/̵͇̿̿/'̿̿¯̿̿¯̿̿ 36

Vrapoi për të mos humbur më shumë kohë. Nuk duhet ta linte të priste. As atë, as veten. Duhet të zbulonte më shumë rreth planit të saj, edhe pse do të ishte i padobishëm. Kështu mendohej. Nxitoi të zbriste, dhe teksa ecte e pa përballë të ulur në një tavolinë të vogël, duke pritur. Shpresonte të mos kishte shumë kohë që kishte ardhur.

-Përshëndetje sërish! - u ul me qetësinë më të madhe.

-Po të prisja, - e përshëndeti në mënyrën e vet dhe hyri direkt e në temë. -Për sa i përket arsyes pse të dy jemi këtu, përpara se të të tregoj për atë që do të na duhet të bëjmë në Meksikë, më lejo të të pyes fillimisht së përse vendose ti bashkohesh këtij plani dhe pse je ende këtu, kur të tjerët janë në Meksikë?

-Besoj se isha i qartë që në fillim. Kam qenë kundër të gjithës dhe jam munduar ta ndaloj Vin'nilën. U ktheva për ta marrë që të largohemi sërish së bashku, por ishte shumë vonë. Më pas kuptova që ishin arratisur drejt një tjetër kontinenti, në të cilin nuk shkova dot. Ndaj, para se të bëja diçka, mendova të kërkoja ndihmën tënde, duke i ditur qëllimet e tua. Nëse je kundër kësaj, më lejo të largohem dhe të vazhdoj me vendimet e mia personale, - duhet ta bënte sa më të besueshme. Pjesa më e madhe e asaj që po thoshte ishte e vërtetë. Megjithatë, jo më.

-E kuptoj pse ndihesh kështu. E di që nuk ke qenë i përfshirë më parë në të tilla situata dhe ke pasur të drejtë. Vin'nila është ende e re, e zgjuar, e shkathët. Do të shkonte dëm një vajzë si ajo. E ka jetën përpara dhe mund të bëhet dikush tjetër. Në një vend tjetër më të sigurt për të, sa më larg Uardenit dhe kujtdo tjetër si ai. Për mendimin tim, duhet të kishe vepruar më parë. Por kjo nuk do të thotë që nuk mund ta bësh tani. Përkundrazi, je i lirë të bësh ç'të duash. Ndaj jam këtu, - fliste qetë dhe me zë të ulët, për t'i lënë përshtypje të mira, si dhe për ta nxitur më shumë. -Ti je një njeri i mirë Henlej, por besoj se e kuptove vonë këtë. Meqë jemi këtu për të të thënë dhe njëherë se cili do të jetë hapi ynë i rradhës, po hyj në temë.

-Vazhdo, - pohoi duke pritur për çdo plan të mundshëm nga ana e saj.

-Gjithçka do të jetë e thjeshtë. Ne shkojmë atje, gjejmë vendin ku fshihet Uardeni dhe bashkëpunëtorët e tij, ti merr Vin'nilën dhe unë gjithçka që mbetet. Gjërat më pas do të jenë në duart e specialistëve, ndaj nuk duhet të shqetësohesh në këtë anë. Siç është dhe në marrëveshjen tonë, Vin'nila nuk do të ndikohet aspak nga plani ynë. Na duhet thjesht t'i kapim, pasi për diamantin nuk ka më rrezik. Qëndron në një vend të sigurt dhe e sigurt që jo në Meksikë, - buzëqeshi si të mendonte se kishte bërë një shaka të bukur.

I pëlqeu ideja se ajo e përmendi diamantin, ndaj kishte arsye për të pyetur për më shumë.

-A nuk e kanë ata Tavernierin? - aktroi si i paditur për të njëjtën arsye për të disatën herë. -Mendova se ishin arratisur pasi tashmë e kishin diamantin.

-Uardeni nuk arratiset Henlej. Sidomos nëse ka diamantin. Nuk e kam zbuluar ende se përse ka shkuar në Meksikë, por shpresoj të mos jetë ajo që mendoj, - ishte më keq se ta përjetonte.

-Që është? - kjo paksa e bëri kureshtar. A e kishte kuptuar rastësisht planin e Uardenit Elois?

-Kam frikë se Uardeni nuk do të jetë i vetëm në atë që ka ndërmend të bëjë. Ti e përmende dikë të quajtur Bemnian Tapatio, apo jo? Nëse Uarden ka shkuar në Meksikë, me shumë mundësi ka lidhje me të. Ose do ta sfidojë, ose do të bëhet partner me të sërish. Kësaj të fundit i frikësohem. Nuk mund ta imagjinosh se çfarë mund të bëjë një dyshe e tillë. Por shanset për këtë nuk janë të sigurta. Pasi hoqën dorë nga partneriteti i tyre i mëparshëm, nuk kanë pasur më kontakte me njëri-tjetrin mesa di, ndaj nga një anë është e pamundur të ndodhë diçka e tillë prapë. Do të të sugjeroja të bëheshe gati për nëser. Unë kam disa punë përfundimtare për të përmbushur para se të largohem, - u ngrit nga tavolina për të shkuar.

-Tavernieri qëndron në Uashington besoj, apo jo? - nxitoi ta pyeste para se ajo të largohej. Më pas mendoi se kishte bërë gabim që e tha.

