/̵͇̿̿/'̿̿¯̿̿¯̿̿ 23

Një kureshtje e madhe vlonte brenda saj. Po mundohej të anashkalonte fjalët plotësuese të Anakhontës, për të dalë drejt e në temë. Për momentin, nuk i interesonte aspak se pse kishte ardhur për t'i takuar apo pse kishte vendosur të bashkëpunonte me ta, por çfarë kishte mësuar ishte ajo që po kërkonte të dëgjonte.

-Pra, siç të thashë, -u përkul prapa duke nxjerrë laptopin e saj nga çanta, -keni gabuar diku, -hapi kapakun e tij dhe vazhdoi t'i tregonte, ndërkohë që ajo nuk nxirrte fjalë. -Bëra një kërkim rreth tempullit. Krejtësisht i pastër. Asnjë shenjë e asaj që po kërkonit ju. Të paktën asnjë shenjë e ndonjë guri të çmuar. Kishit të drejtë. Diamanti mund të ketë qenë në atë vend, por jo për shumë kohë. Ishte e dukshme që të gjithë ishin të interesuar mbi një diamant të tillë ndaj nuk ma merr mendja që ndodhet ende në tempull. Kjo mund të ishte dhe një mënyrë e mirë për të mashtruar ata që dëshironin të merrnin atë diamant. Ndoshta e kanë mbajtur në tempull, edhe pse të gjithë mendojnë se nuk është vend i përshtatshëm për një diamant të tillë aq të kushtueshëm dhe nuk mund të lihej në një vend me siguri aq të vogël. Kështu mendoja unë. Por me sa pashë në këtë video, -ktheu ekranin nga Vin'nila në mënyrë që të mund të shihte pamjen, -nuk duket asnjë shenjë misterioze apo diamanti. Është një video e postuar disa muaj më parë nga një turist në blogun e tij. Ideja që ata e kanë lejuar hyrjen e tij në tempull pa asnjë problem, më bëri të mendoj se nuk ka asgjë të dyshimtë në një vend si ai.

Kishte dëgjuar shumë. Edhe sa plane të tjera do t'iu shkonin dëm?

-Në fakt, -filloi të tregonte edhe ajo arsyen se pse dëshironin ta takonin, -ne nuk e dinim që ti kishe zbuluar diçka kaq të madhe. Përkundrazi, nuk ishim të sigurt nëse do të pranoje të bëje diçka për ne, -duhet t'ia tregonte.

-Çfarë? -ishte kureshtare të dinte se pse pikërisht ata që e kishin refuzuar, kërkonin ndihmën e saj.

-Luvern tha se do të ishe e vetmja e cila mund të kishe kontakt me Henlein. Ne s'mund t'i tregojmë asgjë që këtu, ndaj do të të kërkonim që ta informoje të kthehej në këtë qytet. Nuk kemi mundur t'i themi asgjë, - po shpresonte të dëgjonte ndonjë lajm të mirë nga ana e saj.

-Jam munduar disa herë të lidhem me të, por fatkeqësisht nuk më është përgjigjur. I kam telefonuar disa herë dhe i kam dërguar mesazhe, madje edhe që ju arritët të arratiseshit në fillim. Ose nuk dëshiron të flasë dhe më injoron, ose nuk është në gjendje të flasë... Ndoshta nuk është mirë... Ndoshta është në rrezik! - e kapi paniku. Nuk e kishte menduar më parë që kjo mund të ishte arsyeja e mosprezencës së tij.

-Mos e mendo këtë! Nuk besoj të mos jetë i vetëdijshëm. Tek e fundit askush nuk e di që ai ka lidhje me ne. Çfarë do të kërkonin prej tij? - pavarësisht se kjo po e shqetësonte disi, duhet të qëndronte optimiste.

Ktheu kokën dhe pa Uardenin të vinte drejt tyre. Iu duhej mbështetja e tij për të vazhduar.

-Gjithçka në rregull? - pyeti pasi pa fytyrat e tyre të shqetësuara.

-Përveç faktit se i gjithë plani ynë shkoi sërish dëm dhe se asnjëri prej nesh nuk ka pasur kontakte me Henlein që nga momenti që ai u largua, në rregull. A mund të quhet në rregull? - iu drejtua si të dëshironte të mësonte përgjigjen nga ai.

Kaloi nga ana tjetër duke u munduar të shohë se çfarë po luhej në laptop. Duke parë videon në qetësi, e kuptoi se ku donte të dilte Vin'nila me ato që tha dhe se çfarë kishte kuptuar Anakhonta.

-Pra ju mendoni se diamanti nuk gjendet në tempull? - dëshironte të dëgjonte mendimet e tyre, para se edhe ai të thoshte atë që kishte marrë vesh nga ajo video.

-Është një video e postuar disa muaj më parë nga një turist në blogun e tij. Ideja që ata e kanë lejuar hyrjen e tij në tempull pa asnjë problem, më bëri të mendoj se nuk ka asgjë të dyshimtë në një vend si ai, - përsëriti sërish me vështrimin drejt tij.

-Kështu mendojmë. Pastaj, në atë video nuk tregohet asgjë që të ngjajë me ndonjë diamant apo diçka lidhur me të, -të dyja po prisnin për reagimin e tij.

-Bemnian Tapatio, ose i njohur ndryshe edhe si gjuetar thesarësh; një nga më të njohurit në Meksikë. Nuk keni dëgjuar kurrë për të? - i habitur nga mosdija e tyre dhe duke parë se të dyja ishin po aq të habitura nga fjalët e tij, vendosi të vazhdonte pasi nuk mori një përgjigje, -Videoja është postuar 7 muaj më parë, është errësirë, vendi është i ndriçuar nga dritat e ndezura të tempullit, pra është e qartë që është natë dhe nuk mund të shohësh asnjë njeri tjetër rreth tij. A nuk ju ngjall edhe juve dyshime e gjitha kjo?

