/̵͇̿̿/'̿̿¯̿̿¯̿̿ 14

-Më vjen keq për dje, - ndihej i turpëruar. Nuk e dinte pse Venerës i duhej të largohej në momentin kur ishin gati të takonin Vin'nilën dhe Uardenin.

-Ta thashë njëherë Henlej, nuk ka problem! Do të kemi plot raste të tjera për ta takuar. Tani duhet të fokusohemi në atë që po bëjmë dhe duhet të bëjmë. Sot është dita jonë! - ishte i lumtur që më në fund kishte ardhur momenti për të marrë atë që dëshironte. Kishte kaq shumë kohë që priste. Kishte kaluar pothuajse një muaj që nga tentativa e tyre e parë, gjë që iu dukej tmerrësisht shumë larg. Në Uashington, gjithçka ishte kaq e thjeshtë për ta, pasi ishin të njohur me çdo gjë që iu nevojitej, ndërsa aty ku ndodheshin tani nuk mund të përdornin as gjuhën e tyre.

-Ke të drejtë Uarden! Ke të drejtë! Atëherë unë po vij me ju, - u bë të hynte, por ndjeu një dorë t'i prekte supin nga pas.

-Nuk ke pse e bën Henlej. Do t'ia dalim. Nuk dua të të rrezikoj edhe ty. Do të jemi mirë vetëm ne të dy. Të premtoj! - i dhuroi një përqafim të fundit, para se të hynte në atë që ata e quanin dhoma e fatit, pasi në atë dhomë qëndronte pikërisht fati i tyre.

-Si të thuash ti Vin'nila, - i ledhatoi flokët dhe i buzëqeshi.

-Na prit Henlej! Do të kthehemi shpejt, - i shtrëngoi fort dorën dhe pasi u shkëput prej tij, vazhdoi të ecte në drejtim të kundërt. Ishte e sigurt se diçka do të ndodhte atë ditë. E mirë apo e keqe, mezi po priste të shihte rezultatin.

Ashtu siç e parashikuan, tempulli ishte i mbushur nga njerëz të ndryshëm, të gjithë aty për të njëjtin qëllim. Përveç tyre. Ai tempull ishte po aq i thjeshtë, edhe misterioz, ndaj do të kishin vërtet një punë të madhe për të bërë.

Pa u vënë re, kaluan anash turmës, ndërkohë që njerëzit kryenin ritet dhe lutjet me sy mbyllur. Për fatin e tyre të mirë apo të keq, prifti nuk ndodhej aty. Thjesht po shpresonin që të mos shfaqej në katin tjetër për t'iu prishur punë.

-Vin! Shpejt, pas meje! - ngjiti me të shpejtë, por pa zhurmë shkallët e holla dhe të paqëndrueshme, që nga momenti në moment mund t'i zbulonin.

Hapi me kujdes derën e vogël, që më shumë i ngjante një dritareje të vogël në tavan, por e gjitha e drunjtë, duke përfshirë këtu edhe që nuk kishte asnjë pjesë prej qelqi apo transparente. Në anën e djathtë të saj, ndodhej një dryn i vjetër që kishte filluar të ndryshkej. Ishin me fat që mungonte çelësi i drynit, dhe ai ishte i hapur. Ky ishte një lajm për ta, që nuk do të ishin të vetëm në katin e dytë dhe se dikush ishte duke i pritur, ose thjesht nuk kishte asnjë rëndësi të madhe mbi atë kat, për të qenë i mbyllur.

Tashmë ndodhej në atë kat. Uli kokën për të parë Vin'nilën dhe i zgjati dorën për ta ngritur sa më shpejt. Ishte gati të vazhdonte, kur ndjeu një dorë ta tërhiqte prapa një kollone të madhe të zbukuruar me lule shumëngjyrëshe.

-Ki kujdes! - e qortoi, -Shiko! - drejtoi gishtin nga prifti që ishte duke përgatitur një tabaka prej bronzi, me gjithçka që nevojitej gjatë një lutjeje, -Nuk jemi vetëm!

-Nuk e pashë! - iu kthye i nervozuar.

-Pikërisht! Duhet të jemi më të kujdesshëm. Nuk do të na pëlqente asnjërit prej nesh prishja e gjithë këtij plani, - vazhdonin të qëndronin prapa kollonës, duke pritur për momentin e duhur për të dalë.

-Sh-sh-sh! Po vjen! - e paralajmëroi i shqetësuar.

-Mos! - psherëtiu si të kishte parë diçka të tmerrshme, -Harruam të mbyllnim derën! - u bë të dilte, por nuk e lejoi.

-Vin, vërtet mendon se do ta kuptojë vetëm se dera është e hapur? Është i vjetër! Me shumë siguri ka harruar që e mbylli, - pasi tha këto ndjeu dorën e saj t'i prekte buzët për ta ndaluar të fliste.

Panë se si me tabakanë e përgatitur në dorë, kaloi tapetin e gjatë dhe të hollë, që e ndante dhomën në dy pjesë të barabarta. Nuk ishte shumë e madhe, ndaj dhe ishte i hollë. Ktheu kokën prapa dyshues, kur pa derën e hapur. Qëndroi për disa sekonda duke parë rreth e rrotull, më pas shkeli në shkallën e parë dhe mbylli derën, për të shkuar sërish në katin e parë.

-Të thashë! Ka vite që punon këtu! Ndoshta një shekull! E ku ta dimë ne? Thjesht nuk duhet të gabojmë Luvern! - ishte pak konfuze dhe e frikësuar, por në të njëjtën kohë edhe e sigurt për hapin që duhet të hidhnin.

