjo është vetëm gjysma e asaj që ne po kërkojmë.

-Jam e lodhur vetëm duke pritur për atë pjesë të planit!

-Mos u shqetëso! Do të vijë së shpejti.

Të përballesh me një vjedhje aq madhështore në vend, është vërtet e vështirë, sidomos për zotin Bunch atë ditë. Lajmi ishte kudo nëpër gazeta, por me një ndryshim të vogël. Diamanti nuk u vodh. Lonnie Bunch, drejtori i Muzeut Kombëtar Smithsonian të Uashingtonit, i dhuroi Diamantin e Shpresës, hajdutit më të famshëm të gurëve të çmuar, Luvern Uardenit. Komike.

Ndërkohë që Bunch ndihej i zhgënjyer dhe i turpëruar para kamerës, medias dhe gazetarëve, Elois Deret, punonjëse e policisë, mundohej të jepte një shpjegim real për të gjithë.

-Dihej që do të vinte një ditë e tillë. Kemi kohë që presim për këtë veprim nga ana e tij. Si hajdut i gurëve të çmuar, Travenier Blu, do të ishte pikësynimi i tij më i fortë. Madje çuditem se si u mendua kaq gjatë për ta marrë. Por të mos harrojmë diçka të rëndësishme. Ky gur mbart një mallkim që vetë historia e ka vërtetuar disa herë. Ndoshta ky gur do të jetë arsyeja e fundit të tij. Ndoshta kjo do të na ndihmojë ta heqim qafe e të shpëtojmë prej tij. Me kaq dua ta mbyll këtë histori. Në vend që të jepja intervista, duhet të isha duke ndjekur atë kriminel. Kështu që nëse më lejoni, më duhet të shkoj, - u mundua të gjente një rrugëdalje nga gjithë ata gazetarë që kishin mbushur rrugët ato momente. E dinte që ky kriminel kishte një përparësi, dhe kjo ishte gjëja e parë që dëshironte dhe ishte e nevojshme të zbulohej.

***

-Nuk mendoja kurrë që do të ishte kaq e thjeshtë, vërtet! -hyri në dhomë duke vërtitur varësen në dorë.

-Nuk është! Si hajdut i mirë që je, duhet ta kishte menduar që ajo nuk ishte varësja e vërtetë. Vërtet? Vërtet mendove se dikush do ta linte atë gur aq të çmuar në mes të një muzeumi të rrethuar nga njerëz të çuditshëm, që vijnë rrotull dhe bëjnë fotografi? - qëndronte e kthyer nga dritarja duke admiruar pamjen që aty lart me një gotë shampanjë gjysmë të mbushur në dorë.

-Ti, ti nuk je Vin'nila.

-Nuk jam...

-Atëherë kush na nderon me prezencën e saj në këtë vend? Police? Ushtarake? Gazetare?

-Anakhonta!

-A...An... Ana çfarë? - filloi të qeshte me të madhe si të kishte dëgjuar gjënë më qesharake të vitit, -Seriozisht, nuk kisha dëgjuar ndonjëherë për Anakhontën. Hajdute, apo jo? Emër qesharak, por i bukur.

-Drithërues, do të thoja unë!

-Po! E drejtë! Vetëm për ata që frikësohen nga anakondat, - ende ishte duke qeshur, aq shumë sa harroi faktin se nuk ishte duke mbajtur diamantin e vërtetë në dorë, -Dhe përveç faktit se më tregove se nuk e kam atë diamant ende, përse ndodhesh këtu?

-Për të shpallur se e kam arritur para teje, - nxorri një kuti të argjendtë nga palltoja e gjatë, që i mbulonte të gjithë trupin, veç këpucëve elegante, -Gëzuar për Travenierin e bukur! - zgjati gotën drejt tij, piu një gllënjkë, dhe la sërish në tavolinë. Hapi kutinë me delikatesë dhe i tregoi shkëlqimin e diamantit të rrallë blu.

-Pra ti e ke vendosur këtë varëse false në kutinë e xhamtë në katin -3 sekret të muzeut.

-A mund të quhet sekret kur e dinë ekzistencën e tij më shumë se dy persona?

-Jo, në të vërtetë.

-Mos u shqetëso! Edhe ajo çka po mban ti ka vlerë. Veçse është thjesht një diamant normal me pak bojë shndritëse, - buzëqeshi me një qetësi të madhe shpirtërore që po mbartte në ato momente dhe futi sërish kutinë në xhepin e thellë të palltos.

-Nuk isha duke kërkuar për një diamant të tillë, por të falenderoj për idenë e bojës shkëlqyese. Vërtet, është kreative. Nuk mund ta zbulojnë kurrë që nuk është i vërteti, - ndaloi së qeshuri, -Nuk mund ta zbulojnë kurrë se nuk është i vërteti...

-Quaje si një dhuratë për takimin tonë të parë. Shihemi! - hapi derën dhe u largua shumë shpejt, ndërsa ai ende ishte duke menduar për plusin që iu shtua planit të tij, duke përjashtuar faktin se nuk e kishte ende diamantin misterioz.

Comment