-Për momentin jo. Për sa kohë Bunchi është në krye të atij institucioni, diamanti nuk është i sigurt, - ktheu kokën për herë të fundit dhe nisi të ecë në drejtim të gabuar, ndërkohë që ai mendonte më shumë. Fjalët e saj ishin të dyshimta, dhe me shumë siguri, gjithçka po ndodhte siç ai kishte parashikuar. Elois po fshihte Tavernierin nga Uashingtoni apo India, derisa të kishte në dorë Uardenin. Dhe kjo e bënte të mendonte se do ta kishte të lehtë të gjente vendin se ku ndodhej ai diamant, pasi nuk duhet të ishte shumë larg saj. Elois do të rrezikonte nëse do t'ia besonte atë dikujt tjetër, por nuk do të ishte e aftë mjaftueshëm për të mbajtur të fshehur e vetme diçka të tillë për shumë kohë.

Kishin disa minuta që ecnin larg vendit ku mbaruan diskutimin e tyre. Duhet të përgatiteshin sa më shpejt, por dukej të ishte e vështirë.

-Do të kthehemi sërish në hotel? - Vin'nilës nuk po i pëlqente mosmarrëveshja e vogël që ishin duke pasur me Anakhontën, sepse kjo e bënte të besonte se nuk do t'ia dilnin mbanë. Do t'iu duhej shumë më shumë punë në ekip, dhe kur gjithçka po merrte kuptim, filluan të largoheshin sa vjen e më shumë nga njëri-tjetri.

-Po, - ia ktheu shkurt duke qenë i përqendruar në rrugën që kishte para. Dukej të ishte i humbur në mendime dhe në botën brenda mureve të tij, gjë që nuk i pëlqente. Mund ta bënte edhe i vetëm, të arrinte atë që dëshironte si gjithmonë, por nuk e kuptonte se pse nuk ndihej më aq i sigurt dhe aq optimist si dikur, kur një plan i tiji nuk zgjaste më shumë se 3 ditë.

-A mendon se do të arrijmë ta gjejmë në kohë? Dua të them, po sikur të dështojmë? Kemi javë që merremi me këtë dhe askush nga ne nuk dëshiron të shkojë dëm i gjithë mundi dhe vështirësitë që kemi kaluar, - nuk ishte momenti për të thënë të tilla gjëra, por nuk mendonte më shumë.

-E thëna e problemeve që kemi, nuk do t'i bëjë ato të zgjidhen Vin'nila. Ajo për të cilën të gjithë kemi nevojë për momentin është fitorja dhe ajo nuk do të arrihet me supozime. Duhet të jemi të sigurt në hapin që do të hedhim. Nga Henlej nuk kemi asnjë lajm, dhe me shumë siguri nuk ka arritur të bëjë asgjë veç rrëmujës. Nga ana tjetër, marrim vesh se plani mbaron para se të fillojë. Anakhonta flet drejtpërdrejtë me Bemnianin duke e treguar qartë se ne jemi këtu. Diamanti është i zhdukur dhe as që e kemi idenë se çfarë po ndodh njëkohësisht me Eloisin dhe se çfarë po mundohet ajo të bëjë. Por, - ngriti kokën dhe ktheu vështrimin nga ajo, -Kjo nuk do të thotë se ne nuk do të vazhdojmë. Asgjë nga ato që përmenda nuk është e fortë mjaftueshëm për të më bërë të heq dorë nga e gjitha kjo, ndaj bën mirë të mendosh të njëjtën gjë, - ndaloi hapat dhe u kthye sërish nga drejtimi nga i cili po largohej, -Duhet të kthehemi në hotel. Do të marrim Anakhontën dhe do të fillojmë udhëtimin.

Ajo thjesht buzëqeshi e lumtur që dëgjoi sërish Uardenin optimist dhe e ndoqi. Gjithçka më e rrezikshme e bënte situatën akoma më argëtuese për ta. Ishin mësuar me këtë tashmë, megjithatë nuk do të ishte e lehtë.

-Së shpejti do të largohemi prej këtush, - iu drejtua rojes që po e ndiqte, -Lajmëro të tjerët të shpërndajnë ata që u mblodhën në sallë. Për kaq na duheshin. Nuk dhanë më të mirën e tyre, por nuk kam kohë për ankesa dhe për këtë. Pse duhet t'i bëj të gjitha i vetëm? - ecte si i tërbuar nëpër korridoret e hotelit, duke u munduar të gjejë diçka me të cilën të fokusohej.

-Patjetër, - mori urdhërin dhe u largua.

-Ta shohim se sa e vërtetë është harta që krijuam, - nxorri letrën nga xhepi dhe po e vështronte pa ndaluar hapin. Duhet të shkonte në dhomën e tij për të bërë një telefonatë të shpejtë. Se sa kohë do të zgjaste e gjitha, nuk e dinte as vetë, por do t'ia dilte mbanë në një mënyrë a në një tjetër. Gjithë ato vite qetësi e kishin bërë të logjikonte më shumë dhe e kishin ndihmuar të merrte qetësinë që meritonte pas së gjithash. Ndoshta fati i tij ishte vetëm disa orë larg. -Je një gjeni Bemnian! - i foli vetes. Hyri në dhomë dhe formoi numrin në telefonin e tij.

Comment