/̵͇̿̿/'̿̿¯̿̿¯̿̿ 29

Vendi ishte i izoluar. Të gjitha dyert ishin mbyllur. Të ngecur brenda atyre mureve, nuk po dinin si të vepronin, kur e dinin shumë mirë që Uarden ishte duke u larguar bashkë me Vin'nilën, pa kthim pas. Duhet të njoftonin pjesëtarët e tjerë të atij vendi. Edhe të burgosurit ishin të hutuar. Shumica e tyre mendonin se ai ishte thjesht me fat, e të tjerët që e njihnin mirë, nuk ishin të befasuar për largimin e tyre. Askush nga ajo turmë nuk do të guxonte të arratisej aq hapur. Dhe për më tepër, nuk do të mundej.

-A e mban mend adresën për të cilën na foli Anakhonta? - thërriste drejt tij, pasi ishin duke vrapuar me një shpejtësi aq të madhe drejt rrugës kryesore, sa era që përplaste fytyrat e tyre, nuk e lejonte zërin të dëgjohej plotësisht.

-Mendoj se po! Më ndiq! Do të largohemi menjëherë nga ky vend! - më në fund kishin arritur në një ngushticë që të çonte në rrugën e asfaltuar. -Me këtë do të jemi të sigurt. Do të bëjmë pak rrugë dhe më pas do ta ndërrojmë, - pa një makinë policie të parkuar aty pranë. Nuk do të rezistonin gjatë me atë, ndaj mendoi diçka tjetër.

-Besoj se po, -nuk kishte zgjidhje tjetër veçse ta dëgjonte. Tek e fundit ende nuk ishte njohur me atë që ai do të vazhdonte të bënte.

Hipën në makinë me të shpejtë, duke mos i kushtuar rëndësi asgjëje tjetër, veç largimit sa më të shpejtë. Këtë herë nuk duhet të dështonin. Këtë herë nuk do të dështonin.

-Do të shkojmë tek hoteli në të cilin qëndronim prej kohësh. Merre këtë, -i drejtoi telefonin e tij. -Shkruaji një mesazh Anakhontës. Të jetë para hotelit sa më shpejt të jetë e mundur. Do të vijë me ne. Elois nuk do ta lërë të qetë, -ishte i përqendruar në rrugën që po bënte, edhe pse jo në mendjen e tij.

-A nuk mund thjesht ta bëja me telefonin tim? - hodhi një vështrim pyetës drejt tij.

-Jo. Nuk do t'i kushtonte rëndësi mesazhit nëse do të ishte nga ti. Ndoshta nëse i shkruaje kështu tha Uardeni, ose të kërkon Uardeni, do të përgjigjej. Por për të mos humbur kohë, - ia drejtoi sërish me një buzëqeshje. Ajo tundi kokën me të njëjtin reagim dhe filloi të germëzonte mesazhin që po shkruante.

-U bë! - thirri sapo pa ikonën e vogël të shfaqej në ekran, ngjitur me atë që kishte dërguar.

-Tani të arrijmë sa më shpejt. Nuk duhet ta lëmë të presë, -shtypi gazin dhe u drejtua nga rrugica që të çonte para hotelit.

Fatmirësisht atë e gjetën në vendin e dëshiruar. Ishte gati të shkonte me ta, edhe pse nuk e dinte arsyen. Tashmë nuk ishte vetëm. Pranë saj arritën të shihnin trupin e Henleit të qëndronte i mbështetur me të sajin, që dukej sikur do të rrëzohej nga momenti në moment. Frenoi para këmbëve të saj dhe hapi derën për të dalë.

-Shpejt! Nuk kemi kohë, - u drejtua nga makina e tij që qëndronte e parkuar aty prej kohësh.

-Henlej? - u drejtua nga Anakhonta duke pritur për një përgjigje se pse ai ndodhej në atë gjendje.

-Jua shpjegoj më vonë. A nuk duhet të largohemi sa më shpejt? Mendova se edhe ai duhej, - buzëqeshi dhe u afrua pranë Vin'nilës në mënyrë që ta ndihmonte të fuste trupin pa ndjenja të Henleit në makinë.

-Të gjithë këtu! - i lajmëroi kur i pa të shpërqëndruara.

Do të luante mendsh. Nuk mund të ishte e vërtetë. Këtë herë jo. Jo kaq papritur. A do t'i duhej të fillonte sërish nga fillimi? Ndihej e inatosur, e nervozuar, e dorëzuar dhe e etur për t'i ndjekur njëkohësisht. Nuk kishte se kujt t'i drejtohej për atë që kishte ndodhur, pasi e dinte qartazi se ishte i gjithi faji i saj. Mendonte se nëse nuk do t'i kishte trajtuar si gjithë të burgosurit e tjerë, duke i kufizuar akoma më shumë, nuk do t'ia kishin dalë mbanë të arratiseshin.

-Do të vendosemi menjëherë në kërkim të tyre! - nuk do të rreshtte së e bëri të njëjtën gjë disa herë. Në fund të fundit, kjo ishte puna që e karakterizonte. Por ishte lodhur më tepër nga sa mendonte. Kur i rifitoi, mendoi se nuk do të mund të largoheshin më, por e dinte që nuk ishin të vetëm. Dikush duhet të ishte duke i ndihmuar. Dhe padyshim që ishte Anakhonta, pas gjithë asaj që i kishte bërë të përjetonte. Ishte e sigurt që ajo kishte pritur momentin e duhur për ta bërë të çmendej. Dhe vërtet pati rezultat.

