/̵͇̿̿/'̿̿¯̿̿¯̿̿ 28

Nuk e kuptoi se si, por lëshoi veten drejt tij për ta përqafuar, gjë që atij nuk i pëlqeu për herë të parë. E kishte humbur besimin tek ajo. Kishte ditë që dëgjonte për bëmat e saj dhe se si kishte shkatërruar gjithçka që Vin'nila dhe Uarden kishin kohë që përgatiteshin.

-Kjo nuk do të funksionojë, -u shkëput prej krahëve të saj, për t'i bërë të ditur se nuk do ta rifitonte kurrë.

-Henlej, nuk e di se çfarë ke në mendje, por është krejtësisht e gabuar. Dhe nuk e di se çfarë të bëri të mendosh një plan të tillë, por më beso që nuk do t'ia dalësh kurrë. Uarden nuk do ta lejojë kurrë Vin'nilën të largohet. Ajo do të qëndrojë pranë tij. Dhe ti nuk e ndryshon dot diçka të tillë. Ata janë ende në burg! Nuk mund t'i rëndosh kaq shumë, apo jo? - gjithçka që po shpresonte ishte që të kthehej Henlej i dikurshëm, por dukej të ishte e pamundur.

-Unë e kam vendosur Venera. Dhe për sa kohë nuk dua që ajo të vazhdojë të lëndohet, nuk mund ta lë pranë Uardenit. Kanë vite që punojnë me njëri-tjetrin, por situata po bëhet serioze. Duhet të më kuptoni. Ajo nuk është gati. Ndoshta nuk ju ka thënë kurrë, por nuk është gati të japë gjithçka për atë diamant, ndryshe nga ju. Ti dhe Uardeni... Jeni shumë të ngjashëm lidhur me këtë çështje. Nuk ju intereson gjë tjetër veç atij diamanti, ndaj nuk do të çuditesha nëse do të sakrifikonit për të! - ishte i acaruar. Më shumë me faktin se nuk mendonte se do t'i duhej t'i jepte llogari dikujt me të cilën kishte vendosur të ndalte çdo kontakt.

-Nuk duhet të jesh kaq i sigurt i dashur. Jo të gjithë njerëzit mendojnë kaq cekët sa ti. Të paktën jo aq sa ti, -u ngrit nga tavolina për t'i dhënë fund asaj bisede, e cila përveçse nuk po zgjidhte asgjë, po përkeqësonte marrëdhënien e tyre edhe pse ajo kishte përfunduar kohë më parë. -Mendoja se ishe kthyer për të bashkëpunuar, -ktheu kokën para se të largohej, -por do të më duhet ta përcjell mesazhin tënd tek Uardeni dhe Vin'nila. Duhet të nisim një plan të ri, në të cilin ti nuk je i përfshirë dhe mesa duket, as Vin'nila. Ndoshta duhet të ndihmoj vetëm Uardenin të dalë prej asaj qelie, -hapi derën dhe doli jashtë kafenesë, ndërkohë që ai mendohej. Duhet të takonte Uardenin dhe Vin'nilën para saj.

Kishin kaluar pothuajse 3 orë që nga momenti që përgatitën një plan. Tani mbetej zbatimi.

-Vërtet mendon se do të funksionojë? - gjthmonë do të kishte pasiguritë e saj, por i besonte aftësive të tij.

-Do të na duhet shumë kohë për të pritur Anakhontën. Më e mira është të veprojmë sa më shpejt. Këtë herë gjithçka do të jetë perfekte. 3 minuta dhe këta hekura do të hapen sërish. Do të jemi gati për të dalë sërish. Nuk do të të harroj kurrë Indi, -buzëqeshi si të kishte thënë diçka prekëse dhe hodhi sytë nga Vin'nila. Edhe pse e pasigurt, ishte gati.

Ashtu si ai përmendi, qelitë u hapën në 8. Hëna e asaj nate do të ishte dëshmitare e një arratisjeje madhështore.

Pa u ndjerë, u bashkuan me turmën që vazhdonte të dilte në drejtim të portës së madhe dhe të mbikqyrur nga forca policore. Çdo të dielë në atë orë bëhej një dalje e tillë nga territoret e asaj ndërtese. Të gjithë të burgosurit, nën kontrollin e policëve të përcaktuar, qëndronin 30 minuta jashtë, për t'u qetësuar dhe për t'u mbushur me ajër të pastër, sepse pikërisht vetëm këtë ditë, nuk lejohej të dilnin jashtë në orën 3:00 si çdo ditë tjetër e javës, për shkak se drejtori i atij vendi kthehej me vonesë në detyrë çdo të dielë. Dhe për të shmangur ndonjë problem ndërkohë që ai nuk ndodhet aty prezent, ka bërë ndryshimin e këtij orari.

-Erdhi koha! - i pëshpëriti në vesh, ndërkohë që ishin shumë afër njërit prej mbikqyrësve. Vin'nila pohoi me kokë dhe i buzëqeshi. Për herë të parë për një kohë të gjatë, ndjente siguri. Kësaj rradhe nuk do të humbisnin.

Ashtu, turmë e madhe, dolën nga dera e gjerë që zinte pothuajse treçerekun e asaj faqeje muri. Tashmë mund të dallonin qartë yjet mbi kokat e tyre, edhe pse jo plotësisht, pasi një pjesë e mirë e tyre ishte e mbuluar nga re që lëviznin shpesh. Frynte një erë e lehtë, por njëkohësisht e ftohtë. Ajo natë kishte marrë karakter drithërues pa filluar ende. Gjithmonë kishte besuar tek nata. Pasi gjithmonë kishte pasur një Hënë për t'i besuar.

