/̵͇̿̿/'̿̿¯̿̿¯̿̿ 32

Fjalët ankth apo frikë nuk mund ta përshkruanin atë ndjesi që kaploi trupin e saj, duke e ngrirë atë gradualisht. Ishte e qartë që Bemnian nuk e kishte harruar ekzistencën e Uardenit dhe për më tepër, dukej të ishte pjesë e planit të tij.

-Askush? - priste që ndokush në sallë të kthente përgjigje, apo të pyeste rreth tij. Kishte kaq shumë për të thënë, por më shumë për të zbuluar. -Atëherë më lejoni t'ju them se Luvern Uarden nuk është aspak një person i thjeshtë. Le ta quajmë një fjalë kyçe emrin e tij, për të treguar një histori interesante.

-Çfarë ka kaq të rëndësishme rreth tij? A nuk supozohet të shpjegohej arsyeja pse na mblodhe këtu në mënyrë kaq anonime në vend të historive të kota? - nuk donte të humbiste kohë duke dëgjuar po të njëjtën histori që Uardeni i kishte treguar disa herë, sepse gjithmonë që e dëgjonte nuk kuptonte asgjë mbi thelbin se pse Elois hoqi dorë nga kërkimi i Bemnianit apo se çfarë ishte kjo e shkuar që do të turbullonte situatën tani që tre personazhet kryesore të historisë, do të mblidheshin sërish së bashku. Njëkohësisht, duhet të tregohej e interesuar për të mos ngjallur dyshime, por nuk e dinte se sa do ta arrinte këtë.

-Nëse do të të thosha që ai është arsyeja, a do të më besoje? - iu drejtua Anakhontës me një ton të butë, tashmë për të pritur një përgjigje të parashikueshme.

Në atë pikë e kuptoi që kishte vepruar gabim. Dukej sheshit që ajo s'ishte pa gjë, në të kundërt nuk do të reagonte në një mënyrë aq kundërshtuese. Të gjithë kishin hedhur vështrimin nga ajo, e cila hyri e fundit në atë dhomë, por e para në diskutim. Ndaj nuk i ktheu një përgjigje të mirëfilltë, duke u munduar të fshihte faktin që bashkëpunonte me Uardenin.

-Jo.

-Atëherë bëni mirë të më dëgjoni. Para se të nis me historinë, a ka ndonjë të interesuar që dëshiron të shprehë mendimin e tij? - pa marrë frymë vazhdoi, -Jo. Atëherë vazhdojmë!

Nëse do të ishte e mundur që të kthehej sërish jashtë atij vendi për të pretenduar se nuk kishte bërë asgjë, do të ishte duke u arratisur. Edhe pse Uardeni dukej kaq i sigurt në atë që kishte ndërmend të bënte, një pjesë e saj i thoshte gjithmonë se e gjitha që po bënin ishte e gabuar dhe se së shpejti do të binin pre e diçkaje të papritur siç gjithmonë kishte ndodhur. Arsyeja ishte se Uardeni ishte gjatë gjithë kohës i sigurt, dhe ajo siguria e tij e përhershme nuk i kishte lënë përshtypje të mira, sepse kishin dështuar disa herë me rradhë.

-Qëndrimi ynë në këtë vend është momentalisht, sepse besoj se e di shumë mirë se nuk do të pres për Anakhontën apo Bemnianin të hedhin hapin e parë, - ktheu kokën nga Vin'nila. E vuri re qartazi se fytyra e saj e ngrysur nënkuptonte se ishte duke menduar thellë për diçka që ndoshta ai nuk e kishte vënë re ose nuk i kishte dhënë rëndësi. Ishte mësuar me pasigurinë e saj, por këtë herë nuk do ta lejonte që plani i tyre të ndikohej nga kjo. -Nuk kemi kohë Vin'nila. Nuk kemi aspak kohë për t'u menduar. Që nga momenti që shkelëm në këtë vend, kemi qenë të rrezikuar, por të lutem, nuk është hera e parë që ndodh. Por nëse je duke u menduar ende për Henlein dhe faktin që ai ndodhet ende në Indi, më lejo të të kujtoj se nuk do të jetë e lehtë për asnjërin nga ne. Të gjesh diçka të humbur prej shekujsh nuk është e lehtë, të gjithë e dinë këtë. Dhe mbi të gjitha, besoj se ishe e informuar se njëri nga ne duhet të qëndronte. Nuk ma merr mendja se mendoje se do të qëndroja unë, apo jo? - kjo e fundit e linte në dyshime, sepse ndryshimet që po vërente tek ajo kohët e fundit, nuk po i pëlqente aspak. Nuk e fajësonte, sepse deri diku, ndjekja e kësaj legjende ishte bërë e mërzitshme edhe për të, por kjo nuk e shtynte të hiqte dorë.

-Aspak! Thjesht nuk dua të dështojmë sërish Luvern. E kam thënë këtë disa herë, mirëpo asgjë nuk ka ndryshuar.

-Më beso që edhe nëse vazhdon ta thuash nuk do të ndryshojë gjë. Tek e fundit ajo që do të kemi në fund, do të këtë përfitimet e veta, - iu afrua duke i buzëqeshur, ndërkohë që dëgjoi derën e dhomës të hapej.

-Ju jeni punonjësit e rinj mos gaboj? - hyri një grua që siç dukej, i ishte ngarkuar përgjegjësi të merrej me ta.

