/̵͇̿̿/'̿̿¯̿̿¯̿̿ 4

Po ecte në rrugë. Ndoshta hera e fundit që e bënte. Ndoshta hera e fundit që shkelte aty. Teksa numëronte çdo hap larg rajonit, i kujtoheshin fjalët e tij:


"Ti nuk ke vend këtu Elois! Nuk përket këtu. Aftësia jote është e mahnitshme, por fatkeqësisht nuk është ajo që ne kërkojmë. E di që duket budallallëk ta dëgjosh këtë, por ne duam që të gjithë të jenë të njëjtë këtu. Të gjithë të japin të njëjtin kontribut dhe të mos ketë kundërshtime në marrjen e një vendimi. E di Elois? Gjithmonë kam menduar që ti je më e afta në këtë vend. Ndaj po të këshilloj të largohesh prej këtush. Këtu gjërat funksionojnë ndryshe. Nuk ekziston drejtësia në këtë vend. Ndaj largohu. Gjej dikë si vetja. Dikë me vullnet dhe besim në vetvete. Dikë që ia del gjithmonë në mënyrën më të mirë dhe më të lehtë të mundshme. "


Vërtet i dukej qesharake të pushohej nga puna sepse ishte më e aftë se gjithë të tjerët. E çfarë mund të bënte e vetme? E vetmja gjë e drejtë në ato momente po i dukeshin pikat e shiut që qullnin trupin e saj. Binin qetë mbi xhaketën e kaftë, duke krijuar nuanca më të errëta të saj, shpërndaheshin në pëlhurë si valë zanore, por megjithatë nuk arrinte të ndiente asnjë të ftohtë.


"Nuk dua që i gjithë mundi im të shkojë kot! Kemi vite që mundohemi ta kapim sërish një njeri të tillë që është i kërkuar në të gjithë botën. Pse pranove? Pse pranove të largoheshin aq shpejt? Ne ende nuk kishim marrë vesh se ku ishte diamanti blu. Pse e bëre? Pse? A do të ta lejojë ndërgjegjja të përdoresh atë shumë parash për interesat e tua? Po mundi jonë? Koha? Lodhja? Nuk llogariten ato në çmim? "
A ia vlente të fliste pasi e gjitha kishte ndodhur?


-Nuk e dija se plani yt do të funksiononte kaq shpejt! - ishte e lumtur që ndodhej sërish jashtë, dhe pavarësisht planit, nuk do të futej më kurrë aty brenda.


Ai dukej i përhumbur. Nuk e shihje shpesh në ato rrethana. Vin'nila nuk po e kuptonte se ku qëndronte problemi. Ai thjesht vështronte rrugën e kthimit.


-Luvern? Ndonjë problem? Mos vallë ka shkuar diçka gabim? Ah, e dija që diçka do të mungonte sërish!


-Jo Vin'nila! Plani im nuk u vu kurrë në zbatim, - mbante po të njëjtin qëndrim.


-Çfarë do të thuash? - filloi të ndiente konfuzionin të rridhte në venat e saj.


-Nuk shpëtuam prej planit tim. Por prej saj.


-Prej kujt? Asaj polices të fiksuar? S'ka mundësi!


-Anakhonta! Ajo e bëri.


-Atëherë ta falënderojmë!


-Ti nuk po e kupton Vin! Përse do ta bënte ajo diçka të tillë? Në fillim me diamantin, tani me nxjerrjen tonë nga burgu... Nëse ajo arrin të na nxjerrë prej atij vendi, do të thotë se edhe mundet të na fusë nga momenti në moment. Nuk e di se çfarë po kurdis ajo femër, por do ta zbuloj së shpejti. Nuk mund të rri i qetë me faktin se jam jashtë, - sytë i mbante gjysmë të hapur, gjë që e ndihmonte të mendonte më thellë.


-Ndoshta thjesht dëshironte të na bënte një nder! Tek e fundit, vijmë prej të njëjtës frymë jetese, apo jo? - nuk mendonte se kishte diçka specifike pas imazhit të saj, por dukej të mos i interesonte dhe aq shumë kjo çështje.


-Kësaj i frikësohem. Nëse do të ishte një njeri i thjeshtë, do të kishte një qëllim sipërfaqësor ose do të na kërkonte diçka në shkëmbim. Por ajo është si ne Vin'nil. Ajo dëshiron diçka prej nesh. E di shumë mirë këtë. E ndjej se nuk ishte diçka pozitive nxjerrja jonë nga burgu.


-Ti mendon shumë. Dhe mendon për gjënë e gabuar. A nuk duhet të ishe duke menduar tani se si do ta marrim Travenierin Blu? Ai është qëllimi ynë, apo jo? Jo Anakhonta apo kushdo tjetër qoftë. Kthjellohu! - nuk po i pëlqente aspak ajo situatë e krijuar në ato momente. Ishte tepër e lodhur për të menduar të tilla çështje.


-Ti mendohu Vin'nila! Ti! Askush nuk përpiqet të nxjerrë dikë nga burgu pa një qëllim! Ose je i pafajshëm, ose ke bashkëpunëtor të brendshëm ose të jashtëm, ose je me fat dhe të duan njerëzit. Asnjëra nga këto nuk na lidh me atë, kështu që ajo e ka një plan. Një plan që ose po pret që ne ta zbulojmë vetë, ose nuk do ta zbulojmë kurrë.