-Patrulla 12 në kërkim, patrulla 9 në pritje, patrulla 24 me mua, - u nis drejt daljes. Vendi ishte ende i izoluar. Para se të largohej, Uarden kishte ulur levën jashtë Portës së Madhe, e cila bënte të mundur që vendi të izolohej nga brenda, dhe në pamundësi për të dalë prej atysh, nëse dikush nuk vepronte që jashtë. Kjo nuk do t'i ndalonte dhe kjo ishte e sigurt. Por do t'i mbante të zënë për një kohë relativisht të mjaftueshme për ta, për të zhdukur gjurmët. Të gjithë ishin mbledhur aty për të dëgjuar urdhrin e rradhës, i cili po vonohej nga ana e Elois.

-Pra më thuaj Anakhonta, -ishin larguar mjaft nga vendi prej të cilit u nisën. Për pak minuta do të ndodheshin jashtë qytetit, -si arrite ta bindësh të vinte me ty, pasi ishte i vendosur që do të largohej pasi të merrte Vin'nilën? - ishte i informuar për çdo detaj të planit të tij. Edhe pse po reagonte si gjithçka të ishte komike, kjo gjë nuk i pëlqeu nga Henlej.

-Siç ju thashë ai do të refuzonte para se ta pyesja, kështu që m'u desh të zgjidhja mënyra alternative si rrëmbimi i tij, apo diçka e ngjashme me këtë. Mos u shqetësoni! Do të mësohet shpejt. Është pranë njerëzve të tij, -buzëqeshte ndërkohë që i përkëdhelte ngadalë flokët dhe vështronte fytyrën e tij të heshtur.

-A është mirë? - dukej sheshit se ishte i detyruar që të shkonte me Anakhontën, por ende nuk ishte njohur me mënyrën me të cilën arriti ta bënte këtë.

-Do të ketë pak dhimbje koke kur të zgjohet, por do t'i kalojë. Ai është i fortë. Dhe kur t'ju shohë do të harrojë plotësisht për atë dhimbje, për planin që kishte thurur, apo për mua, - vazhdonte të bënte të njëjtat lëvizje, e ndoshta do të vazhdonte derisa makina të ndalonte.

-A je e sigurt për atë të fundit? - ideja që Henlej nuk do të mendonte më për Venerën, i dukej e pakuptimtë. E dinte se thellë thellë, ai nuk do të donte kurrë të largohej.

-Uarden e di që deri diku ne ishim me njëri-tjetrin, dhe ishin vërtet çastet më të lumtura, por nuk mendoj se do të mund t'i kthehemi asaj kohe. Të paktën, jo për momentin, - nuk dëshironte të mendonte në atë mënyrë, por nuk kishte rrugëzgjidhje tjetër. Për sa kohë Henlej mbante një qëndrim të akullt kundrejt saj, nuk mund të vazhdonte të sillej si të ishte e vetmja që kishte faj në atë mes. Të gjithë ishin të përfshirë, ndaj nuk duhet të ishte e vetmja që vazhdonte të kërkonte për më shumë dhe më të mirën.

-Do të rregullohet gjithçka. Mbetet për t'u parë. Që jemi të lirë dhe bashkë, është një avantazh i madh. Ndaj nuk do t'i humbasim shpresat. Ato sapo kanë lindur mes nesh.

Tashmë ndodhej para hotelit në të cilin ajo vetë banonte prej kohësh. Duhet të fliste menjëherë me Anakhontën. Nuk do ta lejonte të ishte e pavarur pas së gjithash.

-Kontrolloni kudo! - nuk mund ta pranonte faktin se ajo ishte larguar. Nuk mund të largohej aq shpejt. Vetëm nëse ishte arratisur para Uardenit dhe Vin'nilës.

-Këtu nuk ka asgjë, - raportoi njëri prej policëve, ndërkohë që ajo ende vazhdonte të mendonte se nuk do t'ia hidhte aq kollaj. Dukej sheshit se ishte komplot midis saj dhe Uardenit. Nuk mund të ishte rastësi zhdukja e tyre në të njëjtën kohë.

Do të mendonte diçka sa më shpejt. Duhet të kishin lënë diçka pas nga nxitimi. Diçka që do ta ndihmonte ose do t'i drejtonte nga ata. Për një çast iu kujtua Henlej. Se si ai u largua i tensionuar, duke menduar për mos pasur një rrugë kthimi. Ndoshta nëse e gjente, do të ishte një karrem i mirë për ata të 3. Të paktën për Vin'nilën. Por nuk ishte më e zgjuar se Anakhonta. Ajo e kishte menduar këtë kohë më parë. Nuk do t'ia lejonte vetes që Henlej të përbënte sërish kërcënim apo rrezik për të.

Nëse nuk do të ishte hakmarrëse, do të kishte hequr dorë kohë më parë nga ajo çështje. "Nuk do t'ia dalësh kurrë! Sado të mundohesh nuk do të mund ta zhdukësh kurrë aftësinë time për t'u larguar nga ti. Është e pakuptimtë të vazhdosh Elois Deret. Do të përfundosh gjithmonë duke na ndjekur. Ndaj do të jesh gjithmonë pas nesh.". Sa të vërteta mund të ishin fjalët e Uardenit në ato momente? Më shumë se kurrë më parë. Sa më shumë të mundohej, aq më i qartë bëhej fakti se nuk do të fitonte asnjëherë dhe ato fjalë i kumbonin në mendje. Ishte vetëm fillimi i atij që Uardeni e quante projekt. E sa do të mund të rezistonte?

Comment