-Po, - tha, pasi u kujtua se ku ishin futur.

-Besoj se i dini rregullat. Nuk ka neglizhim të punës. Orari i pushimit është në orën 12:00, ndërkohë që në çdo moment tjetër para orës 12:00 dhe pas orës 13:00, duhet të jeni në shërbim të plotë të klientëve tanë. Besoj se isha e qartë, - vuri dorën në dorezën e derës për ta mbyllur, por më parë po priste një përgjigje nga ana e tyre.

-Patjetër! - ia ktheu shkurt dhe me një buzëqeshje të shtirur u kthye nga Uardeni pasi ajo kishte dalë nga dhoma. -Tani më thuaj se çfarë supozohet të bëjmë me këtë?

-Të kryejmë punën tonë! - si të donte të ishte i sigurt, po kërkonte nëpër sirtare formularin e rremë që kishte plotësuar.

-Dhe cila është saktësisht puna jonë?

-Nuk ia kam idenë. Më lejo të të them diçka. Nuk e di aspak. Nuk isha unë ai që na futi në këtë vend. Nëse e gjej këtë, - ishte ende duke kërkuar, por pas disa minutash hoqi dorë. -Mos u shqetëso! Punonjësit e vërtetë do të vijnë së shpejti. Askush nuk do të kujtohet për ne në një vend kaq të madh, kështu që do të pretendojmë sikur nuk jemi në këtë vend.

-Dhe si do të ndodhë kjo? - ishte kureshtare të dëgjonte.

-Nuk do të na i ndjejnë mungesën, më beso! - u ul në një karrige aty pranë, dhe filloi të mendonte.

Mbante mend shumë momente. Edhe pse disa prej tyre nuk ishin të rëndësishme dhe disa nuk do t'i tregonte para qindra njerëzve që ende nuk i njihte sa duhej. Megjithatë, një pjesë e mirë e historisë, kishte ardhur koha të njihej.

-Të them të drejtën, nuk më kujtohet të jem përkushtuar kaq shumë në rrëfimin e diçkaje të tillë, pasi për një kohë të gjatë u shkëputa nga e gjitha. Të mira apo të kota të jenë disa momente në jetën tonë, gjithmonë dëshirojmë t'i harrojmë, por fatkeqësisht nuk ndodh. Ndoshta mund të quhet edhe fat fakti që filloi të më interesonte prapë kjo temë, falë Luvern Uarden, ai për të cilin po ju flisja pak më parë. Kohë më parë, më lejoni të them se ndoshta 8 apo më shumë vite më parë, unë dhe Uarden ishim një dyshe e pandashme. Sigurisht që karriera jonë as nuk filloi dhe as nuk përfundoi si e tillë. Uarden ishte i zgjuar dhe kjo më bënte që ta mbaja pranë vetes. Përveçse i tillë, më njihte mirë, por ndoshta jo aq sa të kuptonte se bashkëpunimi ynë nuk do të zgjaste përgjithmonë. Kur kjo u kuptua, vendosëm t'i jepnim fund, por e dija shumë mirë që ai nuk do të hiqte dorë nga plani ynë. Duke qenë bashkëpunues në atë plan, nuk më dukej ide e mirë që ai ta vazhdonte atë i vetëm, pasi kontributi im ishte i madh deri aty ku kishim arritur bashkë. Mirëpo Uardeni nuk do të dorëzohej dhe ky është një fakt i kryer, pasi edhe në ditët e sotme ai ende është duke zbatuar planin tim. Qëllimi ynë i përbashkët ishte të zotëronim Diamantin e Shpresës, por pasi ai e kuptoi që për sa kohë punonim bashkë, diamanti do të më përkiste mua, më sugjeroi t'i jepnim fund skuadrës sonë. Epo për këtë isha mjaft i impresionuar, pasi në gjithë ato vite bashkëpunim, ai nuk e kishte kuptuar se sapo ne të përmbushnim qëllimin tonë, unë do të largohesha, sepse nuk do ta lejoja kurrë që merita ime të qëndronte në duart e tij. Unë u ktheva në Meksikë me idenë që Uardeni nuk do të rendë më pas Tavernierit, por isha gabim, - mori frymë dhe pa drejt turmës. -Çdo histori ka fundin e vet, apo jo? Ama kësaj tonës nuk i ka ardhur ende. Prandaj jam këtu për ta finalizuar atë. E di që për të përmbushur bashkëpunimin e Uardenit m'u desh të mblidhja shumë nga ju, por do të funksionojë. Nuk dua t'ju zhvlerësoj aspak, por këmbënguljen e tij nuk e ka asnjëri prej jush, ndaj jeni kaq shumë për të përmbledhur një. Gjithsesi, shpresoj t'ju këtë pëlqyer shfaqja dhe të kemi zhdukur paqartësitë me të cilat të gjithë u shfaqët këtu. Ju do të jeni fundi i historisë, kështu që për momentin po ju lejoj të ndiheni të lirë të mendoheni edhe pak, ndërkohë që unë kam disa detyra më të rëndësishme për të kryer. Do të shihemi sërish!

Me kaq i dha fund fjalimit të tij. Mund të shihje qartë pikëpyetjet në mendjet e atyre që dëgjuan. Ishin të konfuzuar se çfarë duhet të bënin tani që ai u largua, ndërsa Anakhonta i shkoi pas.

Comment