/̵͇̿̿/'̿̿¯̿̿¯̿̿ 2

-Anakhonta? Seriozisht? Një grua me një emër të tillë arriti ta marrë atë diamant para nesh? - Vin'nila ende nuk ishte duke e besuar se gjithë ai entuziazëm që përjetoi ishte i rremë, -Si do t'ia bëjmë tani? Ajo ka diamantin. Të vjedhësh një diamant prej një muzeu është e thjeshtë, por të vjedhësh diamantin prej një hajduti është pak e vështirë.


-Të ta kujtoj se të njëjtën gjë the edhe për ta marrë nga muzeu. Më beso, do të jetë sërish e thjeshtë. Ajo dëshiron që ne ta ndjekim, dhe atë do të bëjmë. Nëse nuk do t'i interesonim, nuk do të na tregonte kurrë se ajo kishte Travenierin e vërtetë. Ajo po kurdis diçka dhe ne do ta zbulojmë së shpejti, - mbushi një gotë me ujë dhe e piu qetësisht duke mos e hequr vështrimin nga Vin'nila.


-Ende nuk e kuptoj se pse do të dorëzohesh tek ata, kur nuk je ti ai që ke vjedhur Travenierin Blu, - ishte konfuze për mendimet e fshehta të tij.


-Mos u shqetëso! Do të flasim për këtë pasi të arrestohemi. Do të kemi plot kohë në qeli, - buzëqeshte duke parë reagimet e saj.


-Shpresoj se gjithçka të kesh në kokë, të mos na mbajë gjithë jetën aty brenda. Herën e fundit që u arratisëm, e bëmë për një javë. E kupton se është shumë e mërzitshme të rrish një javë aty brenda? - iu bashkua të qeshurës që dhe ai po bënte. Tingëllonin të çuditshme ndonjëherë fjalët e tyre, për sa kohë që vetëm ata e dinin se për çfarë ishin duke folur.


Edhe pse jo shumë larg, koha për të shkuar në Uashington sërish, kërkonte periudhën e vet të ditës. Forcat e policisë ishin shpërndarë në të gjithë vendin për të gjetur Uardenin dhe diamantin dhe ndoshta do ta kishin më të thjeshtë për t'iu rënë në sy atyre.


Para se të hynin në qendrën e qytetit, aty ku ndodhej dhe muzeu Smithsonian, Elois i gjurmoi duke arritur kështu në ndjekjen e tyre.


-Ata janë prapa nesh! A nuk duhet të na kapin? Pse vazhdon t'iu largohesh?


-Vin, nuk duhet ta dinë se dorëzimi ynë do të jetë i qëllimshëm. Pasi Deret do të na dorëzojë në polici, do të ndihet krenare për lëvdatat që do të marrë nga rajoni i policisë. Do të jetë pak e zënë me to, gjatë kohës që unë të shpjegoj planin, - ishte duke bërë lojë fjalësh dhe lojë garash në ato momente dhe të dyja po i shijonte vërtet shumë.


-Pse nuk ma thua planin që tani?


-Vin, e ke dëgjuar atë shprehjen që thotë gënjeje veten derisa ta besosh gënjeshtrën si të ishte e vërtetë? Ne supozohet të mos kemi një plan. Planin supozohet ta krijojmë në qeli. Kjo është e bukura e gjithë planit. Po filloj ta besoj se kemi humbur dhe të them të drejtën, nuk po më pëlqen aq shumë saç prisja ta pëlqeja, por gjithsesi do të më duhet të duroj për sa kohë kjo është pjesë e planit tim, - ishte shumë afër muzeut. Ndaloi makinën, hapi derën dhe doli prej saj duke e lënë Vin'nilën nën njëmijë pyetje.


-Ku po shkon? Çfarë duhet të bëj? Luvern! - më kot thërriste, pasi ai kishte hyrë brenda muzeut tashmë.


Sërish në ato korridore. Ndonjëherë ndihej i fyer se si e vizitonte aq shumë herë atë vend, dhe kurrë nuk e kishin mirëpritur. Vuri syzet e diellit, shtrëngoi dhe njëherë kollaren dhe ndaloi përpara rojeve që qëndronin para zyrës së zotit Bunch.


-Kam lënë një takim me zotin Bunch para disa orësh, - iu drejtua rojeve, duke shpresuar që të mos e njihnin.


Ata heshtën për disa minuta dhe ai nuk po merrte asnjë përgjigje. Gjithçka që po priste, ishte që të mos ishte bërë aq i njohur ende.


-Më mirë po largohem! - ktheu kokën dhe u bë gati t'ia fuste vrapit kur ndjeu dorën e njërit prej tyre, t'i prekte supin.


-Zoti Bunch nuk ndodhet në zyrë për momentin, por mund ta prisni brenda. Urdhëroni! - hapi derën që të mund të lejonte të ftuarin brenda.


-Sigurisht! - u kthye me një fytyrë të ngurtë për të treguar seriozitetin e tij.


Kishte kohë që priste në zyrën e tij, madje dhe karrigia zyrtare me rrota dhe sustë të lëvizshme, po i dukej e parehatshme në ato momente. Nuk kishte për t'i kuptuar kurrë njerëz të tillë që vonoheshin nëpër takime të rëndësishme, tek e fundit, edhe të tjerët kishin probleme dhe punë të tjera.


Dera u hap, por ai nuk e ktheu kokën të shihte se kush ishte. Qëndronte i kthyer kundër tavolinës dhe sendeve pa vlerë mbi të. E dinte që kishte ardhur koha për pak aksion.


