/̵͇̿̿/'̿̿¯̿̿¯̿̿ 37

-Arrij të shoh tokë! - thirri e lumtur, si të kishte humbur mes detit për orë të tëra. Ishin nisur atë mëngjes drejt ishullit Baratang me shpresën se do të gjenin atë për të cilin kishin kohë që kërkonin. Njëkohësisht po shpresonin që gjithçka të shkonte mirë, dhe Henlej të mos e drejtonte Eloisin nga ishulli, për sa kohë ata qëndronin atje. Nuk iu duhej një tjetër pengesë. Kishin kaluar mjaft.

-Kemi parë gjithmonë tokë, - Anakhonta ende mendonte se ishte një ide e gabuar udhëtimi për në atë ishull. -A mund ta di se si mund të besojmë një hartë kur nuk e dimë se kush e ka krijuar atë? - nuk donte të binte në një tjetër kurth.

-Nuk po ndjekim hartën, - bëri një pauzë të shkurtër, -Ne e dimë shumë mirë se ku ndodhet ishulli. Përdorim hartë elektronike! - Uardeni e dinte shumë mirë se çfarë po bënte dhe për herë të parë nuk ishte munduar t'iua shpjegonte edhe Vin'nilës dhe Anahkontës.

-Jam krejtësisht e bindur, - rrotulloi sytë dhe hoqi shikimin nga ai. Sa vjen dhe copa e vogël misterioze e tokës afrohej më shumë, ashtu si ata i afroheshin bregut. Frynte një erë e lehtë dhe krejtësisht e freskët. Nuk ishte e fortë mjaftueshëm për të ngritur një gjethe nga toka, por lëshonte aromën e mëngjesit kudo dhe përshtatej me valët e detit më së miri.

Ishte momenti. Pjesa e parme e varkës së tyre preku rërën përvëluese të ishullit, i mbuluar nga pemë gjigande. Në momentin që shkelën në atë vend, iu dukej e pamundur gjetja e diçkaje aq të vogël në një vend si ai, i mbuluar nga jetë të ndryshme gjallesash, duke filluar me bimët e çuditshme e deri tek insektet e neveritshme.

-Besoj se tani duhet të ndjekim hartën, - ishte duke parë e hutuar se si dielli sa vjen e zhdukej sa më thellë të hynin në ishull.

-Vin'nila, a je e sigurt se po ndjek rrugën e duhur? A nuk duhet të isha duke drejtuar unë dhe harta? - i pëlqente ta gjallëronte atmosferën në një vend si ai, pavarësisht se nuk mungonte e gjalla rreth e rrotull.

-Mund të kalosh Uarden! Do të jem shumë e lumtur kur të jesh prapë në krye të kthimit tonë me duar bosh, - marrëzia në mendjen e saj nuk kishte të sosur. E gjitha i dukej budallallëk.

-Do ta shohim e dashur Anakhonta. Do ta shohim. Do të takojmë miqtë e tu këtu. Mendon se do të na mirëpresin? - filloi të qeshte, edhe pse ajo ende nuk po e kuptonte pse.

-E ka fjalën për anakondat, - ia ktheu Vin'nila për ta mësuar me gjuhën tallëse të Uardenit.

-Patjetër! Do t'i lajmëroj që kanë një vakt të shëndoshë për drekë, - e pa gjithë nerva, ndërkohë që e kishte të pamundur ta mbante seriozitetin neutral, ndaj iu bashkua buzëqeshjes së tij.

-Ende nuk më besohet që u larguam nga Meksika aq shpejt. Më pëlqente ai vend. Të paktën më shumë së këtu, - Vin'nila nuk e dinte së çfarë të besonte më parë, dhe ashtu siç mendoi që në fillim, prezenca e tyre në Meksikë nuk ndryshoi asgjë. Ose të paktën për kaq ishte e informuar.

-Mua më pëlqen Tavernieri dhe vëllai apo motra e tij kudo që të jetë. Do ta marr atë gjë, - herë i hidhte sytë në hartë e herë në terren, për të parë nëse përputheshin ndopak.

-Mezi po pres për këtë, - u tregua sërish indiferente ndaj idesë. Ndonjëherë mendonte se do të ishte më mirë nëse nuk do t'i kishte ndjekur. Ndoshta do të ishte duke shijuar jetën e saj të zakonshme në Nju Jork.

Ishte në ankth. Nuk i kishte mbetur aspak kohë dhe ai ende nuk e kishte gjetur Tavernierin. Nuk mund të kthehej pranë tyre duarbosh, kur e kishte pranuar vetë një detyrë të tillë. Duke pranuar faktin se nuk do të arrinte asgjë duke rendur pas Eloisit, provoi të hynte në dhomën e Venerës, për të marrë diçka të fundit para se të nisej për në Meksikë, kur e dinte shumë mirë se nuk do t'i gjente atje. Për më tepër, e kishte marrë shumë malli për ta.

E pati pak të vështirë ta hapte derën dhe nuk e kuptoi pse, pasi ishte i sigurt që kishte çelësin e duhur në dorë, të cilin ia kishte dhënë Anakhonta që në momentin kur të dy u zhvendosën në atë hotel. Diçka qëndronte prapa derës, çka e pengonte atë të shtyhej më tutje për t'u hapur plotësisht. Në fillim mendoi se ishin thjesht sendet e saj në një rrëmujë të madhe. Arriti ta shihte këtë, por sytë i panë edhe diçka tjetër. Si të kishte parë gjënë më të çmuar për të, vrapoi drejt kasafortës. Ishte kasaforta e Anakhontës. Ajo në të cilën kishte futur Tavernierin.