-Në fakt, -filloi të mendonte më mirë, -tani që po e mendoj nga këndvështrimi yt, nuk e besoj faktin që ka hyrë paqësisht në katet e tjera të tempullit. Siç e the edhe ti, nuk ka asnjë njeri tjetër prezent në video. Dhe për sa kohë është gjuetar thesarësh, nuk ka ardhur pa qëllim në këtë vend, -situata sa vjen e bëhej më e pakuptueshme dhe më e vështirë për ta. Siç dukej, kishin mësuar shumë pak.

-Më duhet të di; a ka ndonjë video tjetër ku ekspozohen këto pjesë të tempullit? - vazhdonte të kërkonte më shumë detaje rreth asaj që duhet të fillonin të bënin.

-Më vjen keq t'ju ndërpres, por kaq ishte takimi juaj, - kaloi sërish aty, sërish duke parë drejt Anakhontës, e cila sapo e pa të vinte drejt tyre, mbylli menjëherë laptopin për mos e lejuar të shihte atë me të cilën po punonin. Kishte shumë pyetje për t'i bërë.

-Shihemi! - tha pasi u ngrit dhe u drejtua nga dalja. Vërtet iu tha se Travenieri nuk ishte më në duart e saj, por nuk pati mundësi t'iu tregonte rreth partneritetit mes saj dhe Elois dhe ende nuk ishte e sigurt nëse ata duhet ta dinin për këtë.

Ishin prapë të dy mes atyre katër mureve, që sa vjen e iu dukeshin më të ngushtë dhe sa më shumë kohë të kalonte ata do të afroheshin aq shumë me njëri-tjetrin, sa ata nuk do të arrinin  të merrnin frymë.

-Për çfarë po fliste Elois kur erdhi për të të marrë, -pas së gjithës, nuk mund ta harronte atë që dëgjoi.

-Asgjë me rëndësi. Thjesht diçka që më duhej ta sajoja për të kontaktuar me Anakhontën, por nuk pati rezultat, -ishte shtrirë duke u munduar të numëronte njollat e vajit në tavan.

-Travenierin e ka Elois, -shpejtoi t'i tregonte për lajmin që e tronditi më shumë.

-E pamundur! - u ngrit duke hequr dorë nga numërimi, -E si ndodhi?

-Anakhonta tha se gjatë përpjekjes së saj për ta sjellë diamantin në Indi për ta pasur pranë vetes, Elois kishte zaptuar njerëzit e saj, duke rrëmbyer kështu nga ata besimin dhe Travenierin sigurisht, -shqetësohej gjithmonë që e kujtonte.

-Kjo nuk duhet të kishte ndodhur. Do të na duhet të fillojmë nga fillimi. Gjithë kjo rrëmujë dhe asgjë! Asgjë e vlerës! - këtë e thoshte pasi e dinte mirë që Elois nuk do ta kthente Travenierin në muze. Të paktën jo në duart e Bunchit.

Gjithçka që po shpresonte për momentin, ishte që Elois të mos i kushtonte shumë rëndësi vizitës së saj, por kjo dukej të ishte e pamundur. Ajo mezi po priste të merrte përgjigje për çdo pyetje dhe për më tepër të mësonte se çfarë e bëri atë të shkonte të takonte Uardenin dhe Vin'nilën.

Doli për t'u larguar sa më shpejt, por ishte e dukshme që Elois nuk do ta lejonte pa marrë atë që dëshironte.

-Duhet të flasim! - i tha shkurt nga dritarja e hapur, para se të ndizte makinën.

-Çfarë Elois? Çfarë? - hapi derën, doli nga makina dhe iu drejtua si të mos kishte kohë të dëgjonte ankesat e saj. Vërtet s'kishte kohë.

-Çfarë ishte gjitha kjo? A ma shpjegon pak? A nuk më the se ishe dakord të vazhdonim? - ishte e acaruar. Më shumë e inatosur që po punonte prapa krahëve të saj.

-Për çfarë Elois? A nuk e more atë që dëshiroje? Ti je ajo që nuk e ke mbajtur fjalën. Më the se do të më ktheje diamantin pasi të kishe mbaruar punë me Uardenin. Më thuaj. Pse? - nuk i kishte harruar premtimet e saj boshe.

-Nuk duhet të veprosh ndërkohë që unë s'të jap rëndësi. Kjo nuk do të thotë që kam mbaruar punë me Uardenin, apo që t'i duhet të bësh plane vetjake, - dëshironte një shpjegim, por edhe i detyrohej një shpjegim.

-A nuk je ti ajo që punoi pa mua? Kishe në plan të kapje Uardenin dhe Vin'nilën në tempull dhe nuk më tregove aspak rreth kësaj. Fakti se je police, nuk do të thotë se të besoj. Dhe fakti se mendon se je gjithmonë saktë dhe mbi të tjerët, nuk do të më ndalojë të veproj kur e shoh të arsyeshme. Nuk je aspak më lart se unë. Mbaje mend këtë. Dhe nëse po e shijon këtë punë, është falë nesh! - i drejtoi gishtin sikur po e qortonte dhe e shtyu lehtë për të kaluar para saj. Hyri sërish në makinë dhe u largua, duke e lënë të mendohej për atë që do t'i duhej të bënte në vazhdim. E dinte që nuk mund të përfundonte aq lehtë.

Comment