Ishin 8 prej tyre. 2 ndodheshin tek dera kryesore, prej të cilës dolën. 4 ndodheshin në 4 cepat e atij oborri, dhe 2 të tjerët mes turmës të së burgosurve. Do ta kishin të lehtë për sa kohë qëndronin bashkë dhe gjithçka shkonte sipas planit. Anakhonta apo Henlej nuk ishin të dijeni të kësaj, por për ata kjo nuk kishte rëndësi për momentin. Sepse në të kundërt do t'iu duhej të prisnin të dielën tjetër për të vepruar.

Duke e lënë Vin'nilën mes turmës, për t'i bërë të besonin se dhe ai ndodhej pranë saj, u shkëput nga turma përmes errësirës, si të mos donte t'i zgjonte nga gjumi. Nga zërat e ndryshëm të tyre, bëhej një zhurmë e madhe dhe ishte e pamundur të vije re mungesën e njërit prej të burgosurve. Dhe mbi të gjitha, sapo kishin dalë dhe policia ende nuk ishte pozicionuar siç duhej. Ishin të rrëmujshëm dhe të zhurmshëm si të donin të ndihmonin Uardenin për planin e tij të arratisë.

Me sukses arriti të kalojë pjesën e turmës, duke iu shmangur kështu edhe truprojave. Ishte shumë afër derës së daljes. Shfryu i acaruar kur pa dy rojet e tjera që qëndronin para saj. Nuk duhet të kishte harruar që ekzistonin. Ishin 10 prej tyre tashmë, e jo 8. Ishte e kotë të vazhdonte. Nuk kishte menduar asgjë për atë pjesë. Dhe më e rëndësishmja ishte se gjithçka që ishte duke menduar, ishte duke e menduar duke parë ata dhe anasjelltas. Kishte dalë para tyre prej kohësh. Nuk mund të vraponte si i çmendur. Do të prishte gjithçka.

-Çfarë kërkon ti këtu? - u sulën të dy drejt tij. Ai nuk vrapoi, thjesht priti që ata të afroheshin. Nuk i duhej shumë kohë për të sajuar diçka. Por do t'i duhej ndihma e Vin'nilës dhe po shpresonte se ajo nuk kishte humbur midis zërave të tjerë që po zgjonin atë natë të fjetur.

-Më kapën! - ishte afër turmës. Të paktën aq afër sa të gjithë ata që ndodheshin aty mund ta dëgjonin. -Më kapën rojet e Portës së Madhe dhe po vijnë me mua! - këto thirrje dukeshin më shumë si thirrje të kota për të tërhequr vëmendjen, por gjithçka që ai dëshironte të bënte, ishte të nënkuptonte një mesazh që Vin'nila ta dëgjonte. Ajo duhet ta dëgjonte. E për më tepër, ta kuptonte.

E njihte mirë atë thirrje. Po, ai po kërkonte vëmendje, por jo vetëm. Të gjithë u munduan të shihnin ata të tre duke pritur për imazhin e tyre që të shfaqej para të tjerëve, ndërkohë që ajo u shkëput. Duhet të shkonte sa më parë para asaj porte. Ishte gati të bënte gjithçka për t'ia dalë mbanë.

Po shihte rreth e rrotull për të parë imazhin e saj. Nuk dukej asgjëkundi. Më në fund u lehtësua. Ishte e qartë që e kishte marrë mesazhin e tij. Mezi priste të shihte rezultatin.

Ndërkohë ajo vazhdonte të vraponte derisa më me fund ndodhej para asaj që kishte kohë që dëshironte ta shihte sërish pas ditës që u futën në atë vend. Poshtë këmbëve të saj pa disa çelësa të ndryshkur dhe para saj një dryn të të njëjtit lloj. U përkul për t'i marrë pa asnjë dyshim dhe ndjeu një pikë gëzimi t'i rridhte në trup. Futi njërin nga çelësat. Dukeshin të ishin të gjithë të njëjtë. Më pas dëgjoi një zhurmë. Një tingull që kishte kohë që veshët e saj e kërkonin. Dhe pa atë hekur të shtrembëruar të hapej. I kishte ngelur thjesht ta tërhiqte dhe do të ishte e lirë.

E dinte se deri në ato momente ajo do t'ia kishte dalë mbanë. Po shpresonte që të kishte ikur pa e pritur, por ishte i sigurt që nuk do ta bënte. Por nuk mund të priste më gjatë për ta shpëtuar, ndaj duhet të shkonte me të patjetër.

-Shikoni, thjesht ndodhi një keqkuptim! - po mundohej të justifikohej para tyre ndërkohë që ata ishin shumë afër dorëzimit të tij te trupat përgjegjëse. -Më vjen keq djema. E di që nuk do t'jua falin kurrë dhe do të humbisni vendin e punës, por mua më duhet të largohem. Po më pret një jetë e tërë atje jashtë, -kaloi mes tyre duke arritur t'iu shkëputej nga duart. E kishte bërë shpesh diçka të tillë.

-Nuk ka ku të shkojë! Kapeni! - thirrën, ndërkohë që ai vraponte drejt Portës së Madhe, që në pamje të parë nuk dukej e hapur. Prapa saj arriti të shohë trupin hollak të Vin'nilës, që siç dukej kishte kohë që e priste.

-Mirë se erdhe Luvern! - i hodhi një buzëqeshje dhe e tërhoqi jashtë. Para se të largohej me të, u tkurr dhe uli levën e vjetër që qëndonte në anën tjetër të murit. Ishin jashtë.

Comment