Gjëja e parë që i shkoi në mendje ishte se Elois donte të ngrinte një kurth për të, duke lënë kasafortën e saj atje, që kur të kthehej, të mund ta vinte re prezencën e saj. Mirëpo jo gjithçka shkoi sipas planit të saj. Elois mund të këtë marrë çelësin e dhomës së Anakhontës nga recepsioni i hotelit me justifikimin se ishte një oficere policie dhe i duheshin informacione të sakta mbi të dyshuarën, por ajo mesa dukej e kishe harruar mundësinë se dikush tjetër përveç Venerës mund të hynte në dhomë.

Pa e gëzuar veten menjëherë, u mundua të dallonte nëse Tavernieri ndodhej ende brenda kasafortës, i paprekur, ashtu siç e kishte vendosur ajo. Mënyra e parë që provoi ishte të shkundte kasafortën sa të mundej, për të dalluar nëse kishte diçka brenda, qoftë diamanti apo jo. Ishte mënyrë e mirë, arriti të konfirmojë që diçka e qelqtë ndodhej aty brenda, por nuk mund të sigurohej që ishte Tavernieri. Ishte duke e munduar veten se si mund ta kishte hapur Elois kasafortën pa e dëmtuar fare, kur as nuk kishte një vend çelësi mbi të, vetëm vendi ku shënohej kodi për ta hapur. Dhe nëse nuk e kishte dëmtuar, si e kishte gjetur kodin që kishte vendosur Anakhonta? Vetëm nëse nuk e kishte hapur kurrë...

Diçka tjetër që mendoi, ishte se Elois e mbante ende në kasafortë diamantin, dhe për më tepër në dhomën e Anakhontës, që të shpëtonte nga akuza e të pasurit Tavernierin, duke mos e shpallur këtë në polici, duke i lënë ende në kërkim të tij. Ndoshta po priste që ata ta gjenin vetë diamantin, për t'i gënjyer se nuk e kishte pasur kurrë. Ndoshta kjo mund të ishte një lëvizje e zgjuar, por jo nëse Henlej ishte atje.

E ngriti i gëzuar nga tavolina që tashmë kishte zënë një shtresë të trashë pluhuri, si të ishte braktisur prej vitesh. Nuk e dinte se ku do ta çonte gjithë atë kasafortë, kur Elois endej nëpër hotel apo jashtë tij, duke pritur për nisjen për në Meksikë. Shkoi pa humbur kohë në dhomën e tij dhe e kyçi atje për momentin, për t'u siguruar që ta mbante sa më larg Eloisit.

Zbriti në katin e parë, kafenenë e hotelit, vend i cili i kujtonte Venerën dhe kohën që kalonin bashkë. Ai ishte ende atje. Por vetëm, duke u bërë pjesë e një lëmshi pa mbarim. I mungonte jeta e tij e zakonshme në një Indi të qetë dhe pa trazira. Duhet të bindte Elois të shkonte e vetme në Meksikë. Kishte gabuar.

Para tyre u shfaq një urë druri, e cila nuk dukej të ishte e qëndrueshme. Nuk ishte e fortë mjaftueshëm dhe mbi të gjitha varej përtej një pellgu të madh me rërë thithëse. Lëkundej lehtë, dhe mund të mbaje ekuilibrin vetëm nëse kapeshe nëpër degët e ulura të disa pemëve ngjitur.

-Kush do të shkojë i pari? - po shikonte drejt tyre, kur e dinte shumë mirë se ato po vështronin atë. -Jo unë! Po sikur të më humbisni bashkë me hartën? Si do të vazhdoni pa mua? Dhe hartën?

-Mund të na i japësh neve hartën, -i buzëqeshi ëmbël.

-Do të shkoj unë, - doli para për të vazhduar. Kishte kaluar më shumë se një urë prej druri.

-Venera, kujdes! - thirri e shqetësuar për të, njëkohësisht ktheu kokën të shikonte Uardenin gjithë nerva. -Duhet të kishe shkuar ti i pari.

-Pas teje, - ia ktheu me të njëjtën buzëqeshje të shtirur, si për të marrë hak.

Po mundohej të kalonte sa më lehtë dhe të mos shkelte në hapësirat boshe që krijoheshin nga thurja e dërrasave të holla me njëra-tjetrën me një fije të fortë bime nga të dyja anët. Për pak minuta ia doli të kalonte në anën tjetër me sukses.

-E shikon? Nuk ishte aq e vështirë, - dëshironte të mbaronte punë sa më shpejt.

-Ja ku po vij! - vrapoi me sy mbyllur drejt urës, për të shmangur frikën. Sa më shumë hapa të hidhte aq më shumë lëkundeshin dërrasat e vjetra të urës. Nëse do të ecte ngadalë, do t'i duhej të përballej me frikën.

-Vin'nila, kujdes! - u pendua për një moment që e la të shkonte para tij. Nuk donte të lëndohej. Pavarësisht kësaj, edhe ajo arriti të bashkohej me Anakhontën në anën tjetër të urës. Edhe pse e tmerruar nga ajo që kishte bërë, ishte e lumtur që ia doli. Kishte ngelur vetëm ai.

Comment