-Përshëndetje! Më falni për vonesën, por më duhej të merresha me disa gazetarë të çmendur që më pyesin gjatë gjithë kohës se ku ndodhet Diamanti i Shpresës. Mendojnë se ja kam dhuruar unë Uardenit, - dukej i lodhur nga mënyra se si fliste, por ajo që do ta lodhte akoma dhe më shumë, nuk kishte filluar ende.


-E di. Nuk bëre mirë që ia dhurove aq papritur. Të paktën të kishe mbajtur ndonjë ceremoni, ndonjë fjongo të kuqe që ta prisnim së bashku, për suksesin tim, - këtë herë, me atë buzëqeshjen karakteristike, u kthye drejt tij, vendosi krahët mbi tavolinë, ndërkohë që gishtat e tij luanin me njëri-tjetrin.


-Uarden?


-Ishte vërtet argëtuese miku im! Shumë faleminderit për shfaqjen! Të them të drejtën, aktrimi yt ishte i përsosur. Fantastik. Për pak mendova se me të vërtetë më urreje.


-Pa problem. E solle Travenierin ashtu siç më the?


-Sigurisht, këtu me mua është. Por t'i qëndrojmë planit. Ti merr Travenierin, por Vin'nila futet në burg. Të them të drejtën isha lodhur nga ajo. Ti je një bashkëpunëtor më i mirë. Shumë i mirë. Pasi Vin'nila të futet në burg, ata do të vazhdojnë të kërkojnë për diamantin blu dhe nuk do ta gjejnë kurrë, sepse ai diamant do të jetë me ty, por jo në këtë muze të shëmtuar. Të them të drejtën Bunch, e shoh qartazi që je lodhur duke duruar gjithë ata turistë të çmendur, gjithë ajo zhurmë dhe sërish asnjë nuk të falenderon. Por për mua, je një mik i mrekullueshëm! Mos e harro kurrë këtë! - atë mirësjellje e kishte pjesë të karakterit, aq i rremë edhe i vërtetë.


-Sigurisht! Dhe unë? Unë nuk do të tregoj asgjë! As që ti erdhe sot këtu! Madje madje, do i them policisë se nuk ishte ti ai që mori Travenierin!


-I shkreti! - mendoi, -Pjesa jote është të heshtësh. Pjesa ime është të veproj. Kalfosh bukur! Unë duhet të shkoj shumë larg prej këtush, që të jetoj jetën time i qetë.


-Hoqe dorë prej Travenierit Blu? - po i dukej e pakuptimtë.


-Çfarë është tek e fundit? Një copë guri antike, - tha, -Ndaj është pikërisht ajo që dua, -mendoi këtë të fundit.


-Në rregull atëherë! Shko shpejt! Unë nuk do t'i tregoj askujt! Askujt! Je i lirë!


Bunch nuk ishte njeri i zgjuar, edhe pse në krye të një institucioni të tillë. Gjithmonë kishte qenë frikacak dhe gënjehej lehtë, ndaj të gjithë përfitonin prej tij.


Uarden vuri re se Vin'nila nuk ndodhej në makinë. Kishte ndodhur pikërisht siç ai e parashikoi. Ajo do të kishte tentuar të largohej dhe më pas e kishte kapur Elois dhe ushtria e saj. Hyri në makinë dhe nuk priti gjatë.


-Dhe një, dy, tre...


-Ndalo! Policia! - rrethuan makinën e tij.


-Fiks në kohë! Mirë se erdhët! Ndihem i nderuar që takohemi sërish zonjusha Deret. Jeni shumë e shpejtë! Duhet të na mahnitni më shpesh me prezencën tuaj.


-Kapeni! - thirri duke mos e hequr vështrimin nga Uarden, -Ti nuk dorëzohesh kaq lehtë. E di shumë mirë. Nuk e di pse po e bën këtë, por të jesh i sigurt se do ta zbuloj së shpejti. Bashkëpunëtoren tënde e kemi ne dhe mos u shqetëso. Nuk do të qëndroni bashkë në të njëjtën qeli. Ju njoh mirë. Po planifikoni diçka, që nuk do t'jua lejoj ta bëni realitet.


-Shumë faleminderit kapitene! Meqë ti më njeh kaq mirë, a mund të të njoh edhe unë ty?


-Futeni në makinë! I çmendur!


***


Po priste për ta parë edhe atë midis të tjerëve. Kishte shumë për t'i thënë. Kërkonte një shpjegim për gjithë atë që kishte ndodhur dhe një arsye të mirë se pse e bëri. Ishte e nevrikosur. Ai njeri kishte dalë jashtë kontrollit, aq sa fuste në kurth bashkëpunëtorët e vet. E dinte se nuk do të gjente qetësi, derisa të merrte një përgjigje për çdo pyetje në mendjen e saj. Kjo varësi nuk po i pëlqente fare dhe kishte filluar t'i mungonin kohët kur punonte e vetme.


Jo shumë kohë më vonë, pa fytyrën e tij të buzëqeshur t'i afrohej tavolinës ku ndodhej ajo. Nuk ia hoqi sytë për asnjë moment, derisa u ul.


-Përshëndetje Vin! Si ia kalove pa bashkëpunëtorin tënd të dashur? Sigurisht që të mori malli. Tani, për planin...


-Vërtet kishe ndërmend të më lije këtu brenda dhe të vazhdoje me planin tënd të fëlliqur atje jashtë?


-Vin, dëgjo!


-Përgjigju!


-Nëse plani shkonte siç duhej, do të ishim të dy brenda, por nëse jo, kisha një plan B që do të realizohej vetëm, për të të nxjerrë ty prej këtush.


-Jo, jo, jo, Luvern! Mos u mundo të më mashtrosh. E di shumë mirë se çfarë ke biseduar me Bunch. Ia ka treguar të gjitha policisë.

Comment