-E di! E di! Pastaj ishe ti ajo që e la hapur derën. Unë dola para teje, - qeshi dhe doli prej vendit ku ishin fshehur. Ajo tundi kokën në shenjë moskokëçarëse, dhe e ndoqi.

-Siç mund ta shohim, këtu s'paska asgjë me rëndësi. Thjesht lule, pjata bronzi, përgatitje, qirinj... Shumica e dhomës është bosh, - tha e shqetësuar, se gjithë ajo që kaluan do të ishte e padobishme.

-Duhet të ketë diçka këtu! - u afrua duke prekur disa pjesë të murit.

-Luvern, ti e di që jo gjithçka është kaq misterioze apo e pazgjidhshme! Nuk besoj se ka pasur ndonjë person që ka menduar budallallëqe si për shembull që diamanti binjak i Travenierit Blu ndodhet këtu, pikërisht në këtë tempull! - ndonjëherë mendonte se e gjithë ideja e tyre ishte një shaka.

-E di Vin'nila! E di! Ndaj ndihem krenar që jemi të parët që e menduam dhe që e provuam, - vazhdonte të mbante po të njëjtin qëndrim serioz, duke pritur për ndonjë të papritur fshehur pas atyre katër mureve.

-Ti do të më çmendësh! Vërtet do të më çmendësh një ditë! - tha me zë të lartë dhe më pas filloi të qeshte.

-Jam i bindur për këtë! Nuk do të ishte keq nëse më ndihmoje pak me këtë, - vazhdonte të kërkonte i etur për të gjetur diçka të pazakontë. Edhe pse nuk ishte i sigurt se sa rezultat do të kishte e gjitha që po bënte.

-Po lodhesh pa asnjë arsye Luvern! Është e qartë që është thjesht një kat që ndihmon për përgatitjet në katin e parë. Si njëfarë bodrumi, - po priste që ai të bindej se gjithçka ishte normale.

-Çfarë the? - u kthye menjëherë kureshtar.

-Që do të më çmendësh? - u habit nga reagimi i tij i menjëhershëm.

-Jo, the diçka në lidhje me këtë vend! - po mundohej të kuptonte nëse e kishte dëgjuar siç duhej, apo ishte thjesht imagjinata e tij.

-Që bëhen përgatitje... - Luvern vazhdonte t'i tregonte me anë të dorës së tij që vazhdonte të lëvizte si të dëshironte të tregonte se duhet të vazhdonte, -Që është si bodrum...

-Po! - sërish u tremb nga reagimi i tij, -Në anën e djathtë muri ishte më i ulët. Dukej si një drejtkëndësh i dalë dhe i thellë. Dhe kishte vërtet përmasa të mëdha. Nuk besoj të mos e kesh vënë re, - po priste për përgjigjen e saj.

-Po, në fakt... - filloi të mendohej rreth pamjes që arriti të shihte ditën e djeshme.

-Pikërisht! Tani le të kërkojmë për diçka që të çon në atë vend. Në anën e djathë, në fund të dhomës. Duhet të këtë diçka aty. Jam i sigurt, - shkoi menjëherë të shihte në vendin e përmendur.

-Ti vërtet je i fiksuar Luvern! Nuk e kisha menduar kurrë se do të ishte diçka e rëndësishme ajo pjesë e murit. Jam e sigurt se asnjë nga banorët që vijnë rregullisht në këtë tempull, nuk e kanë menduar se fshihet diçka pas asaj, ose nuk e kanë parë aspak. Të përgëzoj që je kaq i vëmendshëm! - gjithsesi, nuk ishte e surprizuar, pasi e njihte shumë mirë Uardenin dhe punën që ai bënte.

-Më fal Vin'nila, - u ngrit dhe ktheu kokën nga ajo, -Kur thashë dje se do të hyjmë atje dhe do të shohim çdo detaj të mundshëm që mund të jetë i rëndësishëm për këtë që jemi duke bërë tani, besoj se këtë nënkuptova; të shkojmë atje brenda dhe të mbajmë mend gjithçka. Nuk ishte pa rëndësi ajo që bëmë dje, - ktheu sërish vështrimin nga vendi në të cilin po kërkonte.

-Ke të drejtë! Tek e fundit, je i vetmi që e mbante mend atë vend. Mund të jetë me rëndësi, - ndërkohë që fliste u afrua pranë dritares së vogël dhe të izoluar mirë, -Elois? Çfarë do ajo këtu? A nuk supozohet të ishte në Uashington?

U ngrit menjëherë duke mos i besuar ato që po përmendte Vin'nila. U afrua në dritare dhe ajo që pa ishte pikërisht ajo që dëgjoi. Tempullin e kishin rrethuar makina policie dhe policë që vraponin të armatosur, e në krye të tyre Elois Deret.

-Duhet të largohemi! - i kapi dorën dhe filloi të vraponte për të gjetur një rrugëdalje.

-Por ishim kaq afër! - u ankua, edhe pse vazhdonte të shkonte me të.

Sytë nuk i zunë asnjë gjë tjetër veç derës së vogël prej së cilës u ngjitën në atë kat, ndaj vrapoi drejt saj.

-Do të na kapin Luvern! Nuk është ide e mirë të dalim prej atysh! Më mirë të qëndrojmë këtu! - zëri i saj po e shpërqëndronte. Nuk ishte i qartë me atë që po bënte.

-Të thashë që do të largohemi! - thirri i inatosur, edhe pse e dinte se nuk do të ndryshonte asgjë.

Ishin të ngecur në atë vend të shenjtë. Kushdo që e kishte krijuar atë çark, e kishte ngritur në momentin e gabuar.

Comment