-Je duke u munduar kotë së koti Luvern! Ti e the vetë; ajo është më e zgjuar se ne. Sigurisht që e ka një plan me ne ose për ne. Dhe edhe nëse kemi një jetë kohë për të menduar, s'kemi për ta zbuluar kurrë. E di pse? Sepse ne krijojmë planin, më pas veprojmë. Ndërsa ajo vepron, më pas krijon planin. Është një shkallë më lart se ne.


-Nuk është! - shpejtoi hapat për të arritur një makinë të parkuar përballë një restoranti ku njerëzit harronin se kishin një jetë. Theu derën dhe hyri brenda, duke pritur që dhe ajo të bënte të njëjtën gjë.


-Mos ndoshta të ndihmon kjo të mendosh për planin e Anakhontës? Edhe pse nuk e kam parë kurrë atë vajzë, po fillon të më pëlqejë. Është shumë më e aftë se ne.


-A mund të mos e përsëritësh më atë të lutem?


-Kë?


-Fjalinë e fundit që sapo the!


-Që ajo është më e aftë se ne?


-Sapo të thashë që të mos e përmendësh më.


-Më fal! Thjesht bazohem në realitet. Duke vjedhur makina në vend të Travenierit Blu, nuk do të jemi kurrë para saj.


-Nuk po më lejon të mendoj qartë! - ishte pak i nevrikosur. Jo me Vin'nilën. Por me faktin se vetë bashkëpunëtorja e saj mendonte se nuk do t'ia dilnin mbanë, duke kujtuar një person që nuk e kishte njohur kurrë.


-Jo unë! Anakhonta! - buzëqeshi. I pëlqente ta shihte në atë gjendje, vetëm për faktin se ai bënte po të njëjtën gjë me raste të ndryshme.


Të kesh fat, e më pas të dështosh, janë kontraste që ndodhin shpesh në jetët tona. Për një arsye fare të vogël. Aftësia. Që të jesh i aftë dhe strategjik, nuk mjafton të jesh i trajnuar. Jo më pak i zgjuar. Duhet të dish me saktësi vendin dhe kohën se kur duhet të ndodhë dhe pse duhet të ndodhë. Duhet të kesh informacion për të gjithë bashkëpunëtorët e tu, sado besim të kesh krijuar. Duhet të jesh i sigurt për hapin që do të hedhë kundërshtari yt kryesor dhe nga ana tjetër rivali yt. Plani të jetë i parapërgatitur ose i momentit, por kurrë nuk mund të jesh i suksesshëm pa një të tillë. Nëse synon për më shumë, të nevojiten më shumë forca, më shumë energji dhe mund. Duhet të kesh më shumë trupa ndihmues, mundësisht të shpërndarë në të gjitha pikat kyçe, në të cilat ke vënë një pikësynim. Dhe në fund, të japësh goditjen përfundimtare.


Gjatë kohës që po ktheheshin për në vendin e përgatitjes, panë një figurë të njohur për sytë e tyre. Por me një ndryshim të vogël. Nuk e kishte atë ndriçimin dhe krenarinë e mëparshme. Jo më, për sa kohë qëndronte larg vendit të saj të punës. Ndaloi makinën, për të bërë një bisedë të shkurtër me të.


-Fytyrë e njohur po më dukeni! - iu drejtua me dyshim, edhe pse e dinte shumë mirë se kush ishte.


-Seriozisht Uarden? Seriozisht? Akoma mundohesh të dalësh para meje për të më futur në lojrat e tua? - Elois nuk ishte e vetëdijshme për të kuptuar se para saj ndodhej pikërisht arsyeja pse kishte humbur punën dhe besimin.


-Shiko. Jeta vazhdon. Unë e di që je një inspektore e mrekullueshme. Je arsyeja që kam ndenjur 19 orë në burg, herën e fundit që isha aty brenda. Dhe të them të drejtën, kur u largova mendova se do të më merrte shumë malli për ty. Por ja ku na u bashkuan sërish rrugët! - edhe pse në një moment ankthi me veten dhe arsyen pse ndodhej pikërisht aty jashtë, nuk duhet të linte një përshtypje të tillë.


-Uarden të kam ndjekur mjaft! Kam një jetë të tërë që merrem me ty dhe veprat  e tua.


-Duhet të jetë vërtet e mërzitshme. Apo jo Vin'nila? - ajo pohoi me kokë, -Shiko, e di që nuk mund të më arrestosh tani që nuk e ke një post të tillë, por më vjen shumë keq, vërtet. Siç thashë dhe pak më parë, je e mrekullueshme në këtë pozicion. Ishe...


-Uarden, a mund ta di se pse po mundohesh të bësh miqësi me armikun? - nuk po e kuptonte se çfarë po përpiqej të përfitonte me atë sjellje një njeri i tillë, që disa orë më parë ishte fitorja e Elois.


-Pse armiq jemi ne? - qetësi, -Po. Armiq! - sërish qetësi, -Por ti nuk je më police apo jo? Kjo do të thotë që nuk mban krahun e askujt.


Kapi më njërën dorë parakrahun e tij, duke ia përthyer në anën tjetër, paralizoi njërën këmbë të tij me një goditje të lehtë, duke e bërë të humbiste pozitën, nxorri armën duke ia drejtuar herë atij dhe herë Vin'nilës dhe tha me seriozitetin më të madh të mundshëm:


-Je i arrestuar Uarden!

Comment